Lajme

​Familjarët kujtojnë me krenari të rënët në Koshare, rrëfejnë përshëndetjet e fundit

Kosova sot kujton betejën e lavdishme të Koshares ku u thye kufiri shqiptaro-shqiptar. Krerë institucionesh, të partive politike, familjarë dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe për të nderuar jetën dhe veprën e atyre që ranë para 23 vitesh.

Familjarët e të rënëve për liri shprehen krenarë për bijtë e tyre që kanë dhënë jetën për lirinë që gëzon sot populli.

Sabrie Çelaj, nëna e dëshmorit Rifat Çelaj, është shprehur e zhgënjyer nga shteti, pasi që askush nuk i merr parasysh si familje e dëshmorit.

Çelaj: Djali e ka dhënë jetën për liri, por askush nuk po na merr parasysh

“Djali pasi e ka dhënë jetën për liri, nuk jam duke u mërzitur hiç, por s’po na merr askush parasysh… Hiç askush nuk na respekton… Më dhimbset trupi i tij, shkoi i ri, 22-vjet. E para herë që u nis me shku më ka thënë ‘nanë mos u mërzit’, një fjalë të keqe s’ia di”, tha ajo.

Kadë Hajzeraj, nëna e dëshmorit Shaban Hajzeraj, ka kujtuar përshëndetjen e fundit me djalin ku kujton se i a tha që po dilte në luftë “si të gjithë të tjerët”.

Hajzeraj: Më tha ‘pa luftuar s’ka asgjë’

“17-vjet ka qenë djali edhe u dalë qashtu, ka thënë ‘dolën të gjithë, po dalë edhe unë’. I thash, ti po shkon po s’dihet a kthehesh, e më tha ‘nëse jam gjallë kthehem po mos kofsha, ku shkojnë tanë po shkoj edhe unë, pa luftuar s’ka asgjë, edhe shkoi… Kur jena kthyer s’kemi ditë a është i gjallë… Përshëndetja e fundit ka qenë që po dal edhe s’kemi ditë ku po shkon… Këta e kanë çliruar vendin për ne, tash ne po e gëzojmë”, tha ajo.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Ilmi Thaçi, vëllai i heroit Abaz Thaçi, tha se vëllai i është përgjigjur thirrjes për kushtrim të atdheut pa hezituar.

Thaçi: Kur është ardhur kushtrimi i atdheut, iu përgjigj

“Abaz Thaçi ka qenë në mërgim nëntë vite. Kur është ardhur kushtrimi i atdheut, ju ka përgjigj, dhe ka ra dëshmor më 16 maj 1999, në betejën e Koshares”, tha ai.

Mane Sahiti, nëna e dëshmorit Gëzim Sahiti, po ashtu kujtoi bisedën e fundit që e ka bërë me djalin, duke thënë qe i ka pas 25-vjet kur e pa për herë të fundit duke dalë nga shtëpia për t’i dalë zot vendit.

Sahiti: Më tha ‘do vij por nuk e di se qysh vij’

“Kur ka dalë prej shtëpisë, më ka thanë ‘hajde nanë ditën e mirë se po shkoj’. Ku po shkon bre bir, e më tha ‘po dal….’ e më ka thanë ditën e mirë. I thash djali jem hajde, më tha ‘po bre nanë kam me ardh… po se qysh vij nuk e di’, edhe ka kalu e i kam thanë ditën e mirë. Mos rri shumë dhe më tha ‘jo bre nanë se vij, por qysh vij nuk e di… I ka pas 25-vjet kur ka dalë prej shtëpisë… edhe ma nuk e kemi pa, veç kur na ka ardhur lajmi pas 6 muajve”, tha ajo.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Mire Beqiraj, nëna e dëshmorët Izet Beqiraj, tregoi kërkesën e djalit të saj që u kthye nga Zvicra si 19-vjeçar për të luftuar dhe rënë në altarin e lirisë në betejën e lavidshme të Koshares.

Beqiraj: Djali u kthye 19-vjeç prej Zvicrës

“19-vjeç erdhi prej Zvicrës dhe i erdh minuta… Kur kemi shkuar ne në Shqipëri, sepse kemi ik prej këtu, ka ardhur djali dhe i kam thanë, djali jem të dalim në fotografi, ka thanë ‘s’kam fotografi me ty, njëherë për njëherë jam në rrugë timen, pastaj vini nëna, e të gjithë’. Vuajtjet janë të mëdha, kur kemi ardhur e kemi gjet rrafsh me shpi e të gjithë. Por që nuk më është kujtuar shtëpia, njëri djalë në burg e tjetri i vrarë, jeta kështu… Dhembja nuk largohet kurrë, por duhet me qenë dikush për vend të vet. Kam qenë në gjendje, edhe unë, edhe djemtë, të gjithë jemi në gjendje (me ra për liri) veç më ditë vendin tonë ku e kemi”, tha nëna Mire.

Beteja e Kosharese zhvilluar më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *