Ekspozita dokumenton përvojat e fëmijëve në Sarajevën e shkatërruar nga lufta
Pamje të pa publikuara më parë të kryeqytetit boshnjak në vitet 1990 të shkrepura nga fotografi skocez Chris Leslie tregojnë se si fëmijët në Sarajevë i përjetuan pasojat shkatërruese të luftës.
Fotografitë e shkrepura nga fotografi skocez Chris Leslie ndërsa ai po punonte në një projekt me një shtëpi fëmijësh menjëherë pas përfundimit të luftës do të shfaqen në Bashkinë e Sarajevës të enjten.
“Sarajeva që ata dokumentuan nuk ekziston më dhe për mua ishte e rëndësishme që banorët e Sarajevës të mund të kujtonin ato kohë”, tha Leslie për BIRN.
Në atë kohë, Leslie punonte për një projekt fotografik me banorët e rinj të Shtëpisë për Fëmijët pa Përkujdesje Prindërore Bjelave në Sarajevë dhe fotografitë e shkrepura në periudhën midis 1997 dhe 1999 përshkruajnë kryeqytetin e shkatërruar menjëherë pas përfundimit të rrethimit.
“Duke përdorur pajisje të dhuruara nga Skocia, ngrita një dhomë të errët të improvizuar dhe organizova klasa fotografie në bodrumin e jetimores. Kam zhvilluar vetëm disa nga ato fotografi në fund të viteve 1990 dhe ato kanë ngelur në dollapin tim duke mbledhur pluhur. Dy vjet më parë, më në fund i stampova duke përdorur një skaner me rezolucion të lartë dhe rezultatet ishin të mahnitshme”, tha ai.
“Nxënësit me të cilët kam punuar në atë kohë ishin të moshës nga gjashtë deri në 16 vjeç. U mësova atyre teknikat bazë të fotografisë”, shpjegoi ai. Nxënësit e tij tani janë të rritur dhe historitë për jetën e tyre do të jenë pjesë e ekspozitës.
Pas hapjes, ekspozita do të qëndrojë në Bashki për dhjetë ditë. Të enjten, Leslie do të prezantojë gjithashtu librin e tij “Udhëtim në Ballkan”, një dokument vizual i ish-Jugosllavisë në vazhdën e luftërave të viteve 1990, në Muzeun Historik të Bosnjës dhe Hercegovinës./birn/
Foto: Chris Leslie.
Foto: Chris Leslie.
Foto: Chris Leslie.
Foto: Chris Leslie.