BallinaLajme

Ekzekutimi i 25-vjeçarit/ Policia ”gjen armën” pas 6 orësh, si gënjyen për rrethanat e vrasjes së të riut, rruga e ndriçuar dhe me kamera sigurie

Është e rrethuar me hije të forta dyshimi ngjarja e ndodhur pas mesnate në Tiranë, ku punonjës të Policisë së Shtetit ekzekutuan me armë 25-vjeçarin Klodian Rasha, i cili sipas tyre nuk iu bind urdhërit për të ndaluar. Edhe pse nuk ka një deklaratë nga zyrtarë të Policisë apo Prokurorisë, edhe dy njoftimet e sjella nga Policia e Tiranës në grupe whatsup-i lënë vend për diskutim, për shkak të informacioneve kontradiktore.

Në njoftimin paraprak thuhej se punonjësi i Policisë kishte qëlluar në drejtim të Rashës pasi ky i fundit mbante një send të fortë në dorë, ndërkohë që rruga ku ka ndodhur ngjarja, po sipas bluve ka qenë e pandriçuar. Gjë që në fakt hidhet poshtë nga ana e fqinjëve të familjes Rasha, të cilët shprehen se dritat në rrugicën ku Policia ka qëlluar të riun janë funksionale dhe përgjatë gjithë natës rruga është e ndriçuar.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Lexo më shumë  Rama si vasal/ Vuçiqi e pranon: 'Ballkani i Hapur' ishte ideja ime, na e ndërprenë fuqitë e mëdha europiane

Ndërkohë që sa i përket sendit që në fillim u duk si armë, dhe më pas rezultoi pas më shumë se 6 orësh të ishte pistoletë, ngrihen pikëpyetje se pse hetuesve iu desh një kohë kaq e gjatë për zbulimin e saj, në një kohë kur e gjithë rrugica e ngushtë mund të përshkruhet vetëm për disa minuta.

Sa i takon të riut, për të cilën Policia u kujdes të njoftonte në rrugë jozytare se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, fqinjët dhe familja pretendojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte askënd në lagje.

Ndërkohe xhaxhai i Klodianit, Hasan Rasha teksa foli në emrin e familjes, tha se nipi i tij ishte një person që kishte pasur më herët probleme me shëndetin mendor, për të cilat dhe ishte mjekuar, ndërsa dha bindjen e plotë se nuk kishte pasur armë as me vete dhe as në shtëpi. Ai kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më parë nga ana e Policisë, ndërsa u shpreh i bindur se nipi i tij nuk ka drejtuar armë në drejtim të punonjësve të Policisë.

Lexo më shumë  Reporterët Pa Kufij: “Mediat private më me ndikim në Shqipëri në pronësi të një numri të vogël kompanish që kanë lidhje me botën politike, veçanërisht në sektorë si ndërtimi"

Sakaq, pranë zonës ku Policia ka qëlluar të riun, ka disa biznese, kamerat e të cilave janë sekuestruar dhe pritet që të hedhin më shumë dritë rreth kësaj ngjarje të rëndë, që padyshim njollos edhe policinë e shtetit, pasi reagimi i efektivit duket të jetë më shumë sesa nën kushtet e vetëmbrojtjes.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se Rasha ka marrë dy plumba, një në kokë dhe një në shpinë, që nuk ka lidhje asesi me veprimin e Policit për ta neutralizuar atë. Policia dhe SHÇBA po kryejnë hetime në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që efektivi që ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit për momentin ndodhet i ndaluar.

YouTube player