Lajme

Familja zhytet në varfëri ekstreme pasi minatori humbi jetën 8 muaj më parë, gruaja: Kam 3 vajza, marr vetëm 3500 lekë në muaj

Në errësirën e nëntokës, me shpresën për të ndriçuar të ardhmen e tyre, dhjetëra burra futen çdo ditë për të punuar në minierat e kromit në Bulqizë, pa ditur nëse do të dalin gjallë nga aty, e në shumë raste, jeta e tyre nuk mjafton për t’i siguruar një jetë normale familjes.

Ky ishte edhe rasti fatkeq i Fiqiri Karajit, 47-vjeçarit i cili humbi jetën në thellësinë e nëntokës në shkurt të këtij viti, duke lënë pas bashkëshorten dhe 3 vajza.

E sot, mes dhimbjes së humbjes së bashkëshortit, gruaja e tij, Fatbardha detyrohet të përballet çdo ditë edhe me mjerimin e varfërinë ekstreme. ‘Report Tv’ ishte sot në banesën e  kësaj familje që ia dalin me vetëm 35 mijë lekë të vjetra pension që merr vajza e vogël dhe rrogën e Fatbardhës që tregon se ka nisur punë prej një muaji në seleksionimin e kromit. Ajo apelon për ndihmë nga shteti, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë një jetesë normale të bijave.

“Kam 3 vajza, shumë e vështirë jetesa. Kam filluar punë si seleksionuese kromi për të jetuar. Vajzën e vogël e kam të sëmurë, më japin vetëm 35 mijë lekë të vjetra pension. Kushtet ku jetoj unë janë ekstreme. Ajo që na ndodhi mos i ndodhtë as hasmit, jo më  njeriut. Unë kërkoj të vërë dorë shteti, të na ndihmojë”, thotë ajo.

“Burri yt ka vdekur”, këto ishin të vetmet fjalë që Fatbardha dëgjoi në telefon më 24 shkurt kur i dhanë lajmin e kobshëm, e kur kanë kaluar thuajse 8 muaj, ajo ende nuk di asgjë se si iu vra bashkëshorti.

“Askush nuk na ka thënë se si është vrarë, ne nuk dimë asgjë. Mua më kanë thënë vetëm që është vrarë, se si ndodhi unë nuk e di, se si e zuri materiali brenda nuk e di. Nuk e di as nëse prokuroria nisi apo hetimet, asnjë shpjegim nuk më kanë dhënë”, thotë ajo.

Vetëm gjatë vitit 2021, në minierën e Bulqizës kanë humbur jetën 3 minatorë, ku rasti më i fundit është ai i Muharrem Plakut, trupi i të cilit mbeti 5 ditë në errësirën e nëntokës. Ai u bllokua nga një masiv minerali që u shemb, ndërsa për ngjarjen u morën në pyetje inxhinieri i kompanisë ‘KADURTEX’ që kishte në menaxhim galerinë ku ndodhi ngjarja, Veli Losha dhe drejtuesi teknik Saba Hasani.

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

I përlotur, xhaxhai i Fiqiri Karajit, minatorit 47-vjeçar që humbi jetën në minierën e Bulqizës në shkurt të këtij viti, thotë se nuk mori asnjë shpjegim për vdekjen e nipit, i cili la 3 fëmijë jetimë. Për ‘Report Tv’ Gani Karaji ai u shpreh se kushtet e punës në minierë sot janë të vështira dhe se kompanitë private që i kanë në administrim, vetëm po i gërryejnë pa kriter. Sipas tij, në miniera mungojnë inxhinierët e profesionistët.

“Kam punuar 28 vite në minierë. Tani kushtet në miniera janë të vështira, nuk ka më profesionistë, inxhinierë teknikë. Privati vetëm po përfiton, minierat vetëm po gërryhen, është si t’i heqësh shtyllat shtëpisë, a qëndron shtëpia? Jo do rrëzohet. Këtu hyn njeriu në galeri dhe del apo jo nuk mban njeri përgjegjësi. Për nipin nuk na dhanë asnjë shpjegim, tani bashkëshortja e tij ka 3 fëmijë e jeton me 35 mijë lekë të vjetra. Shteti t’i japi ndihmë kësaj familje, janë në rrugë”, shprehet ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *