Lajme

Erdogan premton mbështetje për Kosovën në integrimin evropian dhe NATO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka premtuar mbështetje për Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe në NATO, gjatë një konference për shtyp të premten në Stamboll pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Erdogan ka thënë se do ta mbështesin Kosovën që ta arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare, teksa ka kujtuar se janë vendi i dytë që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës.

“Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Atë kohë, kam qenë duke drejtuar mbledhjen e kabinetit dhe ma komunikuan që SHBA-ja e kishte njohur si vendi i parë, dhe thashë se ne do të jemi vendi i dytë që e njohim Kosovën. Qoftë e hajrit. Është domethënëse kjo. Tani janë 117 shtete që e njohin. Ne do të bëjmë punë intensive që të arrijmë shifrën që është si objektiv sa i përket njohjeve. Dua t’iu uroj 15-vjetorin e Pavarësisë që tani. Ne po vazhdojmë përpjekjet për të siguruar që Kosova të arrijë pozicionin e merituar në arenën ndërkombëtare. Mbështesim Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, BE dhe NATO” , ka thënë Erdogan.

Lexo më shumë  Agjencitë botërore e quajnë Vuçiqin president populist

Erdogan ka thënë se mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe presin që palët të demonstrojnë qasje paqësore e konstruktive.

“Ne mbështesim dialogun dhe presim që palët të demonstrojnë qasje paqësore e konstruktive. Shpresojë që dialogu të përmbyllet duke siguruar paqen dhe stabilitetin në rajon. Turqia është gati të ofrojë ndihmë për paqen në rajonin tonë nëse i kërkohet nga palët . Do të marrim hapa për të fortifikuar marrëdhëniet tona me vëllezërit kosovarë”, ka shtuar Erdogan.

Presidenti turk ka deklaruar se në takim diskutuan për fushën e energjisë, shëndetit, luftën kundër terrorizmit e shumë tema të tjera.

Erdogani vlerësoi marrëveshjen e tregut të lirë mes dy vende, që sipas tij, Turqia është bërë vendi që eksporton më shumë në Kosovë.

“Mbi 610 milionë euro në vit eksportojmë në Kosovë. Duhet ta rrisim nivelin e vëllimit në 1 miliard”, ka thënë ai, duke përmendur investimet turke e ndihma zhvillimore të Turqisë për Kosovën. Ka premtuar se do të vazhdohet me projekte të çmuara.

Erdogan gjithashtu shprehu keqardhjen për përmbytjet që janë shkaktuar në Kosovë dy javë më parë. Ka thënë se janë të gatshëm për mbështetjen për t’i lehtësuar pasojat.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *