Escobar: SHBA-ja e përkrah “Ballkanin e Hapur”, duhet të përfshihen 6 shtetet në nivel të njëjtë
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA-ja e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”, por me disa kushte.
Gjatë fjalimit të tij nëpërmjet një videolidhjeje, Escobar, ka bërë disa propozime, ndërsa ka thënë se nëse kjo iniciativë është e suksesshme atëherë duhet të jetë e hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që të përfshihen në nivel të njëjtë.
“SHBA-ja e përkrah Ballkanin e Hapur. Duhet punuar jo vetëm në bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe në bashkëpunim për integrim në struktura evropiane. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. Ballkani i Hapur është një nga këto iniciativa. E afron rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, tha Escobar.
Përfshirja e të 6 shteteve në nivel të njejtë presupozon njohje të ndërsjelltë mes të 6 shteteve ndër vete, gjë që Serbia e Kosova akoma nuk e kanë me njera-tjetrën, e kjo për shkak të Serbisë që akoma e njeh Kosovën si pjese të veten integrale.
Escobar ka thënë se SHBA-ja e sheh Ballkanin Perëndimor nga prizmi i shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të. Ai ka vlerësuar se mundësitë janë shumë të mëdha në Ballkan Perëndimor. Escobar ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, ndërsa ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse, qendër e gazit natyror, e të ndihmojë Evropën të lirohet nga varshmëria nga gazi rus.
“Ballkanin e Hapur” e ka quajtur iniciativë shumë të mirë, ndërsa ka propozuar që të ketë bashkëpunim edhe me iniciativa tjera që ekzistojnë në rajon.
“E kuptoni se nuk do të bëhet duplifikim i punëve, por integrim më i mirë”, tha Escobar.
Ai ka thënë po ashtu se liderët duhet të punojnë për të krijuar kushte më të mira për investuesit. Për të ndihmuar investuesit që dëshirojnë të punojnë në përputhje me ligjet.
“Më në fund ju mbështet që kjo iniciativë të jetë ekonomike, nuk është projekt politik, por i rëndësishëm ekonomik, e me rëndësi edhe të ngelet ashtu. Të fokusohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit”, tha Escobar.
Ai ka premtuar përkrahjen e SHBA-së në luftën kundër shpëlarjes së parave dhe rritjen e standardeve në pikëkalimet kufitare me teknologjitë më të larta që i ka në dispozicion.
Rruga Press