Forcat ukrainase vazhdojnë të rezistojnë në Bahmut
Forcat ukrainase kanë zmbrapsur një sërë sulmesh ruse në Bahmut në 24 orët e fundit, tha Kievi më 4 mars. Këto deklarata të Ukrainës vijnë pas pretendimeve të mercenarëve rusë se ky qytet lindor është pothuajse i dorëzuar.
Megjithatë, ekspertët perëndimorë thanë se situata në Bahmut – që për një kohë të gjatë po përballet me sulmet ruse – vazhdon të jetë kritike dhe se mbrojtësit ukrainas po përballen “me presion në rritje”.
Në rajonin lindor të Donjeckut, Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha se forcat e Kievit kanë zmbrapsur mbi 150 sulme të trupave ruse gjatë ditës së kaluar në drejtim të Bahmutit, Limanit, Avidjivkës dhe Shahtraskut.
“Armiku vazhdimisht po tenton që ta rrethojë Bahmutin”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.
Zyrtarët ukrainas kanë sugjeruar se forcat e tyre mund të tërhiqen krejtësisht nga Bahmuti nëse mbrojtja e tij bëhet shumë e kushtueshme dhe të tërhiqen në një pozicion të ri në perëndim dhe jugperëndim, ku siç thuhet, ukrainasit kanë pozicione më të forta mbrojtëse.
Pavarësisht situatës, që nga një komandant ukrainas u përshkrua si “kritike”, mbrojtësit e Kievit raportohet se po ngrenë pozicione mbrojtëse dhe ende nuk janë të gatshëm që të heqin dorë nga qyteti.
“Të gjitha njësitë e përfshira në mbrojtjen e Bahmutit po bëjnë detyrat e tyre. Ushtarët tanë vazhdimisht po punojnë në kushte jashtëzakonisht të rënda dhe po bëjnë gjithçka që numri i armiqve të bjerë çdo ditë”, tha gjenerali Viktor Khorenko, komandant i forcave të operacioneve të posaçme.
Më 3 mars, Yevgeny Prigozhin, themelues i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, përmes një videoje pretendoj se Bahmuti – që Moska ka tentuar të marrë nën kontroll gjatë shtatë muajve të fundit – është pothuajse i rrethuar dhe vetëm një rrugë për largim është ende e hapur.
Ministria e Mbrojtjes së Britanisë tha se mbrojtja ukrainase në Bahmut “është në presion të madh, teksa po zhvillohen luftime të ashpra në dhe përreth qytetit”.
Inteligjenca britanike, në raportimin e rregullt për luftën në Ukrainë, tha se forcat ruse dhe mercenarët e Wagner-it kanë bërë përparime në periferinë veri të qytetit dhe tani Bahmuti po sulmohet nga tri anë.
“Ukraina po e përforcon zonën me njësie elite dhe gjatë 36 orëve të fundit dy ura kyçe në Bahmut janë shkatërruar, përfshirë një urë që lidh qytetin me rrugën kryesore të furnizimit nga Bahmuti për në qytetin Çasiv Jar”, tha inteligjenca britanike.
Ekspertët perëndimorë kanë thënë se Bahmuti ka më pak rëndësi strategjike për Rusinë sesa rëndësi simbolike./REL
Rruga Press