KryesoreLajme

Ferit Hoxha nuk humbet mundësinë për një foto me homologun serb

Nuk ka asgjë më komike se sa të shohësh diplomacinë tonë shtetërore të performojë “beteja të ashpra” me një buzëqeshje vesh më vesh. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nuk e ka humbur rastin për të shkrepur një foto të shpejtë, në këmbë e në nxitim e sipër, me homologun e tij serb, Marko Gjuriç, gjatë Ministerialit në Uashington.

Ndonëse imazhi tregon dy ministra që duken sikur po ndajnë një bisedë miqësore, Hoxha nxitoi të na sqarojë në rrjetin social X se pas asaj buzëqeshjeje të ngrohtë fshiheshin “fjalë të hidhura” dhe qëndrime të prerë.

Sipas postimit të tij, Hoxha i ka ripërsëritur Gjuriçit qëndrimin e prerë të Tiranës zyrtare ndaj deklaratave të fundit të një anëtareje të qeverisë serbe (Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, ministre për Familjen, e cila deklaroi se “po të isha në vend të Millosheviç do të bëja spastrim etnik në Kosovë”).

Lexo më shumë  Mediat zvicerane jehonë skandalit: Si u dhanë 4.2 mln € nga fondi i emergjencave për koncertin e Kanye West!

Në reagimin e tij të shpërndarë, Hoxha shkruan:

“Përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje, retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane.”

Ai e mbyll duke filozofuar mbi natyrën e punës së tij: “Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi”.

Skenari është tashmë i njohur: shtrëngojmë duart e buzëqeshim para objektivit për të treguar “konstruktivitet” dhe “shikim sy më sy” në korridoret e Uashingtonit, ndërsa “shuplakat” dhe tonet e ashpra patriotike i rezervojmë për konsum të brendshëm në platformën X. Një diplomaci e lëngshme ku tensionet rajonale zbuten mrekullisht përpara dritës së blicit.

Lexo më shumë  Paunoviqi ka kompetenca “ta zvogëlojë” numrin e shqiptarëve në Luginë, thotë Kamberi
YouTube player