“Është grua me influencë, paraqet rrezikshmëri shoqërore, duhet arrestuar”

Advertisement
Advertisement

Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, me shkresën nr.2106/5, datë 17.10.1978, i propozonte Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestimin e Drita Ahmetit, lindur në vitin 1936 në Shijak, me banim në Tiranë, daktilografiste në Institutin e Historisë dhe Gjeografisë. Në fillim theksohej origjina e prindërve të saj, tregtarë të pasur nga Kruja, të ardhur më vonë në Shijak, të cilët fillimisht ishin marrë me kostume kombëtare e më pas, në vitin 1930 me tregtinë e lëndës së ndërtimit. Nënvizohej se kishin qenë pro regjimit të Zogut, ndërsa gjyshi i Dritës ishte baxhanak me Mustafa Krujën. Fillimisht raporti ndalej në aspektin biografik:

“Mbas çlirimit të vendit tonë, familja e Dritës u prek rëndë nga reformat e pushtetit popullor, ku u shtetëzua dyqani, gjithë malli dhe u tatua. Në këtë kohë gjyshi i saj Muharremi, i cili ishte kryefamiljar, është arrestuar dhe dënuar për fshehje floriri. Mbas shtetëzimit të pasurisë, babai i saj ka punuar si teknik lëkurash deri sa ka dalë në pension. Aktualisht në Shijak ajo ka tre vëllezër, një arsimtar, një shofer dhe një magazinier. Një hallë të saj e ka të martuar me Tefik Kalleshin në Tiranë, ish-oficer në regjimin e Zogut dhe mbas çlirimit dënuar për aktivitet armiqësor”. Bashkëshorti i Dritës, Sulejman Ahmeti, ishte nga Vuthaj dhe punonte si përkthyes i lajmeve në Radio Tirana

Drita, nënë e tre fëmijëve të moshave 14-18 vjeç, ishte marrë në përpunim aktiv 2A më 13.6.1978. Në drejtim të saj kishin raportuar agjenti “Shkëlzeni” dhe informatori “Vullnetari”.

Advertisement

-Agjenti “Shkëlzeni” raportonte se ndër të tjera Drita ishte shprehur:

“Vendi ynë ka mbetur i prapambetur si në periudhën e komunitetit primitiv. Rinia këtu nuk ka liri veprimi. Ajo është e mbyllur. Rinia do që të ketë liri veprimi, por vetëm kur të vdesë udhëheqja e tanishme, por ata do jetojnë gjatë…Këtu jemi mbyllur si në kafaz dhe nuk marrim vesh asgjë se çfarë ndodh në botë se programi i televizionit tonë është shumë i varfër. Rinia si rezultat nuk ka çfarë të shohë dhe të kuptojë, ajo merret vetëm me punë, ndërsa me argëtim nuk merret fare se këta e mbajnë gjithnjë të ndrydhur.

Lexo më shumë  Kryeministri i Shqipërisë që përfundoi duke pastruar pusetat dhe ujërat e zeza

Kjo nuk është ushtri popullore, siç e paraqesin këta, por ushtri fashiste, ajo nuk mbron interesat e popullit, por të udhëheqjes. Enver Hoxha u plak dhe mbaroi. Tani atë nuk e pyet kush”.

-Informatori “Vullnetari”, raportonte se ndër të tjera Drita ishte shprehur:

“Eh si e kalova ditën në punë, pa asnjë variacion. Hamë, punojmë, flemë. Tërë java kështu kalon. S’kemi ç’bëjmë”.

Ngjitur me këto raporte lidheshin edhe dy denoncime të qytetarëve Isa Mulosmani dhe Rabihane Bujari, të cilat do përdoreshin për të proceduar ligjërisht arrestimin. I pari thoshte ndër të tjera se Drita ishte shprehur se nuk kishin bukë për të ngrënë dhe tjetra se Drita shihte televizionet e huaja.

Raporti i nënshkruar nga zëvendësdrejtori i Punëve të Brendshme në Tiranë, mbyllej me këto fjalë: “Siç shihet nga materiali i sipërm, rezulton se Drita Ahmeti është në pozita krejtësisht armiqësore dhe zhvillon agjitacion e propagandë kundër partisë dhe pushtetit tonë. Lënia e saj e lirë, paraqet rrezikshmëri shoqërore se Drita është grua me influencë, ka rreth të gjerë shoqëror dhe i dëgjohet fjala në radhët e elementëve me përbërje të keqe. Prandaj me qëllim që të ndërpresim këtë aktivitet armiqësor, propozojmë arrestimin e saj. Pas arrestimit, ka mundësi që të thërrasim edhe persona të tjerë për t’u marrë në proces. Bashkëlidhur ju dërgojmë dosjen formulare të Drita Ahmetit, biografinë e saj, dy proceseve kallëzimi dhe certifikatën familjare”.

Lexo më shumë  Avokati që firmosi Pavarësinë e Shqipërisë, por vdiq në burg nga torturat e komunizmit
Advertisement

Çështja u studiua shpejt. Me shkresën nr.738/1, datë 20.10.1978 të Drejtorisë së Hetuesisë në MPB, i dërgoheshin Degës së Hetuesisë në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, miratimet e arrestimeve të miratuara nga prokurori i Përgjithshëm, si dhe dosjet formularë të tyre, përkatësisht të Drita Ahmetit, Asamble Hatibit dhe Kristaq Mënikut.

Drejtori Elham Gjika porosiste: “Me të pandehurit të punohet intensivisht në hetuesi, me qëllim që të vihen në pozita pohimi, mbasi sipas të dhënave agjenturiale kanë zhvilluar veprimtari të mprehtë armiqësore në drejtim të udhëheqjes së partisë e të shtetit”.

Drita u arrestua më 19.10.1978. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë. Gjykata artikulonte materialet e sipërme të përgatitura nga Hetuesia e Sigurimi, në të cilat ajo ishte shprehur për gjendjen e keqe në vend, e “influencuar nga ideologjia borgjeze-revizioniste”. Në fund, gjykata mbyllte arsyetimin e saj kështu:

“Në masën e dënimit gjykata ka parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprës, e cila drejtohet kundër shtetit të diktaturës së proletariatit. Ndërsa për personalitetin e saj ka parasysh se në veprimtarinë e saj ka dashur të minojë e dobësojë sistemin e diktaturës së proletariatit”.

Gjykata e Rrethit Tiranë, e drejtuar nga Leonora Panda, me pjesëmarrjen e prokurores Afroviti Gjebero, me vendimin nr.77, datë 5.3.1979, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie dhe me pagimin e shpenzimeve gjyqësore. U lirua nga burgu më 15.11.1982./Kujto.al

Rruga Press

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.