Fermerët e Maliqit në protestë para bashkisë: Qeveria duhet të kompensojë dëmet nga përmbytjet
Fermerët e prekur nga përmbytjet dhe dëmet e shumta në sektorin bujqësor protestuan sot përpara Bashkisë së Maliqit, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet dhe dëmshpërblim për humbjet e mëdha që kanë pësuar.
Banorët dhe fermerët kanë denoncuar se përmbytjet e fundit kanë shkatërruar prodhimin e tyre, duke lënë shumë familje në pamundësi për të përmbushur nevojat e jetesës.
Ata akuzojnë shtetin për mosveprim dhe kërkojnë që fondet për kompensimin e dëmeve të shpallen sa më shpejt.
Protesta po mbahet nën vëzhgimin e një numri të madh forcash policore, të cilat janë pozicionuar në hyrje të Bashkisë.
Sipas tyre, humbjet e shkaktuara jo vetëm godasin ekonominë familjare, por edhe sektorin bujqësor në përgjithësi, duke rrezikuar sigurinë ushqimore në rajon.
Fermerët paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat derisa të marrin përgjigje konkrete nga shteti për dëmshpërblimet e premtuara.
Rruga Press

