Lajme

FMN arrin marrëveshje me Kosovën, rritja ekonomike 3.8 përqind këtë vit

Ekipi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe autoritetet e Kosovës arritën dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimit të dytë të marrëveshjes Stand-by (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF). Kjo marrëveshje duhet të miratohet nga bordi ekzekutiv i FMN-së, që pritet ta shqyrtoj ne pjesën e dytë të Majit.

FMN njofton se ekonomia e Kosovës ka vazhduar të performojë mirë, përkundër mjedisit të jashtëm sfidues.

“Rritja ekonomike pritet të ngritet në 3.8 përqind këtë vit, e nxitur fuqishëm nga konsumi privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve. Autoritetet kanë vazhduar të kenë politika të matura makroekonomike, ndërkohë që vazhdon të avancojë reformën strukturore dhe axhendat e gjelbra’, thuhet në komunikatën e FMN-së.

FMN ka bërë të ditur se një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Sebastian Sosa, vizitoi Kosovën gjatë periudhës 18–27 mars 2024, për diskutime mbi rishikimin e dytë të Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

“Ekipi i FMN-së dhe autoritetet e Kosovës arritën dakordim në nivel të stafit për përmbylljen e rishikimit të dytë të SBA-së dhe RSF marrëveshjeve. Zbatimi i programit vazhdon të jetë në rrugën e duhur, me përmbushje të të gjitha caqeve kuantitative të fundit të dhjetorit 2023 dhe me avancim të kënaqshëm në agjendën e dakorduar të reformave strukturore. Pas aprovimit nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së, i cili pritet të bëhet në gjysmën e dytë të muajit maj, përfundimi i rishikimit të dytë do të vë në dispozicion”, thuhet në deklaratën për media të Sebastian Sosa.

Lexo më shumë  Qeveria miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitet 2025-2027

Sipas tij, rreziqet për perspektivën ekonomike të Kosovës përfshijnë rritjen e çmimeve të mallrave si pasojë e tensioneve gjeopolitike, aktivitetit më të ulët në ekonomitë e avancuara evropiane dhe përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës.

“Nga ana tjetër, progresi i theksuar në dialogun me Serbinë dhe procesin e anëtarësimit në BE mund të rritë besimin, IHD-të, turizmin, mbështetjen financiare të donatorëve dhe rritjen ekonomike. Krahas historikut pozitiv me politika të kujdesshme, Kosova ka rezerva të konsiderueshme për t’i zbutur goditjet eventuale negative, duke përfshirë borxh të ulët publik, sistem bankar likuid dhe të mirëkapitalizuar, SBA-në e kujdesit paraprak, ekzistenca e rezervës emergjente për likuiditet si dhe linja e përkohshme e Marrëveshjes së Riblerjes REPO (100 milionë euro) të Bankës Qendrore e Kosovës (BQK) me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), së fundi është zgjatur deri në janar 2025”, tha ai.

Lexo më shumë  Gjermania zoton 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në BE

Zyrtari i FMN-së, ka përmendur edhe prioritetet e tjera të reformës strukturore fiskale përfshijnë përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut fiskal dhe përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit të ndërmarrjeve publike.

“BQK-ja ka vazhduar të avancojë agjendën ambicioze të reformave institucionale në linjë me planin strategjik 5-vjeçar te aprovuar rishtaz. Përpjekjet e vazhdueshme të BQK-së për forcimin e qeverisjes, përmirësimin e menaxhimit të rrezikut, përmirësimin e mbikëqyrjes financiare dhe adresimin e hendeqeve LPP/LFT janë të mirëseardhura dhe duhet të vazhdojnë”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe ankandin e parë konkurrues për 100 MË të prodhimit të energjisë diellore/FV, muajve të ardhshëm do të iniciohet ankandi për 150 MË të prodhimit të energjisë elektrike me bazë ere që është i pari në Kosovë.

“Ankandet e parimit të shitjes “Një Ditë Përpara” në modalitetin e lidhjes së tregut për Shqipërinë dhe Kosovën, që filluan në muajin shkurt, pritet të ndihmojnë forcimin e integrimit rajonal dhe të promovojnë konkurrencën në tregjet e energjisë elektrike. Ekipi i FMN-së falënderon autoritetet dhe palët e tjera për diskutimet dhe bashkëpunimin konstruktiv gjatë këtij misioni”, thuhet deklaratën e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i udhëhequr nga Sebastian Sosa.

Rruga Press

YouTube player