Bota

Europa duhet të ulë varësinë nga gazi rus

Opinionet e shprehura në artikujt e kategorisë ‘Pikëpamje’ i përkasin vetëm autorit.

Më në fund, Europa pranoi varësinë që ka nga gazi natyral rus ndërsa çmimet vazhdojnë e rriten. Kjo do të përkeqësohet edhe më shumë me certifikimin e Nord Stream 2, por ka ende kohë për të devijuar këtë fat.

Që nga vendosja e tubacionit të parë në korrik të 2018, Nord Stream 2 ka qenë epiqendra e polemikave. Projekti lidh Rusinë me Gjermaninë përmes detit Baltik dhe furnizon Europën qendrore me55 miliardë metra kub gaz në vit.

Përkrahësit e këtij projekti kanë argumentuar se gazsjellësi do të krijojë mundësi të reja ekonomike për Gjermaninë dhe do të thjeshtësojë ndjeshmërinë që ka Europa qendrore ndaj çështjes ruso-ukrainase dhe ruso-bjelloruse.

Ukraina dhe Bjellorusia kanë tubacione përmes të cilave transportohet gaz drejt Europës qendrore. Në të shkuarën, mosmarrëveshjet e Rusisë dhe këtyre vendeve kanë bërë që Rusia të presë furnizimin.

Gjë e cila, gjatë muajve të dimrit të viteve 2004, 2005 dhe 2009 i la miliona ukrainas, bjellorusë dhe banorë të Europës qendrore pa gaz.

Së fundmi, ata pretendojnë se kjo marrëveshje do të ndreqë marrëdhënien e Rusisë me Europën. Por shenjat paralajmëruese përreth këtij projekti qenë të qarta qysh prej fillimit.

Paralajmërimet për Gjermaninë u shpërfillën

Përpara ndërtimit të Nord Stream 2, Bashkimi Europian importonte 41 për qind të gazit natyral që përdorte nga Rusia. Kur gazsjellësi të përfundojë, eksporti drejt Europës do të rritet, duke betonuar monopolin e energjisë që Rusia ka mbi kontinentin europian.

Kjo do t’i japë rusëve edhe më shumë përparësi ndaj kombeve të Europës, pasi do të mund të kontrollojnë rregullisht çmimin dhe furnizimin me gaz.

Për më tepër, gazsjellësi i mundëson Rusisë një rrugë të drejtpërdrejt në kontinentin europian. Nëse marrëdhëniet ndrydhen sërish, Rusia mund t’i vërë çelësin gazsjellësit, duke lënë miliona persona pa këtë burim natyror.

Një numër i konsiderueshëm zyrtarësh amerikanë dhe europianë e kanë këshilluar Gjermaninë që të tregohet e kujdesshme me Rusinë. Politikanë, punonjës civilë, ekspertë dhe gazetarë kanë theksuar se Nord Stream 2 mund të sjellë pasoja të rënda për Europën.

Ata theksuan se Europa mund të krijojë varësi të madhe ndaj gazit rus, dhe kjo ve në rrezik sigurinë kombëtare, ekonomike dhe energjetike të Europës.

Bob Menendez, kreu i Komitetit për Marrëdhëniet e Jashtme në Senatin amerikan, dhe tetë homologë të tij, nxorën dhe një deklaratë ku i bënin thirrje Gjermanisë të anulonte projektin.

Lexo më shumë  Vulini: Kush mendon keq për Putinin, mendon keq edhe për Vuçiqin

Por, paralajmërimet e tyre u injoruan. Administrata e Biden zgjodhi të heqë disa prej sanksioneve ndaj Nord Stream 2, qeveria gjermane vazhdoi projektin dhe ndërtimi i gazsjellësit përfundoi në shtator të vitit 2021.

Rusia shmang fajin për krizën e gazit

Më pas, Rusia uli eksportin e gazit drejt Europës. Reduktimi solli një rritje të madhe të kërkesës dhe shkaktoi devijime dramatike në çmim.

Gazprom gjithashtu deklaroi se kishte reduktuar furnizimin me gaz nga Bjellorusia drejt BE me 70 për qind. Eksportet e gazit nga Polonia dhe Ukraina drejt Europës qendrore kanë rënë po ashtu.

Por teksa Europa ia hidhte fajin Gazpromit për krizën, Kremlini rrëfente një tjetër histori. Vladimir Putin në fakt fajësonte Europën, duke thënë se politikat e kësaj të fundit për “heqjen e kontratave afatgjatë” ishin problemi themelor.

Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putin, argumentonte se Rusia kishte “përmbushur të gjitha detyrimet sipas kontratave ekzistuese”.

Nënkryetari rus Alexander Novak theksoi se nëse Nord Stream 2 do të certifikohej nga enti rregullator gjerman, atëherë kjo do të “normalizonte çmimet në rritje”.

Këto argumente duhen hedhur poshtë. Kriza e fundit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Rusisë për ta kthyer furnizimin me gaz për Europën në armën e saj.

Si mund të bëhet më e fortë BE

Vendimi për të reduktuar në mënyrë të ngadaltë furnizimin me gaz përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë konfirmoi se Europa ka një varësi të madhe nga gazi rus, dhe sot po vuan pasojat.

Nëse Europa do ta ulte varësinë nga gazi rus, kjo do ta lehtësonte krizën aktuale. Europa mund të përdorë dy strategji për ta arritur këtë.

Së pari, kontinenti mund t’i japë më larmi mënyrës si konsumon energji. Sipas statistikave të BE, 41 për qind e gazit natyral të unionit vjen nga Rusia, 16 për qind nga Norvegjia, 8 për qind nga Algjeria dhe 5 për qind nga Katari.

Nëse BE do ta zgjeronte tregun edhe më tej për të blerë më shumë gaz nga vende si Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara, kjo do të shumëfishonte mundësitë për blerjen e energjisë, duke vënë në vështirësi aftësinë e rusëve për të krijuar monopolin e këtij burimi natyral.

Së dyti, Europa mund të investojë më shumë për energji të ripërtëritshme. Sipas një raporti të ri, vendet që kanë më shumë burime të këtij lloji paguajnë më pak për çmimin e elektricitetit.

Lexo më shumë  Rafineria ruse e naftës pezullon funksionimin pas “sulmit me dronë ukrainas”

I njëjti artikull ve në dukje se energjia e ripërtëritshme prodhoi rreth 40 për qind të elektricitetit në mbarë BE për periudhën janar-qershor të vitit të shkuar, ndërsa lëndët djegëse fosile rreth 34 për qind. Thënë ndryshe, energjia e ripërtëritshme ishte më efikase për të prodhuar energji sesa djegia e lëndëve fosile.

Gjithashtu, BE është zotuar se do të reduktojë emetimet e karbonit me 55 për qind deri në 2030. Nëse ky është me të vërtetë qëllimi i Europës, atëherë duhet të vazhdojë të ndjekë politika të gjelbra.

Jo vetëm që kjo do ta kufizonte varësinë nga gazi, por do të ishte shumë më mirë edhe për ambientin.

Stinë të ftohta dimri kërkojnë veprime vendimtare

Ngjarjet e fundit kanë treguar se kontinenti europian ka një varësi të madhe nga gazi rus. Rritja stratosferike e çmimit të gazit, në paralel me kërkesën e konsumit për të, e kanë ngritur Rusinë në fronin e pushtetit duke e bërë që të diktojë mënyrën si luhet loja në tregun e energjisë.

Nëse Europa redukton varësinë nga gazi rus duke shumëfishuar mënyrat sesi konsumon energji, si dhe të ndjekë politika të gjelbra, kjo do ta çlironte Europën nga kapja prej Rusisë.

Por nëse Europa vazhdon në këtë rrugë, atëherë padyshim që do të mbetet në mëshirë të Rusisë.

Shtoi kësaj edhe faktin që po afron stina e dimrit dhe qytetarët kanë më shumë nevojë për gaz, ngrohje dhe elektricitet.

Varësia e madhe nga gazi natyror, veçanërisht në një dimër që parashikohet të jetë shumë i ftohtë, mund të dobësojë sektorin e energjisë së Europës dhe sigurinë kombëtare, duke e lënë Rusinë komplet të papërmbajtshme.

Bashkimi Europian i shpërfilli paralajmërimet e hershme për gazin rus. Kjo solli krizën aktuale të energjisë dhe do ishte naive po t’i injoronte sërish shenjat e alarmit.

Mark Temnycky është gazetar i pavarur që mbulon Europën lindore. Artikujt e tij janë botuar në New York Times, Forbes, EUobserver, EURACTIV dhe Atlantic Council. Ai ka qenë dhe i ftuar për të folur mbi Çështje të Europës Lindore në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Universitetin e Pitsburgut, Universitetin e Miçiganit dhe Universitetin e Bostonit.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *