Lajme

Emigrantët nesër sërish në protestë, kërkojnë njohjen e kontributeve nga Italia, pensionet ende pa zgjidhje

Qindra emigrantë shqiptarë do të manifestojnë nesër në kryeqytetin italian Romë për të kërkuar njohjen reciproke të viteve të punës si në Shqipëri e në Itali e të drejtën e tyre të marrjes së pensionit.

Manifestimi është organizuar nga shoqata “Diaspora 91-99”,  në orën 14:00 të ditës së premte, 3 dhjetor 2021.

Përfaqësues të saj, emigrantë shqiptarë, politikanë e shtetas italianë që mbështesin këtë kërkesë, do të protestojnë rreth dy orë e në mënyrë paqësore përballë selisë së Ministrisë së Punës e Çështjeve sociale.

RTV Ora e Ora News ka kontaktuar me përfaqësuesit e “Diaspora 91-99” të cilët janë shprehur se shpresojnë që një delegacion i tyre të pritet nesër nga ministri Orlando apo stafi i tij.

Banderola që do të mbajnë mbi gjoks rrëfejnë historinë e jetës së tyre:

“Jam 63 vjeç, e kam mbi 40 vite punë, më bëni pensionist”, “Punët e rrezikshme janë të ndaluara me ligj pas moshës 63 vjeç , por ne jemi të detyruar të punojmë”, “Pse të diskriminohen vitet e punës jashtë kufijve italianë?”

Tashmë në moshë pensioni, përtej 67 vjeçarëve, shumë emigrantë shqiptarë janë të detyruar të punojnë, pasi vitet e punës në Itali nuk u garantojnë pensionin e plotë.

Lexo më shumë  Osmani: Është thjesht çështje kohe, Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës

Shumë të tjerë janë të detyruar të jetojnë në kushte ekonomike jo të favorshme  e të pranojnë daljen në pension me një pagë sociale që u ofrohet nga shteti e që është shumë herë më e ulët në vlerë.

Në mars të vitit 2021, gazetarja e RTV Ora e Ora News në Romë, Alba Kepi, mundi të kontaktojë Ministrin italian të Punës e Çështjeve Sociale, Andrea Orlando i cili ka deklaruar se “Italia është bërë palë aktive për t’i dhënë një përgjigje pozitive kërkesës së emigrantëve shqiptarë.”

Për njohjen reciproke të viteve të punës së emigrantëve shqiptarë në Itali një rol kyç ka dhe qeveria shqiptare e cila duhet të nënshkruajë një marrëveshje të përbashkët me qeverinë italiane.

Një marrëveshje dypalëshe  të pensioneve,  Italia e ka nënshkruar prej kohësh me disa vende si me Malin e ZI, Maqedoninë, Kosovën, me Argjentinën, Tunizinë, Bosnjën, Izraelin, Meksikën, Kandanë, Brazilin etj, por jo me Shqipërinë.

E prej vitit 2013 qeveria shqiptare e rendit këtë problem në listën e premtimeve elektorale por deri më sot nuk ka asnjë hap konkret në bisedime institucionale mes dy vendeve.

Lexo më shumë  “Pulë me të huaj dhe skifter me të vetët”, Alizoti: Rama duhet ta kishte përqafuar Kurtin

Emigrantët shqiptarë në Itali përmes apeleve mediatike e letrave të dërguara pranë institucioneve italiane, kanë hapur rrugën e bisedimeve, por i takon autoriteteve shqiptare të bëhen zëri i emigrantëve për firmosjen sa më shpejt të kësaj marrëveshje.

E në këtë fazë emergjence social-ekonomike pandemike që ka përfshirë Italinë kontributi i qeverisë shqiptare për kërkesën e emigrantëve bëhet thelbësor.

Po pak kohë më parë RTV Ora e Ora News ka biseduar me disa emigrantë shqiptarë me banim në Asti, që prej disa kohësh kërkojnë në rrugë institucionale që t’ju njihet e drejta e tyre për marrjen e pensionit në Itali.

Sipas tyre nuk është e vërtetë se një nga motivet që nuk arrihet kjo marrëveshje, është kosto e madhe ekonomike që ajo ka.

Sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertë të ekonomisë, për emigrantët shqiptarë në moshë pensioni në Itali duhet rreth 25 milionë euro, që është një grimcë mjaft e vogël në buxhetin italian.

“Ne jemi kontribuues të rregullt të sigurimeve shoqërore në Itali e kemi të drejtën e këtij pensioni”, thonë organizatorët e këtij manifestimi paqësor që pritet të mbahet nesër përballë Ministrisë Italiane të Punës e Çështjeve Sociale./oranews/

RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *