Ekspertët ngrenë pikëpyetje mbi qëllimet e Ramës me “Këshillimin Kombëtar”
Nisma më e re e kryeministrit Edi Rama për të pyetur popullin për 12 çështje, që nga ato sociale, fiskale e deri te ato gjeopolitike, ka ngritur shqetësimin e shoqërisë civile se ai do ta përdorë këtë anketë për vendimmarrje të dyshimta politike.
“Këshillimi Kombëtar”, një pyetësor me 12 çështje që shqetësojnë qeverinë, ku u kërkohet çdo nënshtetasi shqiptar mbi 18 vjeç të japë mendimin e tij, është nisma më e re që kryeministri Edi Rama do të përdor për konsum politik. Me 12 pyetje që nisin me statusin social të nënave me shumë fëmijë, legalizimi i kanabisit, politikat fiskale e deri tek integrimi në BE apo Ballkani i Hapur, Rama ka gjetur një mekanizëm të ri për të vijuar fjalimet e tij politike nëpër sheshet e qyteteve.
Ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë jo vetëm si një spektakël propagantistik, por edhe të rrezikshëm për pasojat që do të ketë në vendimmarrjet politike të qeverisë.
Edlira Gjoni, eksperte e komunikimit thotë se nisma mund të ishte e mirë në rastin e një qeverie ne kulturë konsultimi me publikin, por për për qeverinë shqiptare eksperienca tregon të kundërtën. “Kur thuhet Dialog politik, në të vërtetë bëhet monolog, ku gjithmonë flet ai që ka pozicionin më të lartë. Kur thuhet “transparencë”, nënkuptohet dhënie vetëm e informacionit që i intereson qeverisë dhe shkelen të gjitha ligjet apo afatet që ajo vetë vendos për të kthyer përgjigje. E njëjta gjë më këtë “këshillim”, qe nuk do jetë asgjë tjetër vetëm shoë propagandistik i radhës, që do të prodhojë të njëjtat xhevahire se bashkëqeverisja apo vetë rilindja”- i tha Gjoni BIRN-it
Edhe Gjergji Vrumo, drejtor projekti në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, e cilëson në parim një nismë të mirë në rast se nuk do të kishte instrumente të tjera në dispozicion për konsultimin publik, siç është referendumi apo nismat ligjore qytetare. “Këto procese duhet të zhvillohen duke u bazuar në disa parime themelore që sigurojne besim të lartë publik tek to siç janë transparenca, integriteti, gjithpërfshirja. Fatkeqësisht, në Shqipëri instrumentat e mesiperm jo vetem nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm, por është bërë gjithçka që të dëmtohen dhe të ulet besimi publik tek to, si për shembull, duke mos miratuar ligj për referendumet siç e kërkon kushtetuta, duke zhvilluar procese konsultimi formale, shpesh përjashtuese dhe aspak përfshirëse”- komentoi ai për BIRN-in.
Gjoni ngre shqetësimin se ky anketim do të përdoret për qëllime të qeverisë duke miratuar më vonë vendime apo politika të dyshimta me justifikimin e rezultateve të “këshillimit”.
“Mendoj se patjetër qeveria do i përdorë rezultatet (që do jenë shumë të dyshimta për vërtetësinë), e me to të krijojë nisma, të marrë vendime apo të na bëjë ndonjë dhuratë të çuditshme vendimesh që kërkojnë populizëm. Pasojat qëndrojnë tek manipulimi i masës (taktikë e përhershme e politikanëve) dhe tek marrja e vendimeve që i interesojnë asaj, por që i vendosen në shpinë popullit si vendimmarrës fals”- argumenton ajo.
Ndërsa Vrumo e konsideron një instrument për të kamufluar propagandën dhe për t’ia servirur atë publikut si një zgjedhje që e kanë bërë vetë qytetarët. Ai shprehet se gjithashtu ajo “është edhe një instrument, i cili shërben për të fshehur defektet e Ramës, si një kryeministër arrogant që nuk pranon këshilla (aq më pak nga qytetarët), me një marrëdhënie problematike me transparencën, me llogaridhënien dhe me institucionin e kërkesës qytetare”.
Vurmo ngre pikpyetjet se çfarë do të ndodhë me këtë pyetësor më pas, nëse ai mund të shfrytëzohet si mjet për të justifikuar qëllime të paracaktuara nga qeveriadhe nga grupe interesash ilegjitime pranë saj apo do të shërbejë për të miratuar plane, projekte dhe politika publike të porositura nga interesa të tilla. “Është plotësisht e mundur. Eksperienca me ligjet me porosi sugjeron se ekzistojnë të gjitha parakushtet e nevojshme që kjo të ndodhë”- thekson ai.
Sipas Vurmos, pasojat janë shumë serioze sidomos sa i përket krizës së madhe të besimit publik tek sistemi politik dhe marrja në konsideratë nga ana e tyre edhe e alternativave të tjera aspak demokratike. “Ky është një potencial të cilin IDM e ka evidentuar nëpërmjet dy studimeve mbi ekstremizmin e dhunshëm, ku vërehet se potenciali i madh për ekstremizëm politik ushqehet veçanërisht nga kriza e besimit tek sistemi politik”- thekson ai. Duke iu referuar gjetjeve të IDM-së, sipas të cilave, një përqindja e lartë e qytetarëve mendojnë se “sistemi aktual politik duhet shembur edhe me dhunë nëse është nevoja”, kjo tregon sipas Vurmos se, “ky është një sinjal alarmi për t’i dhënë fund propagandës dhe kapjes së shtetit me tentativa të tilla për të justifikuar vendime të marra më herët pa konsultuar askënd”.
Ndërkohë kjo nismë do t’i kushtojë taksapaguesve 25 milionë lekë të reja, nga të cilat 20 milionë do të shpenzohen fushatën promovuese dhe materialet promocionale, të cilat do të përdoren në sheshet dhe ambiente të tjera publike, dhe një pjesë e vogël për INSTAT-in që do të bëjë përpunimin dixhital të të dhënave.
Ekspertët e quajnë një buxhet të shpenzuar kot dhe vetë pyetësorin jashtë parametrave shkencorë.
“Kostot prej 25 milionë lekë për një hulumtim të tillë janë të fryra dhe, në këtë rast, edhe të panevojshme. Një anketim përfaqësues kombëtar sipas të gjithë parametrave shkencore me rigorozë nuk do të kushtonte as sa një e treta e këtij buxheti”- thotë Vrumo.
Sipas tij “Këshillimi kombëtar” i propozuar nga Rama nuk plotëson asnjë parametër teknik. “Jo vetëm që qeveria nuk është e specializuar për të hartuar dhe menaxhuar procese të tilla hulumtuese, por ajo është edhe në konflikt interesi”- thotë ai duke sjellë si shembull pyetjen për “Open Balkan”, një proces po zbatohet ndërkohë nga qeveria jonë dhe dy qeveri të vendeve të rajonit.
Për Gjonin nga pikëpamja teknike nisma është pseudo-instrument i hartuar në mënyrën më jo-të besueshme të mundur. “Për anketimet e vërteta shkencore, së pari zgjidhet kampionimi sipas disa kritereve që përfaqësojnë gjithë popullatën, demografinë, shpërndarjen dhe qëndrimet e saj. Së dyti, hartohet një pyetësor i kombinuar pyetjesh, që të japë mundësinë edhe të matjes së perceptimit me bazë përqindjesh. Së treti, nëse targetohet gjithë popullata, shkencërisht instrumenti është rrëzuar, sepse nuk ka asnjë mekanizëm apo ekip aq të përgatitur sa të përpunojë të dhënat e 2 milionë të anketuarve”- thotë ajo.
Dhe si proces menaxhimi pyetësori sipas saj është i pamundur. “Nëse vërtet 2 milionë shqiptarë u përgjigjen me nge 12 pyetjeve që kërkojnë të gjitha shtjellim, do kishim 24 milionë përgjigje. As Harvardi nuk i proceson dot, sepse gjithçka bëhet me kampionim, jo me anketim të secilit frymor mbi 18 vjeç”, shton ajo duke dalë në përfundimin se “thjesht është e pamundur nga ana kërkimore”./reporter.al/
Rruga Press