Opinion/Aktualitet

Fitorja e hidhur e zgjedhjeve të 14 majit

Nga Albert Vataj

Kjo është harta e rezultateve zgjedhore të Shqipërisë së pas 32 viteve të ashtuquajtura demokraci. Këtë fitore të bujshme të Partisë Socialiste në zgjedhjet për Pushtetin Vendor, të 14 majit 2023, edhe Enver Hoxha do të kishte zili. Gjithçka Edi Rama e arriti pa nevojën e një makineri shtypëse dhe diktati despotik, junte ushtarake, apo polici sekrete, pa dhunë dhe shantazhe, larg çdo kryqëzate apo gjuetie shtrigash.

PS kulmoi lart, shumë lart me ambicien e saj politike, me këngë e valle. Pas këtij masivizmi mavi, edhe pse teorikisht ky tregues na rikthen në diktaturë, shqiptarët e duan demokracinë, aq sa të heqin dorë vullnetlirë prej saj.

Se cilës teori t’i besoj që çoi në këtë përvojë zgjedhore të pagjasë në kaq vite postkomunizëm, nuk mund të them me siguri, nëse fitoi “Kompleksi i Stokholmit” apo oportunizmi, por ajo që dihet është se fitoi populli, fitoi sovrani, fitoi vota e lirë, fitoi më i miri.

Gjithëpoaq ky rezultat shastisës ka edhe humbës më shumë se të mundur. Humbësi më i madh i këtyre zgjedhje nuk është opozita e shkalafitur, as Berisha “Non Grata”, apo Meta i Partisë së Lirisë. Askush nuk ka humbur më shumë në këto zgjedhje se sa fituesi.

Kryeministri, Edi Rama, dhe gjithë ato mendjekthjellët të mbetur në Partinë Socialiste, e kuptojnë se kjo fitore është e papërballueshme për ta. Jo vetëm për ta, por edhe për pushtetin më të centralizuar në botë. Kjo fitore është historike për PS-në, por drithëruese për barrën politike që u bie përsipër atyre që u duhet sot të festojnë.

Si arritje është e merituar për socialistët. E bënë të mundur këtë?! me patronazhistë, aktivistë apo veprimtarë, takime e bashkëbisedime, ofrime e sensibilizime, kjo mund të ketë rëndësi partike jo politike. Megjithatë ata i’a dolën, madje shumë më mirë se sa vetë mund ta besonin. Sepse “socialistët janë specialistë” dhe mbeten të tillë në përmbushjen e synimeve të tyre, edhe pas profecisë së kahershme të Pjetër Arbnorit.

Gjithsesi ky rezultat, më shumë se fitore e të fortit, fitore e makinerisë shtetërore, është fryt i një punë të palodhur dhe përkushtimi, diku-diku edhe i imponuar nga kamzhiku shfave punëdhënës dhe të përulurve “miritokratë”.

Ishte dhe shënjoi si një fitore dhe një organizimi perfekt makiavelist. Kandidatët s’patën nevojë për projekte dhe premtime elektorale, sepse zgjedhësi e di tashme se çfarë mund të përfitojë dhe si do të shpërblehet. PS thjeshtë duke sharë e anatemuar, sulmuar dhe denigruar opozitën, e cila ishte e humbur që pa hyrë në zgjedhje, arriti fitore të frikshëm.

Kjo edhe falë një kryearsyeje, përçarjen e opozitës, e cila i’a bëri më të lehtë socialistëve ta bojatisnin mavi Shqipërinë nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. “Divide et impera”, historikisht ka rrëzuar mbretër e perandor, e jo më të telendiste në këtë farë feje “Bashkë Fitojmë”.

Gjithsesi një Shqipëri mavi nuk përbën lajm. As nënshtrimi i Shkodrës nuk është një befasi, pavarësisht rezultatit. As marrja e atyre bashkizave, nuk mund të jetë faktor sensibiliteti politik për opozitën, e cila u duk se pagoi të njëjtin çmim si zgjedhjet e shkuara, kur ajo i bojkotoj ato.

Shqiptarët votëbesuan qeverisjen qendrore, si kumbarit fatsjellës për pushtetit vendor, dhe nuk i kanë bërë aspak keq hesapet, edhe pse flitet e sanksionohet për pavarësi dhe vetvetndosje të qeverisjes vendore. Në fund të fundit, cili do të guxonte aq shumë sa të anonte nga humbësi, dhe popujt përfshi ky i yni, nuk preferojnë të luajnë me zjarrin, sa ç’i pëlqen t’i lajkatohen pushtetit.

Por për pushtetmbajtësit, rikonfirmimi i sundimit edhe të pushtetit vendor, si krejt pushteteve të tjera, është një barrë e rëndë përgjegjësie, më shumë se një triumf politik. Zoti Rama, ballë këtij votëbesimi, politikisht është në një sfidë aspak të lehtë. Gjithmonë nëse sovrani e logjikoi politikisht korrekte, teorikisht drejtë, dhe ekonomikisht saktë, t’i besoi Ramës edhe qeverisjen vendore, paçka se një mal me akuza që rëndojnë mbi maxhorancën, në fund të fundit nuk janë arsye për të mos shpresuar se, fati i të ardhmes hyn nga ajo derë prejku dalin të akuzuar për trafiqe, afera dhe korrupsion.

Shumësia e pushtetmbajtjes as në kushtet e një neglizhence nuk është krejt e lehtë për t’ia dalë. Zoti na ruajt nëse PS vendosë ta marrë seriozisht rezultatin dhe ta trajtojë me korrektësi fitoren dërrmuese, edhe pse ka nxituar t’i sheqerosë deklarata me klishe dhe patetizma.

Gjithsesi unë prirem të besoj se kjo fitore e socialistëve do të lexohet siç duhet, së paku që zhgënjimi i humbësve të mos jetë më i madh se ai i fituesve.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *