Art & KulturëBallina

Filmi artistik “Tana” i vitit 1958 me regji nga Kristaq Dhamo, në proces restaurimi

Filmi “Tana” i vitit 1958 u prodhua nga Shqipëria Film (më pas Kinostudioja “Shqipëria e Re”).  Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit bën me dije se ka nisur restaurimi i filmit “Tana” me regji nga Kristaq Dhamo, që u shfaq premierë më 17 gusht të vitit 1958. Skenari i filmit është shkruar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi. AQSHF shprehet se restaurimi i filmit “Tana” po bëhet në bashkëpunim me laboratorët Cinegrell, Zyrih dhe PostFactory, Berlin, dhe Ministrisë së Kulturës. AQSHF e bëri me dije lajmin në ditëlindjen e aktores “Nderi i Kombit” Tinka Kurti, që luan në këtë film rolin e Tanës. Restaurimi i filmit të parë artistik shqiptar të vitit 1958 vjen në vijim dhe të disa titujve të tjerë të kinematografisë shqiptare, që i janë nënshtruar procesit të restaurimit në bashkëpunim me të huajt. Në një reagim të tij, kineasti Skënder Jaçe thotë se filmat që janë prodhime të viteve më parë të kinematografisë shqiptare kërkojnë vëmendje për restaurimin e tyre. “Praktika për restaurimin e pelikulës të fondit të artë të kinematografisë ka marrë zhvillim në të gjithë botën. Kështu filloi restaurimi i babait të kinemasë Çaplin. Vetë zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë e kërkon këtë standard. Kështu dhe me kinemanë shqiptare, e cila për shkak të kohës kërkon vëmendje të madhe në restaurimin e fondit filmik për imazhin dhe pistat e zërit”, shprehet kineasti Skënder Jaçe. Disa nga prodhimet e ish Kinostudios dekada më parë, që janë restauruar përmendim dhe filmat “Nëntori i dytë” i vitit 1982 me regji nga Viktor Gjika, “Përrallë nga e kaluara” 1987 dhe “Përjetësi” 1974 me regji nga Dhimitër Anagnosti, “Mimoza llastica” i vitit 1973 me regji nga Xhanfise Keko, etj, pjesë të fondit filmik të AQSHF-së.

Aktorët e filmit

Me regji nga Kristaq Dhamo, muzika e filmit “Tana” është shkruar nga Çesk Zadeja. Ngjarjet në filmin “Tana” zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit. Është një lojë dashurie drejt përparimit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë. Aktorë në filma janë Tinka Kurti -Tana, Naim Frashëri -Stefani, Pjetër Gjoka- gjyshi, Kadri Roshi -Lefter Dhosi, Andon Pano -kryetari i kooperativës, Thimi Filipi -sekretari i partisë, Marie Logoreci -nëna e Stefanit, Ilia Shyti -Lipja, për të vijuar dhe me të tjerë aktorë të njohur në role si Violeta Manushi, Nikolla Panajoti, Melpomeni Çobani, Mihal Stefa, Lazër Filipi, Vani Trako, Pandi Raidhi, Lazër Vlashi, Vangjel Grabocka, Esma Agolli dhe Dhimitër Trajçe. Kristaq Dhamo lindi më 20 prill 1933 në Fier. Mbaruari studimet në Institutin e Lartë kinematografik në Budapest, Hungari. Fillon të punojnë në Film Studio-“Shqipëria e Re”, ku realizohet filmi “Tana” më 1958. Për shumë vite ai ka qenë drejtor artistik në Film Studio. Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale. Filma të tjerë me regji të tij përmendim dhe “Botë e padukshme” (1987), “Vendimi” (1984), “Qortimet e vjeshtës” (1982), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Brazdat” (1973), “Mëngjeze lufte” (1971), “Miqësi revolucionare” (1967), “Ata nuk vdesin” (1966), “Vitet e para” (1965), “Detyrë e posaçme” (1963), etj.

Rruga Press

YouTube player