EditorialKryesore

Erion Braçe, grumbulluesi i votave nën kosto

Deputeti i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Erion Braçe, ka marrë përsipër një barrë e cila nuk është e rëndë, aq sa është e shpërhapur dhe e shkapërdredhur sa ai të mundet ta mbajë në unitet atë vetëm përmes gjysmë të vërtetave që thotë, nga njëra anë dhe mashtrimeve të plota, në anën tjetër.

Por edhe ai vetë në pozicionin ku gjendet është po aq i shkapërderdhur sa barra që pretendon të mbajë: Ai është një deputet i partisë që aktualisht ndodhet në vitin e nëntë të qeverisjes, ku deri para një viti ai vetë ka qenë zv. kryeministër. Dhe po ky person po performon zhurmshëm opozitarin pasionant, gjithnjë duke qenë brenda partisë në pushtet, me mbipushtet dhe që abuzon në mënyrë konsistente me të.

Ai i ka dhënë vetes rolin (apo të tjerë ia kanë dhënë atij?) e partizanit të bujqësisë, të mbrojtjes së prodhuesve, fermerëve. Deri këtu puna qëndron vërtet mirë…por sikur vërtet të ishte kështu.

Ka zgjedhur jo vetëm “të mbrojë fermerët”, por “t’i mbrojë ata” prej “përbindëshave”. Domosdo që ne do kujtojmë se këta përbindësha janë vetë qeveria e tij, kryeministri i tij, vetëm për arsye të:

1. Skemave të dështuara të subvencionimit të naftës

2. Vjedhja e pjesës më të madhe të fondit të naftës

3. Ulja e përqindjes që zë buxhetimi i bujqësisë në shpërndarjen vjetore të buxhetit të PBB-së

4. Mungesa e agjensive shtetërore që bëjnë studimin e tregut

5. Orientimin e fermerëve rreth asaj se çfarë i duhet tregut dhe me çfarë është i mbingarkuar tregu, prej këtyre agjensive bazuar në studimet e kryera

6. Mosndryshimi i qasjes që qeveria ka ndaj prodhimit dhe bujqësisë, pavarësisht se rajoni e ka bërë një gjë të tillë pas krizës së Covid-19, krizës globale energjitike dhe luftës Rusi-Ukrainë

7. Pafuqia dhe mungesa e vullnetit të qeverisë së partisë së Braçes që të bëjë diçka me faktin se 90% e tregut të fruta-perimeve në Shqipëri është joformal

8. Rendimenti i dobët e sektorit të bujqësisë pas uljes së buxhetimit shtetëror

9. Skemat e paplota të subvencionimit

10. Mungesa e bursës për fruta-perimet, që garanton transparencë midis fermerëve dhe grumbulluesve

11. Bujqësi kaotike, pa kontrata

12. Gjëma që do pllakosë bujqësinë dhe prodhimin e brendshëm si efekt i Ballkani të Hapur

Por, jo. Për Erion Braçen përbindëshat e bujqësisë shqiptare janë grumbulluesit. Ata të cilët, pa ndihmën e shtetit dhe pa strategji të përpiluar prej këtij, e bëjnë vetë, duke u sajuar, atë që do duhej ta organizonte qeveria e z. Braçe dhe ai vetë kur ishte zv. kryeministër. Këta përbindësha që Braçe na i paraqet si të tillë, janë ata që çojnë prodhimin shqiptar jashtë në rajon, por edhe më gjerë në Evropë. Nëse Braçe do duhej të bënte diçka, ajo do duhej të ishte falenderimi ndaj këtyre eksportuesve, sepse këta po ndihmojnë prodhimin në Shqipëri në një kohë kur kjo qeveri po e shpie drejt zhdukjes këtë prodhim nga paaftësia e saj dhe me import që zëvendëson produktin e brendshëm të prodhueshëm fare lehtë.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Ai dhe të tjerë duhet të flasin më shumë për atë se si fermerëve u mungon orientimi se çfarë të mbjellin, për ofertën që është më e madhe se kërkesa një vit dhe kërkesa më e madhe se oferta vitin tjetër, tregu i lënë në dorë të rastësisë. Pastaj kur ka mbiprodhim, qeveria e Braçes nuk subvencionon siç duhet duke blerë mallin e tepërt, por falimentimin ia lë prodhuesit. Pasi nuk e ka orientuar se çfarë duhet të prodhojë dhe pasi tregu është tejmbushur me shalqi, çmimi i tij bie dhe bashkë me çmimin edhe fermeri që nuk do rimbursohet për këtë katastrofë të mbiprodhimit, si pasojë e paaftësisë përllogaritëse të insitucioneve perkatese të tregut.

Fajin e kësaj krize Braçe nuk ia akordon qeverisë së tij, por grumbulluesve. Ai e di shumë mirë se grumbulluesit nuk do hanë vetë gjithë ato tonë shalqinj, por do i eksportojnë dhe me sa duket tregu i brendshëm dhe i jashtëm është i tejngopur; prandaj dhe çmimi bie. Këtë z. Braçe e di shumë mirë, por nuk do ta thotë plotësisht. Dëshiron që duke kritikuar, qeverinë dhe grumbulluesit, kritikën qeverisë t’ia bëjë periferike, pra e shpëton, kurse grumbulluesit i kryqëzon, pavarësisht se ata nuk kanë as edhe një përgjegjësi dhe rol në këtë çështje. Kritika e Braçes vjen për të fshehur problemin dhe fajin e vërtetë.

Fermerët nuk kanë kapacitete për të studiuar tregjet, të dhënat e tregjeve i kanë qeveritë. Ky është shkaku që sot përballemi me shalqi dhe disa produkte të tjerë që nuk shiten, ku shumë fermerë i kanë lënë në ara apo i kanë hedhur nëpër kanale.

Njëlloj disbalancim edhe sa i përket blegtorisë. Në skemën e përkrahjes së blegtorisë kanë aplikuar 6000 fermerë, deri tani kanë përfituar vetëm rreth 2900 prej tyre, pra një fond që nuk e mbulon as gjysmën e nevojës, pavarësisht se pjesa që nuk ka përfituar i plotëson kriteret. Janë skema tërësisht pa përllogaritje dhe aspak të studiuara. Këtë mund ta përmendë z. Braçe, nëse e ka me tërë mend.

Të flasë edhe për trefishimin e çmimeve të imputeve, të flasë për paralajmërimet e faktit se do të vinte për pak muaj dita kur fermerët do të shisnin nën kosto dhe qeveria nuk bëri asnjë lëvizje që ta evitonte këtë, për paketën e dështuar fiskale të vitit 2022, heqjen e fondit 6% për bujqësinë, për faktin se në skemën e subvencionimit të bujqësisë kanë aplikuar rreth 55 mije fermerë dhe kanë përfituar rreth 30% prej tyre, nderkohë që është shpenzuar 70% e fondit të skemës, pra një grabitje gjigande.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Por, z. Braçe prap mendon se në Shqipëri kemi të bëjmë me kartel të grumbulluesve-eksportueve dhe jo një kartel të cilin ai e njeh shumë mirë dhe e ka shumë pranë.

Vërtet që grumbulluesit e blejnë produktin në Shqipëri me 10 lekë dhe e shesin atë, bie fjala në Poloni, me 40 lekë, këtu Braçe thotë të vërtetën, por ama vetëm gjysmën e saj, sepse vetëm kjo i duhet atij për të ndërtuar narracionin e përbindëshit të bujqësisë dhe t’i hedhë pak ujë shpëlarës qeverisë ku ai ka qenë zv. kryeministër, pra vetes së tij.

Ai vetëm nuk thotë se 30 lekët e mbetura nuk shkojnë në xhepat e grumbulluesve dhe eksportuesve. Më shumë se gjysma e kësaj shume shkon në transport përmes mauneve dhe në ambalazhim.

Por, me sa duket z. Braçe nuk i intereson e vërteta e plotë, sepse në të vërtet nuk e ka hallin te prodhuesit dhe grumbulluesit. Me sa duket, edhe ai vetë është grumbullues, por jo produktesh bujqësore.

Ai ka disa kohë që ka dalë xhiro për të grumbulluar vota, sepse e ndjen se në partinë e tij ka humbur terren. Dhe mundësia e rifitimit të terrenit në parti është të fituarit e terrenit pikërisht në terren, sidomos në Lushnje ku ai ka më shumë interes elektoral. Ka mundësi që z. Braçe mendon që terrenin e ringritjes së tij do ta gjejë te fermerët, duke i mashtruar ata, e duke shpikur një armik, grumbulluesit dhe eksportuesit. Sepse partia e tij nuk mund të paraqitet plotësisht prej tij si përbindësh. Domosdo, përmes kësaj partie ai aspiron që të drejtojë nesër nga pozita më të larta se ku gjendet sot, e që me sa duket, nuk i pëlqen.

Braçe duket se po punon që tani për votat e tij, të cilat do i sjellin pushtet brenda partisë, përmes së cilës do e ushtrojë këtë pushtet në ekzekutivin e ardhshëm që ai e imagjinon. Por, këto vota po tentohen të “blihen” nën kosto, sepse kritika që supozon se po i grumbullon këto vota është e rreme, nuk bën asgjë për shpëtimin e bujqësisë, e jo më pastaj për zhvillimin e saj. Nën kosto për të gjithë, me humbje për fermerët, me humbje për grumbulluesit, eksportuesit, ekonominë e Shqipërisë dhe për qytetarët e saj.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *