Art & Kulturë

Ekspozita “Papajtueshmëria si një akt dashurie”, temë qendrore në marrëdhënien e artistit me shoqërinë dhe me realitetet politike bashkëkohore

Ekspozita “Papajtueshmëria si një akt dashurie” u hap në galerinë e artit “Zeta”. Kuruar nga Raino Isto, “Papajtueshmëria si një akt dashurie” është një ekspozitë retrospektive, e cila prezanton veprën e artistit bashkëkohor Pleurad Xhafa. Ekspozita përmban vepra të reja nga artisti, dhe një cikël punësh të përzgjedhura prej ndërhyrjeve dhe veprimtarisë krijuese të artistit gjatë pesëmbëdhjetë vjeçarit të fundit. Kuratori Raino Isto në tekstin e tij kuratorial shkruan se “Papajtueshmëria si një akt dashurie” merr si temë qendrore marrëdhënien e artistit me shoqërinë dhe me realitetet politike bashkëkohore. “Duke ndërthurur kujdesin, përballjen, kujtesën dhe sfidën, ekspozita paraqet një eksplorim të potencialit të veprimeve artistike kundrejt mbështetjes së narrativave të rezistencës dhe ndërprerjes së diskurseve mbizotëruese neokoloniale dhe neoliberale”, thuhet nga kuratori.  “Papajtueshmëria si një akt dashurie” u hap këto ditë për publikun në galerinë e artit “Zeta” në Tiranë, por kuratori Raino Isto shkruan se vepra e Xhafës sjell tek ne natyrën e menjëhershme dhe të hapur të veprimit, të veprimit vetjak dhe atij kolektiv, të një momenti transformues, rezultati i të cilit nuk është lehtësisht i parashikueshëm. “Ashtu si aktet e dashurisë, ato përmbajnë një element vetëmohues: ku përllogaritjet zhduken, dhe ke gjithçka ose asgjë për të humbur. Artisti na tregon nevojën për të zgjedhur, për t’u pozicionuar, për të qëndruar të palëkundur e të papajtuar, sepse vetëm nga kjo gjendje papajtueshmërie mund të arrijmë të konceptojmë një veprim që krijon hapësira të reja të imagjinatës”, shprehet kuratori.

 Veprat në ekspozitë

Fotografi digjitale me ngjyra, Friedman- skulpturë prej balte e krijuar në bashkëpunim me Sokol Peçin si pjesë e projektit Déjà?vu & Paranojë (2009), video “Punëtori i palodhur”, “Negativ I-II-III-IV” dokumentim fotografik i ndërhyrjes publike, etj, janë disa nga punimet e artistit. Veprat e prezantuara pasqyrojnë kërkimet e vazhdueshme të Xhafës mbi marrëdhëniet mes ideologjive kapitaliste, transformimeve të hapësirës urbane, kujtesës kolektive dhe fuqisë gjeopolitike vepruese në Shqipërinë bashkëkohore. Kuratori Isto shkruan se ndonjëherë, këto hetime marrin formë ndërhyrjesh provokuese në hapësirën publike, ndërsa, në raste të tjera, ato zgjerojnë mundësitë poetike të dokumentacionit, duke mbështetur ndërthurjen që ekziston midis përvojës dhe objekteve dëshmuese. ““Papajtueshmëria si një akt dashurie” thekson angazhimin e Xhafës në ngjarje specifike që kanë formësuar historinë e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, si dhe përpjekjet e tij për të gjurmuar rrjedhat transnacionale të politikës, kapitalit dhe presionit politik që nxisin intensifikimin e kapitalizmit neoliberal sot në vend. Çfarë shfaqet është një model shfrytëzimi sistematik që manipulon si mjedisin e ndërtuar të Shqipërisë, ashtu edhe jetën e qytetarëve të saj, duke fshirë histori dhe duke mohuar forma të të qenit e të vepruarit që nuk mund të shndërrohen në konsum të individualizuar”, thuhet mes të tjerave nga kuratori. Ekspozita në “Zeta” do të qëndrojë deri më 5 maj. Pleurad Xhafa pas përfundimit të studimeve të larta në Akademinë e Arteve të Bukura të Bolonjës (Accademia di Belle Arti di Bologna), në vitin 2012 ai kthehet në Shqipëri ku vijon të zhvillojë projekte që hulumtojnë efektet e prodhuara nga eksperimentet e politikave neoliberale. Puna e tij kërkimore dhe kritike vjen si rezultat i një praktike post-konceptuale, e cila vepron mbi një bazë dokumentuese për t’u raportuar më pas vizualisht dhe politikisht me kulturën e kohës sonë. Në 2014 ai fitoi çmimin “Ardhje” organizuar nga Tirana Institute for Contemporary Art./sot/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *