Bota

Evropa kërkon t’i përforcojë sanksionet ndaj Rusisë në rast se Trumpi i fiton zgjedhjet

Diplomatët evropianë po përgatiten t’i përforcojnë sanksionet ndaj Rusisë duke parashikuar se një kthim i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mund të minojë përpjekjet perëndimore për ta izoluar Moskën, kanë thënë për Reutersin burime të afërta me diskutimet. 

Bisedimet mes zyrtarëve dhe të dërguarve të BE-së përqendrohen në disa iniciativa për të siguruar që sanksionet evropiane do të mbeten në fuqi për kohë afatgjatë, duke i forcuar ato nëpërmjet zbatimit më të rreptë, edhe nëse Washingtoni ndryshon qëndrim.

Hapat e mundshëm përfshijnë mënyrat për të identifikuar dhe ndaluar dërgesat e dyshimta të mallrave të destinuara për në Rusi dhe kufizime më të gjera të transportit të naftës, kanë thënë burimet, raporton Reuters. 

Lexo më shumë  Gjykata e Hagës shpall në kërkim ndërkombëtar Netanyahun

Ka gjithashtu diskutime për ndryshimin e një kërkese që ngrirja e aseteve të bankës qendrore ruse, sanksioni më i madh perëndimor ndaj Moskës, duhet të rinovohet nga kryeqytetet evropiane çdo gjashtë muaj, kanë deklaruar burimet, të cilat kanë kërkuar të mos përmenden për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Disa shtete anëtare janë duke punuar në idenë e një klauzole që do të aplikohet ose për mallrat e fushëbetejës ose në një spektër më të madh të eksporteve të ndaluara, thanë tre diplomatë të BE-së.
Klauzola do t’i lejonte zyrtarët doganorë të ndalonin dërgesat nëse destinacioni dukej i palogjikshëm, si për shembull kalimi në Rusi për të arritur në vendet e Azisë Qendrore.

Lexo më shumë  Ukraina thotë se Rusia ka nisur një sulm me raketa balistike ndërkontinentale

Përgatitjet janë duke u bërë, në pritje të një ndryshimi në pozicionin e Washingtonit, nëse Trumpi do të zgjidhet president.

Çdo zbutje e sanksioneve nga Washingtoni do ta linte Evropën në një pozitë të vështirë, pasi janë Shtetet e Bashkuara, me fuqi gjithëpërfshirëse, ato që kryesisht zbatojnë rregullat.

Bashkimi Evropian tani po përpiqet të gjejë mjetet e veta për të forcuar zbatimin dhe për të përforcuar kufizimet ndaj Rusisë.

Rruga Press

YouTube player