Art & Kulturë

“Fjalor i Arbëreshvet t’Italisë” vepra madhore e Emanuele Giordanos

“Fjalor i Arbëreshvet t’Italisë” është i pari dhe i vetmi. Kjo vepër madhore e Emanuele Giordano u botua në Bari të Italisë, në gusht të vitit 1963.

Pas botimit më 1966 Giordanon e ftojnë nga Universiteti i Tiranës ku mban dy konferenca.

Fjalori ka 592 faqe. Autori i fjalorit Emanuele nuk i ka përfshirë vetëm fjalët, por edhe frazeologjitë arbëreshe natyrisht me sqarime në gjuhën italiane. Fjalori është i rëndësishëm për shkencat albanologjike.

Emanuele Giordano përdor thënien e Garibaldit për shqiptarët:

“Shqiptarët janë heronj, të cilët janë dalluar në të gjitha betejat për liri”

(G. Garibaldi)

Emanuele Giordano, personalitet i shquar i kulturës arbëreshe, në një intervistë ka treguar qëllimshmërinë e përdorimit të grafemës shqipe “y”, në këtë fjalor. “Te fjalori unë përdora grafemën y për të thjeshtëzuar gjuhën arbëreshe për shqiptarët. Por ne, në sistemin tonë fonetik, kemi vetëm fonemën i. Në gjuhën e shkruar arbëreshe kjo germë nuk duhet përdorur, sepse ne nuk e kemi, nuk e sollëm nga Shqipëria, nuk ishte në Shqipëri kur arbëreshët u nisën për në Itali. Pastaj, ndoshta y-ja ka hyrë në shqipen nga gjuha turke”, ka thënë Giordano, i cili ka shtuar se po ashtu gjuha arbëreshe ka një fonemë tjetër, që nuk është në gjuhën shqipe, “hj” me origjinë prej greqishtes dhe gjendet tek fjalët si: hje, ahjak, etj.

Nipi i tij, profesor Agostino Giordano midis tjerash shkruan:

“…Kjo i ka dhënë atij shumë kënaqësi: nën udhëzuesin e tij, në fakt, Ejanina e vogël i dha Dioqezës Bizantine të Lungros pesë priftërinj. Atë Emanuele për dekada ka kontribuar në mënyrë aktive në jetën e Dioqezës: së pari, si mbështetës këmbëngulës i futjes së gjuhës shqipe në Liturgji, dhe përveç kësaj, si përkthyes energjik i teksteve, në fushën e “Komisionit për Liturgji, Muzikë Bizantine dhe Arti i Shenjtë ”. Si mësues në Institutin e Shkencave Fetare “Giovanni Stamati”, ai ka dhënë mësime në Liturgjinë e kaluar, Kristologji, Eklesiologji, gjuhë Greke dhe Shqipe dhe Muzikë Bizantine. Në Ejanina, edhe para se gjuha shqipe të futet zyrtarisht në meshë (1968), ajo tashmë ishte kënduar në shqip! Në Ejaninë, këngët bizantine, greke dhe shqiptare janë të pranishme në çdo funksion liturgjik.

Atë Emanuele i ka ushqyer personalisht dhe me dashuri, duke mësuar katekizëm, këngë dhe gjuhë shqipe.

Por atë Emanuele Giordano nuk është i denjë vetëm në fushën fetare. Ai gjithashtu ka merita, midis të gjithë talenteve të tij, në fushën kulturore shqiptare. Djali i prindërve me damar poetik spontan dhe gjysh i madh i Bilotta, atë Emanuele tashmë në 1957 botoi një broshurë, “Folklor Shqiptar në Itali”, në lidhje me traditat e Pashkëve të Frascineto. Dhe prej andej ai filloi të kontribuojë në revistën e Koliqit, “Shejzat” dhe në revistën “Zgjimi” të Albino Greco, me poezi, romane dhe shkrime të ndryshme. Më 1963 ai botoi, përmes Edizioni Paoline, veprën që do ta bënte të famshëm, “Fjalorin e Arbëreshvet t’Italisë” (Fjalori i Shqiptarëve të Italisë).

Lexo më shumë  Dhjetë këshillat e Ukshin Hotit për shqiptarët

Më 1966 ai shkoi në Tiranë, i ftuar nga Universiteti, ku mbajti konferenca për Bilotta dhe ku takoi gjuhëtarët dhe figurat letrare më të rëndësishme shqiptare, me disa prej të cilëve do të mbante, me kalimin e viteve, një korrespondencë interesante epistolare. Në vitin 1967, akoma në Shqipëri, ai botoi veprën e Bilotta “Shpata e Skënderbekut ndë Dibrët Poshtë” (Shpata e Skënderbeut në Dibrën e Poshtme). Nga viti 1972, dhe për dymbëdhjetë vjet, ai drejtoi revistën kulturore “Zëri i Arbëreshvet” (Zëri i Shqiptarëve të Italisë), në të cilën botoi artikuj gjuhësorë, historikë dhe letrar, poezi, recensione, këngë popullore, fjalë të urta, komente; si dhe komedinë “Dorëngushti” (Koprraci) e Molièrit, e kondensuar, e rishikuar dhe e përkthyer prej tij në shqip. Ai u kthye në Shqipëri në ’93, si turist dhe në ’94, për arsye fetare.

Gjithmonë në fushën kulturore shqiptare, At Giordano ka botuar, në vitin 2000, Botimin e Dytë të “Fjalorit” të tij, si dhe – nga Eparkia e Lungro – “Vangjeli i Shën Matesë” (Ungjilli) e Shën Mateut) e përkthyer në Arbëresh: me ndihmën e nipit të tij, profesorit Agostino Giordano. Gjithashtu në vitin 2000, atë Giordano ka kontribuar, me autorë të tjerë, në krijimin dhe prodhimin e veprës “Alfabetizzazione Arbëreshe” – redaktuar nga Shoqata AIADI e Lungro – që do të shpërndahet lirshëm për të gjithë të rinjtë e komuniteteve Arbëreshe të Italisë, të cilët ndjekin gramatikën dhe shkollën e mesme.”

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *