KryesoreLajme

(Foto) Ekskluzive/ Deklarata e Samitit të Vjenës: Mirëpresim liberalizimin e vizave për Kosovën. Serbia bën lojë të dyfishtë

Pas disa vitesh dështim për zgjerimit e BE-së, tani është koha që ajo të angazhohet vërtet për perspektivën e pranimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe të përshpejtojë procesin e zgjerimit. Ky është mesazhi kryesor që Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve u dërgojnë pjesëmarrësve të Samitit BE-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Tiranë.

Si shenjë e angazhimit të tij ndaj procesit të zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor, Grupi S&D priti të enjten në Vjenë një samit të nivelit të lartë të liderëve socialistë dhe demokratë të Ballkanit Perëndimor. Në mesin e liderëve dhe politikanëve të lartë progresistë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në BE, në samit morën pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Grupi S&D përfaqësohet me 145 anëtarë të Parlamentit Evropian nga 26 vende të BE-së. Grupi S&D është grupi i dytë politik më i madh në Parlamentin Evropian dhe eurodeputetët e tyre punojnë në të gjitha komisionet parlamentare dhe delegacionet ndërparlamentare.

Në Vjenë, “familja progresiste” miratoi një deklaratë të përbashkët të Samitit të Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor, të cilën mund ta gjeni të plotë si më poshtë:

Deklaratë e Samitit të Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor

8 dhjetor 2022, Vjenë

•Ne, Grupi S&D dhe liderët progresistë të Ballkanit Perëndimor, riafirmojmë angazhimin tonë të fuqishëm për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, ku synimi ynë mbetet anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

•Ne qëndrojmë pas një vizioni progresist për zgjerimin, në të cilin luftojmë për zgjerimin e zonës së demokracisë, paqes dhe prosperitet në të gjithë kontinentin tonë, transformim në një ekonomi të gjelbër dhe një dimension të fuqishëm social në reformat e lidhura me procesin e anëtarësimit. Ne besojmë fuqimisht se zëri dhe pjesëmarrja e barabartë politike e grave duhet të jetë një parim udhërrëfyes në proces. Më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet situatës së të rinjve pasi ata përfaqësojnë të ardhmen e rajonit. Ne theksojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës të zgjerimit, në të cilin qytetarët janë të përfshirë në mënyrë domethënëse dhe shqetësimet e tyre dëgjohen.

•Ne mirëpresim hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, gjë për të cilën kemi bërë thirrje prej një kohe të gjatë. Ne shpresojmë për një përparim të shpejtë në kapitujt individualë.

•Ne mirëpresim që shtetet anëtare të BE-së më në fund ecën përpara me liberalizimin e vonuar të vizave për Kosovën dhe mirëpresim aspiratat legjitime evropiane të qeverisë së Kosovës për të aplikuar këtë muaj për statusin e kandidatit në BE.

•Na vjen keq për tensionet e vazhdueshme politike që ngadalësojnë progresin e reformave të lidhura me BE-në në Mal të Zi, i cili është ende më së largu në procesin e anëtarësimit në BE.

• Ne mbështesim dhënien e statusit të kandidatit për Bosnjë dhe Hercegovinën, por udhëheqësit e vendit duhet të përmbushin reformat e domosdoshme për të transformuar BH në një shtet plotësisht funksional, me një të ardhme evropiane.

•Ne na vjen keq për mangësitë e vazhdueshme në fushën e sundimit të ligjit dhe mungesën e progresit në reformat e lidhura me BE-në në Serbi, qeveria e së cilës po luan gjithashtu një lojë të dyfishtë duke refuzuar të përmbushë detyrimet e saj si kandidate për anëtarësim në BE.

•Ne mirëpresim nismën e fundit të një Komuniteti Politik Evropian si një forum i dobishëm për shkëmbim; megjithatë, ne insistojmë se kjo në asnjë mënyrë nuk mund të jetë një alternativë ndaj procesit të plotë të zgjerimit. I bëjmë thirrje Komisionit ta bëjë zgjerimin më transparent, duke përfshirë standarde të qarta. Meritat dhe kriteret e qarta mbeten kyçe.

•Duke marrë në konsideratë luftën e agresionit të paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës, bashkëpunimi ynë në politikat e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes është më i rëndësishëm se kurrë. Përafrimi me CFSP-në e BE-së është pjesë e procesit të adoptimit me trupin e ligjeve të përbashkëta, të drejtave dhe detyrimeve të BE-së, por edhe shprehje e përkushtimit ndaj normave dhe vlerave të BE-së, si paqja dhe multilateralizmi. Prandaj, ne i bëjmë thirrje qeverisë së re serbe që të miratojë sanksionet e BE-së kundër Rusisë. Situata e ndryshuar gjeopolitike kërkon rritje të bashkëpunimit për mbrojtjen kundër kërcënimeve hibride si sulmet kibernetike ose dezinformimi.

•Ne theksojmë rëndësinë e bashkëpunimit midis Grupit S&D dhe partive progresive të Ballkanit Perëndimor përgjatë rrugës së tyre drejt BE-së, teksa familja jonë evropiane nuk është e plotë pa partnerët tanë. Së bashku, ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e perspektivës së përbashkët progresive për BE-në.

Së fundi, ne mirëpresim rezultatet e Samitit të Tiranës të datës 6 tetor 2022, veçanërisht marrëveshjen mbi roamingun, por gjithashtu insistojmë se duhet të jemi edhe më ambiciozë në të ardhmen.

©Rruga Press

Lexo më shumë  Eurodeputetja italiane: Telefonata e Ramës, akt i rëndë! Ndërhyrja e jashtme në pavarësinë dhe lirinë e medias
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *