Art & Kulturë

FOTO/Shqiptarët që i mbijetuan Mauthausenit, ekspozitë në muze me fakte, dokumente, foto dhe video për historinë e të mbijetuarve

“Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen” një ekspozitë me fakte, dokumente, foto, video për historinë e të mbijetuarve shqiptarë në Mauthausen u hap të premten në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita që u çel në MHK vjen e kuruar nga Elton Koritari. Ajo është pjesë e një projekti dy vjeçar, një ide e organizatës DMO Albania (Destination Management Organisation, me seli në Tiranë) në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, e financuar nga EVZ Stiftung Foundation (Foundation “Remembrance, Responsibility and Future”, me seli në Berlin. Thelbi i projekteve të financuara nga ky fondacion është sjellja në kujtesë dhe mbajtja gjallë e dëshmive dhe historive të atyre që vuajtën nga Nacional Socializmi – Gjermania naziste e viteve ‘33-45.

 Në fjalën e saj drejtuesja e projektit DMO Albania, Eva Kushova, u shpreh ndër të tjera se kjo ekspozitë me foto të ndryshme pasqyron viktimat dhe familjarët e tyre, njohjen dhe vuajtjen e cila është po aq e rëndësishme sa kompesimi financiar apo dënimi i fajtorëve. “Ata meritojnë t’u njihen vuajtjet. Për Shqipërinë kjo pjesë e historisë ka qenë e pa treguar më parë. Ka pasur disa intervista me 1-2 të mbijetuar, por nuk janë mbledhur asnjëherë faktet historike në një studim të tillë”, tha ajo. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, vuri theksin në rëndësinë e veçantë që paraqet kjo ekspozitë me një tematikë dhe karakter tejet të veçantë, e cila ekspozon një anë tjetër jo shumë të njohur të memories sonë.

 Jehonë dhe historive shqiptare

“Fatet e shqiptarëve të mbijetuar në Mauthausen” u hap në MHK kuruar nga Elton Koritari. Si kurator ai vlerësoi këtë ekspozitë si një hap për një studim më të thelluar kronologjik, ku nëpërmjet shfaqjes së kësaj ekspozite e cila vjen për publikun shqiptar në formën e një seksioni edukues, për t’ua përcjellë këto ngjarje brezave të rinj. “Jo më kot u zgjodh java e Holokaustit për t’i bërë jehonë edhe historive të Shqiptarëve që vuajtën në kampet e përqendrimit”, tha ai. Në fjalën e saj skenaristja dhe gazetarja Admirina Peçi u shpreh se e kaluara nëse nuk njihet mirë, nëse nuk nxjerrim mësime, mund të përsëritet në çdo kohë. “Detyra jonë është të edukojmë sa më mirë brezat e rinj, për të mos lejuar më që njeriu të denigrohet në atë mënyrë nga një qënie tjetër njerëzore siç ndodhi në Luftën e Dytë Botërore”, tha ajo mes të tjerave.

Me fakte, dokumente, foto, audio dhe video për historinë e të mbijetuarve shqiptarë të Mauthausenit, një ekspozitë multimedia që tregon historinë e shkurtër të nazizmit në Shqipëri, si erdhën, si e gjetën Shqipërinë, si nisi rezistenca shqiptare ndaj tyre, cilat ishin momentet dhe përplasjet më të forta të ushtrisë gjermane në Shqipëri.

Si nisën arrestimet, kush u arrestua dhe për çfarë, sa ishte numri i tyre, itinerari i tyre deri në kampet famëkeqe. Ekspozita tregon dhe një pjesë të rrallë që nuk është rrëfyer. Historinë e të mbijetuarve nga Mauthhauseni, sa shqiptarë mbijetuan dhe pse. Cili ishte itinerari i tyre i kthimit në Shqipëri dhe si u përshtatën në regjimin diktatorial. E veçanta e kësaj historie është pikërisht jeta dhe peripecitë e disa të burgosurve në Mauthausen, që erdhën e jetuan të burgosur sërish në ferrin komunist. 8 histori të gjalla, rrëfyer nga të afërm të të mbijetuarve.  

Rruga Press

YouTube player