FBI përforcon provat për përfshirjen e Serbisë në sulmin në Ibër Lepenc
Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Speciale më 9 dhjetor ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut që kishte ndodhur më 29 nëntor 2024, nga juristë e ekspertë të sigurisë po cilësohet si aktakuzë e plotësuar, bazuar në përfshirjen e FBI-së në procesin e hetimeve.
Avokati Ardian Bajraktari, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se Prokuroria Speciale ka vepruar sipas dispozitave ligjore, pasi ligjërisht ngritja e aktakuzës mund të shkojë deri në dy vite, varësisht nga ecuria e hetimeve.
“Fillimisht, Prokuroria Speciale e Kosovës ka vepruar brenda një afati optimal, sepse ka ngritur aktakuzë për pak më tepër se një vit prej se ka ndodhur ngjarja. Fakti që është thënë se në kuadër të procesit hetimor kanë qenë të përfshirë mekanizma, siç është rasti i FBI-së, e bën aktakuzën më të argumentuar, më kualitative dhe do të shihet tutje se si do të veprohet me ecurinë e procesit gjyqësor. Po ashtu, vlen të theksohet që kategoria e veprave penale për të cilat tashmë akuzohen të pandehurit janë vepra relativisht të rënda; shkalla e ndëshkueshmërisë me burgim parashihet deri në pesë vite. Megjithatë, është një procedurë para institucioneve të drejtësisë për ta argumentuar përkatësisht prokuroria, për ta bindur gjykatën që, në raport me të pandehurit, akuzat që rëndojnë mbi ta janë të bazuara”, tha avokati.
Bajraktari nënvizoi se prokuroria ka qenë efikase në trajtimin e rastit dhe në ngritjen e aktakuzës.
“Fakti që dispozitat respektive të Kodit të Procedurës Penale përcaktojnë dy vite mundësi zhvillimi hetimesh, madje në rrethana komplekse, siç besoj se është rasti konkret, edhe me mundësi shtimi të një viti shtesë. Vlerësoj se prokuroria ka qenë efikase në drejtim të trajtimit të këtij rasti dhe ngritjes së aktakuzës brenda afatit optimal. Natyrisht, rastin do ta drejtojë Departamenti Special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës; ata janë përgjegjës për trajtimin e aktakuzave që ngriten nga ana e Prokurorisë Speciale. Po shpresoj që e njëjta do të trajtohet me efikasitetin dhe prioritetin e nevojshëm mbi bazën e dispozitave ligjore, për çka natyrisht se të njëjtit do të argumentohen se kanë qenë përgjegjës dhe të marrin dënimin e merituar në bazë të asaj që përcakton ligji në fuqi”, shtoi Bajraktari.
Drizan Shala, ekspert i sigurisë për Ekonomia Online, tha se shpërthimi në këtë kanal ka pasur qëllim politik dhe qëllim psikologjik.
“Ne kemi vërejtur shenja të qarta edhe pas përfundimit të konfliktit që ndodhi në ditët kritike në Banjskë, ku shteti i Serbisë, përmes formave të ndryshme, përmes kontraktorëve privatë ushtarakë të lidhur me Ëagner-in, si dhe përmes elementeve shtetërorë të Serbisë në aspektin ushtarak, ka ofruar infrastrukturë kritike për të mbështetur një akt terrorist dhe diversionist kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, me synim aneksimin e pjesës veriore. Gjatë gjithë atyre ditëve, institucionet e Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës dhe mekanizmat e inteligjencës, në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtarë, kanë marrë informacione preliminare dhe në kohë reale për të ndërmarrë veprimet e duhura. Sa i përket pyetjes suaj lidhur me sulmin ndaj infrastrukturës kritike, konkretisht ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, një nga elementet kyçe të sigurisë kombëtare, dihet se pjesa dërrmuese e territorit të Kosovës furnizohet nga sistemi i Ujmanit, si për ftohjen e sistemeve të termoelektranave, ashtu edhe për furnizim me ujë të pijshëm. Prandaj, ky akt kishte dy qëllime: Qëllim politik, për të përcjellë mesazhin se strukturat paralele të Serbisë janë të pranishme në veri të Kosovës dhe se ato janë të gatshme të ndërmarrin veprime kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, duke mos e njohur autoritetin e saj. Qëllim psikologjik, për të krijuar pasiguri te qytetarët e Republikës së Kosovës, për t’i trembur ata me mundësinë e veprimeve të tjera të dhunshme dhe për të nxitur pakënaqësi, me synim krijimin e tensioneve të cilat më pas mund të shfrytëzoheshin për qëllime politike. Institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, kanë vepruar në mënyrë të koordinuar për ta parandaluar destabilizimin dhe për t’iu kundërvënë këtyre veprimeve”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut. Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin-Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër-Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhimin e energjisë elektrike. Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kryer dëmtimin me mjet shpërthyes të kanalit që furnizon me ujë për nevoja industriale dhe energjetike, duke rrezikuar sigurinë publike dhe funksionimin e rrjetit strategjik të ujit.
Përveç sulmit terrorist, Prokuroria ka ngritur aktakuzë të veçantë ndaj Jovan Viçentijeviqit, i cili dyshohet se ka vepruar si agjent i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë (VSA), me gradë koloneli.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ai ka mbledhur informacione të klasifikuara për strukturat e sigurisë në Kosovë dhe i ka dorëzuar ato tek zyrtarët serbë përmes takimeve të rregullta në Serbi.
Një nga pikat më të ndjeshme të aktakuzës lidhet me vëzhgimin dhe mbledhjen e të dhënave mbi lëvizjet e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, të cilat, sipas Prokurorisë, Viçentijeviq i kishte dokumentuar dhe dërguar te shërbimet serbe, duke rrezikuar drejtpërdrejt trupat e aleatit kryesor të sigurisë së Kosovës.
Prokuroria thotë se Jovan Viçentijeviq ka:
Fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Jasenovik të Zubin Potokut;
Vëzhguar dhe regjistruar lëvizjet e forcave amerikane të KFOR-it
Siguruar një dokument të klasifikuar prej 66 faqesh për operacione në terren;
Krijuar materiale të manipuluara për të paraqitur ekzistencën e një organizate fiktive anti-kosovare, duke përdorur edhe fotografi të ish-eprorëve të UÇK-së.
Sipas Prokurorisë, përmes këtyre aktiviteteve, i pandehuri ka synuar të krijojë një narrativë të dëmshme për Kosovën në raport me partnerët ndërkombëtarë, duke cenuar rëndë sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit.
Dëmtimi i kanalit “Ibër-Lepenc” është cilësuar nga autoritetet si sulm ndaj infrastrukturës kritike, me pasoja të mundshme energjetike dhe ujore për veri të vendit dhe objektet industriale që varen nga ky kanal.
Të tre të akuzuarit pritet të dalin para gjykatës për t’u përballur me akuzat për sulm terrorist, ndërsa Jovan Viçentijeviq do të gjykohet edhe për veprën e spiunazhit dhe bashkëpunimit me një shërbim të huaj ushtarak.
Rruga Press

