BallinaKuriozitete

“Falkone është llum!”, kush ishte prokurori i famshëm italian që u vra nga mafia?

Xhovani Falkone ishte një prokuror i njohur italian, i cili i kishte shpallur “luftë” mafias, e cila e ekzekutoi për shkak të detyrës që ai ushtronte. Më 23 maj 1992 në Sicili, gjykatësi më i njohur italian i antimafias, Xhovani Falkone, gruaja e tij dhe tre truprojat vriten nga klani i Koza Nostras, Korleones, me një bombë prej 500 kg lëndë shpërthyese. Falkone ishte simbol i luftëtarit pa kompromis kundër mafias italiane.

Që në hapat e parë të karrierës së tij Falkone ishte i prirë për të hetuar krimet dhe veprimtaritë e strukturave mafioze, sipas një praktike ku duhet të kryente hetime edhe në pasuritë e mirëfillta dhe në ato të depozituara në banka në mbarë botën, duke krijuar një vizion organik lidhjesh, mungesa e të cilave në të shkuarën kishte sjellë një “varg pafajësish” në proceset ndaj kësaj shtrese. Xhovani Falkone në asnjë rast nuk u step në punën e tij nga kërcënimet, shantazhet apo atentatet që mafia italiane kryente ndaj rivalëve apo pjesëtarëve të organeve ligjzbatuese.

Ai ishte një nga pionierët e krijimit të Drejtorisë Kombëtare Antimafia. Falkone ishte personazh i përfolur, nga disa shumë i urryer gjatë jetës dhe shumë i dashur pas vdekjes, një personazh dyshues e i mbyllur, i vendosur e ngulmues. Ai ka luftuar ballë për ballë me të gjitha forcat për të arritur autonominë e tij si hetues në vijën e luftës kundër mafias, dhe sot konsiderohet simboli i luftëtarit pa kompromis.

Shprehja “Fallkone është llum!” lidhet me ish-futbollistin e Juventusit dhe Fiorentinës Fabricio Mikolit, i cili ka marrë detyrën e zv/trajnerit të Dinamos në Shqipëri. Në vitin 2012, një telefonatë e tij me djalin e një prej bosëve më të rrezikshë italianë zbuloi fjalët denigruese të Mikolit në adresë të ish-prokurorit  Xhovani Falkone, i cili ishte vrarë 2o vite para kësaj telefonate në Siçili me bombë në rrugë. Mikoli u sulmua ashpër nga publiku dhe mediat, megjithëse u shfajësua gjatë gjithë kohës.

Rruga Press

YouTube player