BallinaEditorial

Fizika Kuantike dhe Kuvendi i Kosovës

Nga Elvis Hoxha

Gjykata Kushtetuese duhet të marrë vendim nëse Arifi është ne burg, apo është deputet. Nëse qenia e tij në burg zhbën tërë jetën e tij parlamentare, atëherë le të merret vendimi i duhur që ai është i burgosur e jo deputet. Përndryshe, do të duhet të pranojmë ekzistencën kuantike të Arifit, në thyerje të ligjeve të identitetit fizik të ketij personi. I dyfishtë si natyra e dritës edhe personi Arifi.Gjykata Kushtetuese nuk do të jetë më mbrojtësja e rendit kushtetues, por ajo e rendit kuantik. Nobeli do t’i jepet kësaj Gjykate për evidentimin në fizikën makroskopike të efekteve në largësi, ngjashëm me teorinë e Aspektit dhe tezën e famshme të Louis de Broglie. Por turpi do t’i njihet në historinë politike të Kosovës, si ajo që shpall se i burgosuri, pra ai që është i mënjanuar nga jeta publike, merr vendime në vendin më të lartë të politikës, në vendin më publik të saj, në Kuvendin e Republikës.

Ne e njohim Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ajo mund të na habisë. Mund të na thotë se Arifi mund të qëndrojë deputet deri në fund të mandatit të tij. Nëse ndodh kjo, atëherë Arifi nuk duhet ta shlyejë kurrë dënimin e tij. Në këtë rast GjK ka hapur një mundësi të re për çdo kriminel. Po i propozon një zgjidhje: nëse nuk do të besh burg, bëhu deputet.

Pra, pasi i tha popullit ashtu si Isa Mustafa, se nuk është qytetari që përcakton pushtetin, tani mund të pranojë edhe instalimin e një stadi të dytë të kancerizimit të institucioneve, atë të shndërrimit të Kuvendit me vetëdije të plotë në qendër riedukimi.

YouTube player