Lajme

Eurodeputetët kroatë: Serbia, arsyeja kryesore për jostabilitet në Kosovë

Eurodeputetët kroatë, Ladislav Ilçiq dhe Tomislav Sokol, kanë akuzuar Serbinë për jostabilitet në Kosovë.

Në diskutimin e eurodeputetëve për sulmin e 24 shtatorit në veri, që po mbahet të martën në Parlamentin Evropian, Ilçiq ka thënë se një sulm i ngjashëm si ai i 24 shtatorit në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës ka ndodhur para 30 vjetësh në Kroaci, gjë që ka nxitur luftën.

Tashmë është vërtetuar ajo që kemi thënë shumë herë këtu, Serbia është arsyeja kryesore për jostabilitet në Kosovë. Sulmi ndaj Policisë është akt klasik terrorist dhe z.Borrell e pati mundësinë dhe e tha që ishte i tillë. Të njëjtën e kishin bërë ndaj një polici kroat para 30 vjetëve për të nxitur luftën në Kroaci. Vuçiqit nuk i intereson mirëqenia e njerëzve që jetojnë në Kosovë, ai vetëm dëshiron ta mbajë Kosovën në tension.

Lexo më shumë  Ahmeti: Ka sinjale që masat sanksionues ndaj Kosovës mund të largohen

Ndërkohë, eurodeputeti tjetër nga Kroacia, Tomislav Sokol, ka thënë se politika hegjemonike serbe po vazhdon dhe po e destabilizon Kosovën dhe kjo duhet ndalur.

“Katër të vdekur, ky është rezultat i këtij grupi paramilitar serb, grupi terrorist që ka sulmuar Kosovën. Metodat serbe na përkujtojnë truqet e përgjakshme që kanë ndodhur njëjtë edhe në Kroaci. Nuk ka kurrfarë dyshimi se këto sulme kanë qenë nën mbrojtje dhe organizimin e Serbisë. Kam shpresuar që hegjemonia serbe do të përfundonte, por situata nuk është përmirësuar fare. Kjo politikë hegjemonike serbe po vazhdon dhe po destabilizon Kosovën. Nëse Serbia qëndron pas saj, duhet dënuar”, ka thënë Sokol.

Lexo më shumë  “E pabesueshme, qesharake, absurde…”, reagimet ndaj deklaratës së Borrellit, se mezi pret të punojë me qeverinë e re të Serbisë

Teksa eurodeputeti i Bullgarisë, Andrey Kovatchev, ka thënë se lidershipi serb duhet të zgjedhë ose me Bashkimin Evropian ose me Rusinë.

“Ata që janë përgjegjës për sulmin duhet të vihen para drejtësisë, për të arritur këtë duhet të ketë hetime të thella se kush ka qenë prapa sulmit, kush i ka dhënë urdhrat dhe ku është marrë i gjithë ky armatim. KFOR-i duhet të përforcohet dhe duhet të ketë masa mbrojtëse për të siguruar që një sulm i tillë terrorist të mos ndodhë më. Po e përsëris edhe një herë thirrjen për lidershipin serb që të zgjedhë anën ose me BE-në dhe vendet demokratike ose me Rusinë e Putinit”, është shprehur ai.

Rruga Press

YouTube player