Filmi “Shame and Money” i Visar Morinës, premierë botërore në Sundance Film Festival – suksesi përshëndetet ngrohtë edhe nga kryeministri Kurti
Kinematografia kosovare shënon një tjetër arritje të madhe ndërkombëtare. Filmi më i ri artistik i regjisorit Visar Morina, “Shame and Money”, është përzgjedhur për premierën botërore në Sundance Film Festival, një ndër festivalet më prestigjioze të filmit në botë.
Ky është një moment historik, pasi kjo shënon herën e dytë që Morina merr pjesë në kategorinë kryesore në Sundance – një sukses jashtëzakonisht i rrallë për një regjisor nga Kosova.
“Shame and Money” ndjek rrëfimin e një familjeje kosovare që, pasi humbet mjetet e jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në përpjekje për t’u bërë pjesë e shoqërisë hiperkapitaliste të kohës sonë.
Në rolet kryesore shfaqen emra të njohur të aktrimit shqiptar, përfshirë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.
Filmi është prodhuar nga Vicky Bane dhe Schuldenberg Films, ndërsa producentë janë Fabian Altenried, Sophie Ahrens, Kristof Gerega, Pia Hellenthal dhe vetë Visar Morina.
Bashkëprodhimi vjen nga disa kompani të rajonit dhe Evropës si Eagle Eye Films Kosova, Vertigo Ljubljana, On Film Production, List Production dhe Quetzalcoatl.
Filmi është mbështetur nga institucione të rëndësishme kulturore dhe fonde ndërkombëtare, përfshirë Qendrën Kinematografike të Kosovës, Eurimages, German Federal Film Fund, Slovenian Film Centre, North Macedonia Film Agency, si dhe sistemin belg të Tax Shelter.
Lajmin e ka përshëndetur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e ka ndarë njoftimin në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, duke shkruar: “Urime regjisorit Visar Morina, aktorëve dhe gjithë ekipit krijues nga Kosova që po e çojnë punën e tyre në këtë skenë prestigjioze të filmit”.
Biletat për premierën e filmit në Sundance do të dalin në shitje më 14 janar. Të interesuarit mund të marrin më shumë informacion në faqen zyrtare të festivalit: festival.sundance.org ose në profilin zyrtar të festivalit në Instagram.
Rruga Press

