FAQJA E PARË: Platforma diplomatike e çështjes çame

Nga Shaban Murati

Çeshtja çame është një çeshtje e pazgjidhur e çeshtjes së pazgjidhur shqiptare. Ajo është një çështje e pazgjidhur dhe e hapur në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Përgjegjësia për moszgjidhjen e saj të deritanishme ndahet midis shtetit, që e shkaktoi, dhe shtetit, që kishte detyrën kombëtare të kërkimit të zgjidhjes.

Zgjidhja e saj kërkon tani kushtin “sine qua non” të hartimit shtetëror të një platforme diplomatike për çeshtjen çame. Diplomacisë dhe shtetit shqiptar u ka munguar kjo platformë për shkak të dobësive të drejtuesve të tyre, të cilët janë pajtuar me asimetrinë e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Çdo qeveri e Shqipërisë duhet të ketë në programin e saj qeveritar detyrimin kushtetues të zgjidhjes së çeshtjes çame.

Platforma diplomatike kërkon që çeshtja çame të bëhet pjesë e pandarë dhe e vazhdueshme e të gjitha tratativave diplomatike midis dy shteteve. Ka dy faktorë kryesorë, që determinojnë këtë kompozim të ri të marrëdhënieve diplomatike dypalëshe për trajtimin e çeshtjes çame.

Lexo më shumë  G7-ta ndan 600 miliardë dollarë për të rivalizuar projektin kinez ‘Një brez, një rrugë’

Faktori i parë është e drejta sovrane e çdo diplomacie dhe çdo shteti që të ngrejë çeshtjet, që i konsideron të hapura, dhe që duhen trajtuar në marrëdhëniet dypalëshe. Kjo e drejtë nuk varet nga pikëpamja e palës tjetër, që bunkerizohet në absurditetin se nuk ekziston çeshtja çame.

Faktori i dytë është faktori perëndimor. Komisioni Europian, pra qeveria e BE, ka pranuar në 29 shtator 2016 nëpërmjet qendrimit të shprehur në emër të Komisionit në parlamentin europian nga një anëtar i tij, Komisioneri i Lartë i BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, se çeshtja çame ekziston dhe se ajo është çeshtje për t’u zgjidhur në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Ka qenë një zhvillim epokal historik, politik dhe diplomatik ky qendrim i Komisionit Europian, i cili për fat të keq nuk gjeti aplikim nga diplomacia dhe qeveria shqiptare.

Lexo më shumë  Kurti – Lajçak: Qeveria zotohet për dialog parimor e njohje reciproke, si dhe zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë

Arkiva e dobësisë sonë diplomatike dhe shtetërore nuk don të thotë që çeshtja çame nuk duhet shtruar tani në tavolinën e tratativave zyrtare dypalëshe. Ka ardhur koha që çeshtja çame duhet të kalojë nga konferencat e shtypit në bisedimet zyrtare dypalëshe. Rrethanat aktuale diplomatike janë të përshtatëshme.

Së pari, kemi Traktatin e Miqësisë dhe të Sigurisë të vitit 1996, të cilit i skadon në fund të dhjetorit të vitit 2022 afati i shtyrjes pesëvjeçare, që iu bë në vitin 2017, pas mbarimit të afatit të tij kontratual 20 vjeçar. Greqia ka kërkuar shtyrje të re pesëvjeçare 2023- 2028, kërkesë të cilën Shqipëria nuk ka arsye ta pranojë pa pranuar Athina hapjen zyrtare të çeshtjes çame.

Së dyti, është në diskutim e sipër marrëveshja e premtuar Greqisë nga qeveria shqiptare për të paraqitur sëbashku të ashtuquajturën çeshtje të detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Çeshtja çame duhet të bëhet pjesë e kushteve shqiptare për arritjen e një marrëveshje të tillë, për të cilën Greqia është e interesuar aq shumë.

Së treti, kemi çeshtjen artificiale të minoritetit grek, që gëzon të gjitha të drejtat, dhe me të cilën Athina terrorizon prej 30 vitesh diplomacinë dhe shtetin shqiptar në të gjitha nivelet dhe llojet e bisedimeve dypalëshe. Ka ardhur koha që diplomacia dhe shteti shqiptar në bisedimet zyrtare temën e kërkesave greke për minoritetin ta ndërvarin me hapjen e çeshtjes çame.

Platforma diplomatike e çeshtjes çame duhet te ketë një bosht qendror, që është statusi i komunitetit çam të deportuar kolektivisht me dhunë nga tokat dhe pronat e veta në Greqi. Çeshtja çame nuk është çeshtje e pronave, sepse pronat janë një derivat i statusit të çeshtjes çame. Çeshtja çame është çeshtje politike e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, sepse lindi si çeshtje politike dhe në këtë gjenezë qendron pikënisja e zgjidhjes së saj.

Çeshtja çame si çeshtje politike kërkon tërheqien e shtetit grek nga akuzat antiligjore kolektive ndaj një popullsie të tërë. Kërkon që shteti grek të kërkojë falje për deportimin me dhunë të një popullsie të tërë. Kërkon dëmshpërblimin e të gjithë viktimave të terrorit shtetëroro-zervist dhe të dëmeve të shkaktuara në njerzit, në pronat dhe shtëpiat e popullsisë çame atje.

Kërkon rikthimin në trojet e veta, ku kanë jetuar prej dhjetra shekujsh kjo popullsi autoktone e deportuar. Kjo është baza politike e zgjidhjes së çeshtjes çame dhe që përbën themelin e trajtimit diplomatik të saj si pjesë përbërëse e dosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Në platformën dipkomatike të çeshtjes çame qeveria e Shqipërisë duhet të përfshijë disa kërkesa, të cilat i kam rreshtuar edhe në librin tim “Çeshtja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”:

1- Çeshtja çame të përfshihet në çdo lloj amendimi apo shtyrje të re të Traktatit të Miqësisë së viti 1996 midis dy shteteve, dhe të përfshihet nominalisht në “Deklaratën e e re të Partneritetit Strategjik”, që i është propozuar Shqipërisë nga qeveria greke.

2-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke të abrogojë çdo lloj legjislacioni apo aktesh administrative, që mbështesin akuzat e rreme të fajit kolektiv dhe t’i kërkojë falje popullsisë çame për deportimin e saj me forcë.

3-Qeveria shqiptare t’i kërkojë qeverisë greke kthimin e popullsisë çame në trojet dhe në shtëpiat e veta.

4-Qeveria shqiptare të kërkojë nga Greqia që komunitetit çam të dëbuar kolektivisht t’i njihet statusi i pakicës kombëtare në Greqi, të cilin e kanë pranuar qeveritë greke para luftës së dytë botërore.
Dinjiteti kombëtar dhe ndërkombëtar i Shqipërisë sugjerojnë që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një moratorium për të ngrirë të gjitha marrëveshjet dypalëshe, që janë në diskutim e sipër me Greqinë (dhe të cilat çuditërisht janë të gjitha në favor të Greqisë), derisa Athina të heqë ligjin absurd të luftës me Shqipërinë dhe të pranojë tratativat për zgjidhjen e çeshtjes çame.

Për Shqipërinë si anëtare e NATO-s koha dhe zhvillimet e sotme kanë zbehur në minumet e veta vlerën dhe efektin diplomatik të kërcënimit për një veto greke ndaj anëtarësimit në BE.

Platforma diplomatike kërkon ndërkombëtarizimin diplomatik të çeshtjes çame. Është absurde që Shqipëria anëtare e OKB nga viti 1955 dhe anëtare e NATO-s nga viti 2009 dhe anëtare e shumë oganizatave të tjera ndërkombëtare nuk ka ngritur kurrë çeshtjen çame dhe të drejtat e popullsisë çame për t’u kthyer në trojet dhe në pronat e veta në Greqi.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame kërkon nga diplomacia dhe nga qeveria shqiptare sensibilizimin diplomatik dhe informativ ndërkombëtar. Kërkon sigurimin e një përkrahje nga diplomacitë, nga shtetet dhe nga faktori perëndimor dhe ballkanik për zgjidhjen e saj. Komisioni Europian dhe komisioneri Hahn i dhanë diplomacisë dhe qeverisë shqiptare një rast dhe një kartë të artë diplomatike për ndërkombëtarizimin e çeshtjes çame. Nuk ditën dhe nuk deshën ta shfrytëzojnë. Por ajo kartë diplomatike europiane në favor të çeshtjes çame është në fuqi sot e kësaj dite.

Ndërkombëtarizimi i çeshtjes çame është një faktor i rëndësishëm i strategjisë së realizimit të së drejtës së saj.

Ndaj diplomacia dhe qeveria shqiptare duhet të hartojnë dhe të zbatojnë sa më parë një platformë diplomatike të zgjidhjes së çeshtjes çame, pa të cilën nuk mund të ketë normalizim real të marrëdhënieve midis dy shteteve./Dita

Rruga Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.