Lajme

Familjarët e Aleks Nikës kërkojnë nga SPAK hetimin e vrasjes së tij më 21 janar 2011: Politikanët e harruan sapo erdhën në pushtet

Familjarët e Aleks Nikës kërkojnë që çështja e tij t’i kalojë SPAK-u dhe të mos zvarritet më në Prokurorinë e Tiranës. Përmes një deklarate publike, ata shprehen se durimi i tyre po soset, ndërsa nuk e fshehin edhe zhgënjimin për diplomatët e huaj, të cilët i premtuan drejtësi reale pas reformës së sistemit të drejtësisë. Në 21 Janar 2011, opozita socialiste kishte thirrur një protestë, ndërsa protestuesit u përballën me plumbat e Gardës së Republikës, ku krahas Aleks Nikës mbetën të vrarë edhe Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtajt. Të vetmit të dënuar për këtë krim të 12 viteve më parë janë ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg. Vrasja e Aleks Nikës, 12 vite më pas, vijon të mbetet pa autor.

LETRA E PLOTË

Deklaratë publike e familjarëve të Aleks Nikës, i cili u vra më datën 21 Janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Në datë 21 Janar 2023 mbushen 12 vjet nga dita kur në mes të Bulevardit para Kryeministrisë u vra nga Shteti dhe Garda e Republikës, duke demonstruar të paarmatosur dëshmorët e atdheut Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj, si dhe u plagosën nga predha të armëve të zjarrit 6 demonstrues të tjerë.

Ky është një krim shtetëror që e pranon vetë Policia Shqiptare, por që ka munguar vullneti politik për ta zbuluar dhe për të vënë para përgjegjësisë penale dhe dënuar organizatorët urdhërdhënës dhe ekzekutorët e vrasjeve.

Lexo më shumë  Sandulloviq falënderon Osmanin për ngritjen e çështjes së tij në OKB

Për 12 vjet me radhë heshtën Institucioni i Presidentit të Republikës, Parlamenti Shqiptar, Qeveria dhe Drejtësia Shqiptare. Heshti gjithashtu trupi diplomatik në Tiranë, disa ambasadorë premtuan shumë duke na bindur ne familjarëve, se duhet të keni besim te drejtësia e re shqiptare, se autorët do të marrin dënimin e merituar. Por për çudi, ky krim shtetëror nuk konsiderohet se është kompetencë e hetimit nga SPAK dhe mbahet në hetim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kjo ndodh sepse në tërësi vullneti politik për ta zbardhur këtë krim të rëndë deri në momentin që të parashkruhet siç ka ndodhur dhe në shumë raste të tjera për krime të rënda shtetërore ku janë përfshirë politikanë të rëndësishëm dhe i kanë shpëtuar dënimit. Ne kemi kërkuar me insistim që çështja penale t’i kalojë për kompetencë SPAK-ut dhe të hetohet në drejtim të urdhërdhënësve, të atyre që kanë dhënë urdhër për të qëlluar pa asnjë shkak ligjor ndaj demonstruesve në mes të Bulevardit para Kryeministrisë të paarmatosur.

Kjo bëhet me qëllimin e vetëm që të tërë politikanët që janë implikuar në këtë veprimtari kriminale, direkt dhe indirekt, me pasoja shumë të rënda mos të vihen para përgjegjësisë penale. Ne si familje e ndjejmë veten të mashtruar si nga politikanët shqiptarë, ashtu dhe nga trupi diplomatik. Durimi ynë po soset!

Lexo më shumë  UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

Ne kemi detyrimin që të bëhet me çdo kusht drejtësia sepse kemi krijuar bindjen që ekziston urdhërdhënia për të qëlluar me armë zjarri, por nuk ka vullnet politik për të zbuluar organizatorët urdhërdhënës dhe ekzekutorët gardistë të 4 të vrarëve dhe 6 personave të tjerë që u plagosën me armë zjarri ku vrasjet mbetën në tentativë. Ne nuk e shesim apo e tradhtojmë gjakun e të shtrenjtit tonë, Aleksit!

Zbulimi i kësaj veprimtarie kriminale shtetërore nuk është detyrë vetëm e Gjyqësorit të ri të reformuar, por e Presidentit, Parlamentit, Qeverisë që ka në varësi direkte Policinë e Shtetit dhe SHIK, që merren me zbulimin dhe gjurmimin e krimit shtetëror që cenon Sigurinë Kombëtare duke destabilizuar vendin. Ne si familjarë të Aleks Nikës, kërkojmë edhe njëherë që opinioni publik shqiptar të mposhtë mungesën e vullnetit politik të gjithë kësaj klase politike që ushtron presion mbi institucionet e luftës kundër krimit shtetëror, duke bërë që autorët të mos vihen para përgjegjësisë penale dhe të marrin dënimin e merituar.

Edhe Trupi Diplomatik nuk duhet të lejojë që për hir të stabilitetit politik të vendit, drejtësia të mos veprojë. Gjakun e djalit, babait të fëmijëve ne nuk e harrojmë. Politikanët shqiptarë në këto 12 vjet treguan që e harruan sapo erdhën në pushtet. Drejtësia para ligjës duhet të garantohet për të gjithë popullin shqiptar. Reforma në organet e drejtësisë për këtë qëllim u bë!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *