Event unik, televizoni publik italian flet shqip
Një event i rrallë televiziv është përcjellë gjatë fundjavës së shkuar në televizonin publik italian RAI.
Në kanalin dixhital tokësor RAI 3 është transmetuar komedia “Jeta”, e shkruar dhe e recituar në gjuhën shqipe me nëntituj në gjuhën italiane.
Është ky një eksperiment revolucionar , unik që Radio Televizioni Publik Italian e përcolli mëngjesin e së shtunës 19 dhjetor , me kërkesë të drejtorisë rajonale të Rai KALABRIA.
“Qe një arritje pas shumë vite pune e këmbëngulje me Drejtorinë Qendrore të RAI” ka komentuar drejtori i RAI Calabria, Demetrio Crucitti.
Shfaqja teatrale “Jeta”, është realizuar nga kompania “Il Sipario” e qytezës arbëreshe Spezzano Albanese apo Spixana në gjuhën shqipe, me autor Demetrio Corini i cili është njëherësh dhe regjizori i saj.
Kjo shfaqje sjell historinë e një çifti të moshuar Sisina e Francesco që për 50 vjetorin e martesës së tyre kujtojnë momentet më të bukura të jetës së përbashkët me evente të vështira si ndarja nga jeta e djalit të tyre Giuseppe apo dhe ngjarjet e luftës së parë botërore. E realizuar për herë të parë në vitin 2006, komedi “Jeta” u prit mjaft mirë nga kritika letrare, artistike e historike e kulturës arbëreshe, dhe u konsiderua me një vlerë edukative për brezin e ri italo-arbëreshë.
Komedia u regjistrua në teatrin e Cozenzas nën regjinë televizive të Andrea Recchia. Komuniteti arbëreshë në Itali e priti me mjaft entuziazëm këtë lajm duke e konsideruar “një event të këndshëm televiziv e jetësor sidomos në këtë moment të vështirë të izolimit nga emergjenca kombëtare shëndetësore që ka përfshirë Italinë.”
“Një fitore e grupit të punës së RAI CALABRIA, jo pak e lehtë për t’u arritur e për të cilën punuan me vite” ka deklaruar drejtori i RAI Calabria Demetrio Crucitti.
Shfaqja teatrale “Jeta” u interpretua nga aktorët Adele Marino, Cenzio Barbato, Marco Perri, Martina Pia Gentili etj si dhe nën interpretimin e këngëve arbëreshe nga këngëtarja Emiliana Oriolo.
Rruga Press