Eksperti amerikan: Mizoria ruse në Bucha të kujton të kaluarën e turpshme të Serbisë në Reçak, Srebrenicë, Sarajevë e Vukovar
Komiteti për Hulumtime në Rusi ka lëshuar një deklaratë duke thënë se do të nisë “hetime”, lidhur me akuzat se Ukraina ka shpërndarë “informacion të rremë” për veprimet e forcave ruse në Bucha, ku u raportua për qindra civilë të vrarë.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Edward P. Joseph, përmes disa statuseve në Twitter, thotë se nuk është për tu habitur nëse Rusia do ta quante “inskenim”, vrasjen e civilëve në Bucha.
Joseph, thotë se të njëjtën gjë kishte thënë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq për masakrën e Reçakut në Kosovë, duke e quajtur “të sajuar”.
“A është dikush i habitur që Moska – menjëherë – do të pretendonte se mizoritë ruse në Bucha ishin “inskenuar”? A i kujtohet ndokujt që Presidenti serb Vuçiq – dy dekada pas faktit – pretendoi se mizoritë serbe në Reçak të Kosovës ishin “të sajuara”, tha ai.
Joseph shtoi se Bucha të kujton të kaluarën e turpshme të Serbisë në Reçak, Srebrenicë, Sarajevë dhe Vukovar.
“Cili është ndryshimi përveç numrit të viktimave?”, ka pyetur ai.
Më tutje deklaroi se Serbia po shtrembëron realitetin aktual të pushtimit brutal të Rusisë në Ukrainë, duke e promovuar atë.
“A janë të gjithë të vetëdijshëm që Beogradi po rishikon të kaluarën e tij në Ballkan – dhe po shtrembëron realitetin aktual të pushtimit brutal të Rusisë? Se ka një vijë të drejtë midis mohimit të Raçakut nga Vuçiq dhe promovimit të agresionit rus nga Beogradi në Ukrainë”.
Më tej shtoi se interesat e SHBA-së dhe BE-së avancohen duke e mbajtur Serbinë përgjegjëse për të njëjtat standarde – as më të larta as më të ulëta – si fqinjët e saj.
“Fqinjët e Serbisë me shumicë ortodokse kanë goditur luftën e Putinit dhe kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, me përjashtim të rasteve kur përfaqësuesit e Vuçiqit po ndërhyjnë. Interesat e SHBA-së avancohen duke parë jo vetëm atë që thotë Vuçiq për brutalitetin rus në Ukrainë, por çfarë Media Serbe (nën ndikimin e qeverisë) u thotë qytetarëve serbë për luftën”, shprehet ai.
Edward P. Joseph, thekson se mizoritë serbe gjatë viteve të 90-ta, janë të njëjta me vrasjet ruse në Ukrainë, dhe shton se nuk duhet bërë krahasime.
. Narrativa mbetet: ‘ne jemi viktima. Mohimi i së kaluarës nuk është një fazë e përkohshme për Vuçiqin apo për Putinin. Qëllimi i tij është të ‘transformojë’ autorin në viktimë. Ankesa kombëtare është ajo që nxit nacionalizmin agresiv, në Ballkan, në Hungari dhe në Rusi”, deklaroi eksperti amerikan.
Rruga Press