Opinion/Aktualitet

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Samitin e Berlinit

Nga Ola Xama

Sot Shqipëria ka kënaqësinë të mirëpresë për herë të dytë Samitin e Berlinit në Tiranë. Kjo tregon jo vetëm se sa të aftë jemi në aspektin e sigurisë për të zhvilluar mbledhje të tilla, por dhe sa të angazhuar jemi për të hyrë në rrugën europiane pas dhjetra vjetësh përgatitjesh e reformash.

Të nderuar pjesëmarrës, tema e sesionit të parë ka të bëjë me integrimin e rajonit në një treg të vetëm dhe më pas integrimin e tij në atë të Bashkimit Europian. Më lejoni të tregoj shkurtimisht se si Shqipëria ka arritur brenda pak vitesh ta realizojë këtë njehsim këtu, për t’iu vërtetuar se jemi tërësisht të aftë të integrohemi jo vetëm në rajon por dhe në BE.

Vitet e fundit ne kemi arritur të sigurojmë një bashkëveprim të jashtëzakonshëm mes kompanive që bëjnë biznes këtu pa patur asnjë problem dhe përplasje. Në Tiranë kemi lënë disa kompani që të kenë eksluzivitetin të ndërtojnë kulla, disa për pallate e rezidenca banimi e disa për komplekese me vila. Dy – tre firma të tjera i kemi lënë që të bëjnë kulla hotel, disave iu falëm taksat dhe disave tokë, të gjithë të kënaqur dhe çdo gjë me konsensus. Këta të hoteleve kanë dhe të drejtë ligjore të kenë kazino, por licencat nuk ia kemi lënë atyre por dy-tre të tjerëve.

Te rrugët qeveria ka investuar një buxhet shumë të lartë në dy mandatet e fundit. Dhe këtu gara është e pastër dhe efiçente. Ne nuk mundojmë biznesin me kosto në kohë dhe para për përgatitjen e dokumentacionit, por shpallim kriteret dhe ata e kuptojnë se kujt i takon. Kemi specializuar dhe rritur kompani për autostrada, disa për ura, ca për tunele, rrugë rurale, asfalt, me pak fjalë ka për të gjithë.

Edhe te nafta tregun e kemi konkurrent, plot 5 kompani që dominojnë në pjesën e furnzimit me shumicë. Që kostot te konsumatori të transmetohen sa më të ulta, i kemi dhënë dhe pakicën bashkë me portet për ngarkim- shkarkimin e lëndëve në mënyrë që të mos mbajnë disa duar fitime dhe të abuzojnë në dëm të qytetarëve. Është e vërtetë që ka patur protesta dhe shqetësime për çmimet e larta dhe ne kemi patur vullnetin ta hetojmë. Autoriteti i Konkurrencës ka investiguar dhe ka arritur në konkluzionin se nuk ka as oligopol dhe as abuzim.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Si te ky treg kemi në vëmendje dhe atë të miellit, vajit, sheqerit, prodhimit të betonit, ilaçeve etj. Kemi lejuar pjesëmarrjen e kompanive nga e gjithë bota, dhe e dini ç’ka ndodhur? Konkurrenca e lartë ka arritur që të fiksojë çmimet. Nuk ka askush arsye të lodhet e të kërkojë në dhjetë vende për të blerë gjërat bazike siç sorrollaten qytetarët europianë.

Me mund ne kemi arritur të afrojmë dhjetra kompani të huaja në Shqipëri, që nga lindja e largët në Kinë, për të shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Qipro, ishujt Kajman e deri në Delaware të SHBA-ve. Të huajt dominojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, prodhimin e naftës, energjinë, telekomunikacionin, portet dhe bankat. Jemi në tentativa për të zbuluar në këto vende dhe krahë të kualifikuar pune për tregun tonë gjithnjë e në rritje.

