Foto/ Plaçkitja e fundit e Portit të Durrësit
Pirro Vengu është drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit. E dini çfarë bën Pirroja? Ditën që Edi Rama thotë se do shembim Portin Tregtar të Durrësit, zoti Vengu bën tender 600 mijë euro për pastrimin e ambienteve të Portit për tre vitet e ardhshme. Porti do të shembet pas tre muajsh, por Autoritet Portual kontrakton kompani private për të pastruar ambientet e Portit për 3 vjet. E megjithatë ky është vetëm aperitivi.
Dy muajt e fundit, Autoriteti Portual Durrës ka bërë tender për sigurimin e aseteve të Portit për 18 muaj, tender për mirëmbajtjen e rrjetit hidrik të Portit për 3 vjet, tender për sistemet e sigurisë për 3 vjet, tender për mirëmbajtjen e infrastrukturës IT për 3 vjet e kështu me radhë. Të gjitha këto tendera i kanë bërë duke qenë në dijeni të plotë se pas tre muajsh, në mos më shpejtë, Porti nuk do të ekzistojë më.
Tani t’I kthehemi dëmit që kanë bërë. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm për 6 muajt e fundit Autoriteti Portual Durrës ka shpenzuar mbi 10 milionë euro në tendera që pas tre muajsh do të vlejnë zero. Blihen vinça nga 3 milionë euro, që pas disa muajsh do shiten për skrap. Ose do t’i shiten privatit 10 herë më lirë nga kostoja e blerjes.
Pyetja që shtrohet këtu është; budallenj janë këta që bëjnë këto tendera kur e dinë që Porti do të shembet. Jo. Nuk janë budallenj hiç. Thjesht po nxitojnë të vjedhin ç’të munden nga Porti para se ta dorëzojnë. Kjo është plaçkitja tipike, që u ndodh ndërmarrjeve shtetërore para privatizimit. Megjithatë asnjëherë kaq hapur.
Nga një aspekt Këshilli Drejtues dhe drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual të Durrësit ngjajnë me nazistët. Kur nisën fushatën e shfarosjes së hebrejve, nazistët kishin një taktikë. Përpara se t’i transportonin në dhomat e gazit, u shkulnin edhe ndonjë dhemb floriri që mund të kishte shpëtuar nga plaçkitjet e mëparshme.
Këtë po bëjnë dhe nazistët tanë në Portin e Durrësit. Po vjedhin dhe gjërat e fundit që u kishin shpëtuar pa vjedhur, para se ta çojnë Portin për skrap. Përpara syve të të gjithëve. Edhe Spakut. Burimi /mcn/
Rruga Press