Filmi i vlerësuar ndërkombëtarisht për Srebrenicën s’lejohet të shfaqet në ekranet serbe
Një vit pas publikimit të “Quo Vadis, Aida?”, regjisorja Jasmila Zbaniç ende po përpiqet që filmi i saj për gjenocidin e Srebrenicës të shfaqet në Serbi dhe Republikën Srpska, pavarësisht përpjekjeve të nacionalistëve për ta ndaluar atë.
Regjisorja e “Quo Vadis, Aida?”, Jasmila Zbaniç, ka parë që filmi i saj të vlerësohet me çmime dhe kasti i tij të jetë shënjestër e kërcënimeve, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes gjatë vitit të kaluar, por ajo nuk ka hequr dorë nga përpjekjet e saj për ta shfaqur atë në Serbi dhe entitetin e Republikës Srpska të mbizotëruar nga serbët e Bosnjës.
Zbaniç tha për BIRN se po zhvillohen diskutime të reja për të transmetuar dramën e parë kinematografike për gjenocidin e Srebrenicës bazuar në fakte dhe dëshmi të vërtetuara nga gjykata nga të mbijetuarit në televizionin publik serb RTS ose për ta shfaqur atë në një kinema të madhe në vend.
Ajo shpjegoi se dëshiron që filmi të shfaqet më 11 korrik, datë në të cilën përkujtohet çdo vit gjenocidi i Srebrenicës.
“Unë mendoj se filmi dhe tema që ai trajton e meritojnë këtë dhe mendoj se është koha që njerëzit të shohin se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, tha ajo.
Filmi ka marrë vlerësime të ndryshme, duke përfshirë nominimin si filmi më i mirë ndërkombëtar në Çmimet Oscar, si dhe ka fituar çmimin si filmi më i mirë në European Film Awards. Por një vit pas premierës së tij, ai është shfaqur vetëm një herë në Serbi, në qytetin me shumicë boshnjake të Novi Pazarit dhe vetëm një herë në Republikën Srpska. Si në Serbi ashtu edhe në Republikën Srpska, autoritetet nuk pranojnë që masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës përbënin gjenocid, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
Zbaniç tha se ishte e qartë për të se filmi për përvojat e një përkthyeseje të Kombeve të Bashkuara gjatë rënies së zonës së mbrojtur nga OKB-ja të Srebrenicës në fillim të gjenocidit në korrik 1995 do të haste rezistencë në Republikën Srpska dhe Serbi, por ajo shpresonte se ai të paktën do të shfaqej premierë në kinema si filmi i saj “Grbavica”, një dramë për një përdhunim gjatë luftës, 15 vjet më parë.
“Të paktën ‘Grbavica’ u shfaq një herë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Beograd FEST nën masa jashtëzakonisht të forta sigurie”, tha Zbaniç.
Ajo kujtoi se si policia u desh të ruante grupin e xhirimit, të cilët nuk lejoheshin të dilnin nga hoteli nëse nuk ishin të shoqëruar, dhe se si 200 të rinj u shfaqën për të parandaluar shfaqjen e filmit, të veshur me bluza me fotografi të liderëve ushtarakë dhe politikë serbë të Bosnjës Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç, të cilët më vonë u dënuan për gjenocid në Srebrenicë.
“Por të paktën filmi u shfaq”, tha ajo. “Sot është e pamundur të shfaqet filmi në Serbi, në Beograd. Është e pakëndshme të dish që asgjë nuk ka ndryshuar dhe se situata është akoma më keq se ishte në vitin 2006 kur shfaqëm ‘Grbavica’.”
Zbaniç tha se nuk ka interes në mesin e distributorëve për shfaqjen e filmit në Serbinë e sotme, ku të dënuarit për gjenocid po glorifikohen në publik. Një mural i madh i kriminelit të luftës Mlladiç, i pikturuar nga nacionalistët serbë në Beograd, është lyer në mënyrë të përsëritur pasi aktivistët u përpoqën disa herë ta fshinin ose ta prishnin atë.
Disa kompani distribucioni i thanë BIRN se arsyeja e mos shfaqjes së filmit është se ai tashmë është shfaqur në një platformë online, por Zbaniç këmbënguli se ky është një justifikim.
Ajo kujtoi se si, përpara se filmi të dilte në platformën online, asnjë kompani nuk iu përgjigj telefonatave apo emaileve të saj.
“Folëm me njerëz në Republikën Srpska dhe ata thjesht kanë frikë ta shfaqin filmin. Ata përdorën mungesën e interesit si justifikim, por kjo nuk është e vërtetë, pasi shumë njerëz në Republikën Srpska e kanë parë filmin”, tha ajo.