Me ndihmën e sipërmarrësve tanë kemi arritur të ndërtojmë themelet për zhvillimin e ekonomisë në të ardhmen, duke u përqëndruar te sektori i turizmit. Edhe këtu çdo gjë e kemi ndarë me konsensus dhe pa hatërmbetje. Në Dhërmi po ndërtojnë një pjesë, në Palasë një tjetër dhe në fshatin lart një tjetër. Që të kenë para për investime, qeveria i ka dhënë dhe disa punë publike që ndihmojnë ata, komunitetin dhe infrastrukturën për turistët. Të gjithë janë të kënaqur. Kush me porte, kush me aeroporte, kush me rrugë e kush me kulla, ekonomia po zhvillohet dhe ecën përpara!

Shumë shkurt do të ndalesha te investimet dhe rritja e gjelbër. Jo vetëm ne si qeveri, por dhe ato të shkuara kanë qenë konsistente për të mbështetur këto politika. Kemi prishur qindra fabrika e uzina që ndotnin mjedisin të trashëguara nga e shkuara dhe së fundi qeveria Rama arriti të shkrijë rafinerinë e përpunimit të naftës në Ballsh, për të ndërtuar një park që prodhon energji nga dielli.

Thënë këtë nuk do të thotë se ne do të mbetemi të pazhvilluar nga bota. Ka kulla në New York do të ketë dhe në Tiranë, ka vila në Marbella do të ketë dhe në Vlorë, ka pallate në Miami do të ketë dhe në Sarandë e Durrës. Do të bëjmë dhe aeroport që të vijnë turistët dhe rrugë e tunele siç i keni bërë ju. Se ju i bëtë, pastaj thatë duam mjedisin, tani na lini t’i bëjmë dhe ne dhe do themi dhe ne që e duam mjedisin!

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Në fund diskutimet do të jenë për tranzicionin digjital, pikë kjo ku ne kemi arritur shumë dhe që pa frikë e them që ju kemi kaluar dhe juve. Unë jam në mandatin e tretë në krye të Shqipërisë dhe një pjesë e mirë e punës dhe komunikimit publik është shprehur përmes përdorimit të platformave digjitale.

Për çdo vendim që marr e komunikoj me publikun dhe e pyes përmes një platforme të quajtur “Këshillimi Kombëtar”, duke realizuar modelin e demokracisë të drejtpërdrejtë për herë të parë që nga koha e Greqisë së lashtë. Përditë dal në mediat kombëtare dhe lokale për t’i sqaruar dhe shpejguar qytetarët për punën që bën qeveria për ta. Për më të rinjtë ne jemi kudo dhe komunikojmë në rrjete sociale me një skuadër të madhe nëpunësish publikë.

Projektet i prezantojmë gjithnjë me figurë dhe video madje përpara se të përfundojnë, në mënyrë që publiku të njihet me to. Kur projektet nuk mbarojnë në kohë, videot dhe punimet 3D i krijojnë idenë se po i përdorin veprat dhe po përfitojnë nga asetet publike. Këtë model tashmë nuk e kemi shtrirë vetëm në objekte të caktuara, si rrugë, shkolla, porte, shëtitore, por dhe në krijimin e bindjes dhe perceptimit se po përjetojmë zhvillim, siç ishte krijimi i boom-it turistik këtë vit. Këtë e bëmë që njerzit të investojnë dhe blejnë në këtë industri sepse duhet krijuar njëherë mendimi, që pastaj të vijë veprimi.

Unë ju falenderoj që keni ardhur në vendin tonë dhe ju kërkoj ndjesë që e zgjata sepse zakonisht jam fjalëpak e punëshumë. Në emër të qytetarëve e sidomos të banorëve të kryeqytetit, dua t’iu shpreh mirënjohjen e jashtëzakonshme që jeni në Shqipëri. Se sa e duan shqiptarët Europën, këtë e tregon më së miri fakti që sot ata kanë vendosur të mos dalin nga shtëpitë në mënyrë që të lehtësojnë punën e samitit dhe të rrinë të gozhduar përpara televizorit për të ndjekur punimet. Se sa e do qeveria Europën këtë e tregon më së miri puna që ju rendita më lart!

Faleminderit!

*krijim i gazetares Ola Xama

Rruga Press

YouTube player