Aktori Alban Ukaj, i cili luan rolin e një përkthyesi në film, që në fakt ishte puna e tij gjatë luftës në Kosovë, dëshiron që ai të shfaqet në çdo qytet të Republikës Srpska dhe Serbisë, si dhe në televizion.
“Shpresoj që një ditë dikush të jetë mjaftueshëm i fortë dhe i ndershëm dhe të thotë se ka ardhur koha që “Quo Vadis, Aida?” të transmetohet në RTS dy herë në ditë për pesë ditët e ardhshme”, tha Ukaj.
Lot dhe shpresë
Bosnjakë nga Srebrenica të strehuar në një skenë nga filmi. Foto: Deblokada.
Zbaniç tha se filmi filloi të kritikohej në mediat serbe menjëherë pas premierës së tij në Venecia. Kjo u pasua me gjuhë urrejtjeje dhe ofendime drejtuar aktorëve serbë Jasna Djuriciç dhe Boris Isakoviç, të cilët luajnë në film, si në media ashtu edhe në internet.
Për shkak të presioneve që kanë përjetuar gjatë vitit që atëherë, Djuriciç dhe Isakoviç nuk pranuan të flisnin me BIRN për mënyrën se e përballuan këtë gjë.
Zbaniç tha se ajo mendon se fushata e gjuhës së urrejtjes kundër aktorëve ishte organizuar sepse dy serbët “guxuan të flisnin për diçka të tillë”.
“Jasna dhe Boris më thanë se kishin marrë shumë gjëra në Instagram dhe në rrjetet sociale që u desh t’i fshinin. Mendoj se ata nuk i lexuan plotësisht të gjithë mesazhet, por se papritur panë shumë mesazhe që fillonin me mallkime, kështu që ata e dinin se për çfarë bëhej fjalë”, tha ajo.
Disa politikanë të ekstremit të djathtë në Serbi, si kreu i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli, i cili është gjithashtu një kriminel i dënuar lufte, u shfaqën si të ftuar në programet televizive serbe dhe bënë thirrje për ndalimin e filmit, duke thënë se ai e përshkruante popullin serb si autor gjenocidi. “Filmi nuk mund të shfaqet në televizionin publik serb RTS sepse është një film propagandistik anti-serb”, argumentoi Shesheli.
I vetmi vend në Republikën Srpska ku është shfaqur filmi është Qendra Përkujtimore e Srebrenicës, ku u mbajt premiera e tij boshnjake për të rinjtë.
Zbaniç tha se reagimet e forta pozitive ndaj shfaqjes së filmit i dhanë asaj “shpresa të mëdha se gjërat mund të ndryshojnë”.
“Një nga njerëzit e parë që foli në diskutimin pas shfaqjes së filmit ishte një i ri nga Republika Srpska, i cili tha se qau pothuajse gjatë gjithë filmit. Për mua, kjo ishte një gjë e madhe, sepse ai njeri është rritur në një sistem që i ka thënë atij se në Srebrenicë nuk ndodhi gjenocid”, tha ajo.
“Është e rëndësishme të flasim”
Aktorja serbe Jasna Djuriciç në rolin e Aidës në film. Foto: Deblokada.
Darko Cvijetiç, një regjisor, shkrimtar dhe dramaturg nga qyteti i Prijedorit, ku gjithashtu u kryen mizori nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës, tha se ai kishte pasur një përvojë të ngjashme me Zbaniçin kur u përpoq të vinte në skenë një shfaqje të bazuar në romanin e tij “Schindler’s Lift’”, për atë që ndodhi në Prijedor. Shfaqja e tij nuk është vënë në skenë në Prijedor apo në shumicën e qyteteve të tjera në Republika Srpska.
Cvijetiç argumentoi se njerëzit në Republikën Srpska duhet të jenë të sinqertë për atë që ndodhi gjatë luftës.
“Çfarë gjyshi do të bëhesh një ditë? Çfarë do t’i thuash nipit tënd kur të të pyesë: ‘Gjyshi, Çfarë bëre ti atëherë? Ku ishe ti atë vit? Çfarë bëje ti në atë kohë?” tha ai.
“Kjo është pyetja e famshme që djemtë gjermanë u bëjnë prindërve të tyre: ‘Gjysh, ku ishe në atë kohë, në cilën njësi Ëaffen SS dhe në cilin front beteje, dhe a të vjen turp për këtë tani?’”
Zbaniç tha se ajo dëshiron të përdorë shfaqjet e filmit për të nisur një debat të shëndetshëm rreth krimeve të kryera gjatë luftës.
“Mendoj se do të ishte një lloj shërimi që filma të tillë të shfaqen në kine,a, të diskutohet për ta dhe të shihen kritikat negative dhe pozitive”, argumentoi ajo. “Është e rëndësishme të flasim, jo të fshihemi.”/balkaninsight/
RRuga Press