Ekonomia shqiptare ka arritur pranë shfrytëzimit të plotë të kapacitetit prodhues
Ekonomia shqiptare vlerësohet se arriti pikën e ekuilibrit në fund të vitit të kaluar, çka dëshmon një shfrytëzim afërsisht të plotë të kapaciteteve prodhuese.
Nga analizat në raportin e fundit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerëson se rimëkëmbja e shpejtë nga pandemia dhe rritja e lartë ekonomike e vitit të kaluar ka sjellë një mbyllje të hendekut negativ të prodhimit në ekonomi. Një tendencë e ngjashme konstatohet edhe për hendekun e punësimit.
Banka e Shqipërisë vlerëson se norma e papunësisë në ekonomi është shumë afër asaj që konsiderohet si shkalla natyrore e papunësisë.
Shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve të prodhimit dhe punës në ekonomi nuk janë tregues që mund të maten në mënyrë të drejtpërdrejtë, por vlerësohen nga banka qendrore nëpërmjet vrojtimeve dhe teknikave të tërthorta.
Për Bankën e Shqipërisë, ky është një indikator i rëndësishëm, sepse arritja e nivelit potencial të rritjes së prodhimit në ekonomi nënkupton një lloj mbinxehjeje, që shkakton presione inflacioniste.
Kjo analizë shpjegon, mes të tjerash, edhe konkluzionin e shprehur në tremujorët e fundit nga Banka e Shqipërisë se në fakt, rritja e inflacionit nuk është e lidhur ekskluzivisht me faktorët e ofertës dhe zinxhirin global të furnizimit, por edhe me një shëndoshje të kërkesës së brendshme dhe rritje të presioneve inflacioniste prej saj.
Rritja e kërkesës, e punësimit dhe e pagave ka shtuar presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme, kontributi i të cilave ka qenë i qëndrueshëm dhe ka ardhur në rritje. Në pasqyrim të tyre, inflacioni bazë dhe ai i shërbimeve ka shfaqur një tendencë rritëse prej fillimit të vitit 2021.
Kjo tregon se rritja e inflacionit është, së pari, e origjinuar, prej rimëkëmbjes së ekonomisë nga efektet e pandemisë, përveçse nga kriza e zinxirit të furnizimit dhe nga lufta në Ukrainë.
Një dinamikë e tillë e justifikon nevojën për të ndërhyrë në drejtim të normalizimit të politikës monetare dhe rritjes së normës bazë të interesit.
Në muajin mars, Banka e Shqipërisë rriti normën bazë për herë të parë pas një dekade, duke e kthyer në nivelin 1%, ku qëndronte para pandemisë. Këshilli Mbikëqyrës ka bërë të qartë se respektimi i objektivit të inflacionit do të kërkojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare në afatin e mesëm.
Në përputhje me parashikimet e skenarit bazë, ky normalizim do të marrë formën e një procesi gradual gjatë dy viteve të ardhshme.
Skenari bazë mbështetet në supozimin se inflacioni do të qëndrojë i lartë këtë vit, por do të fillojë gradualisht rënien gjatë vitit 2023.
Megjithatë, situata inflacioniste mbart pasiguri të konsiderueshme, të lidhura në radhë të parë me tensionin gjeopolitik që ka shkaktuar lufta në Ukrainë.
Përveç kësaj, shtrenjtimi i lëndëve të para mund të sjellë efekte indirekte në zinxhirët e formimit të vlerës, që mund të jenë të vështira për t’u parashikuar. Një shembull mund të jetë është rritja e kostove të transportit, dhe rrjedhimisht e çmimit të produkteve dhe shërbimeve përfundimtare, si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.
Efektet indirekte janë të vështira për t’u llogaritur, pasi përcjellja në çmimet e konsumit mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe është në varësi të elasticitetit të kërkesës, të konkurrencës sipas segmenteve të tregut, dhe të aftësisë së kompanive private për të absorbuar goditjen nëpërmjet korrigjimit të marzheve të fitimit.
Një aspekt tjetër është fakti se goditjet e ofertës mund të sjellin efekte të raundit të dytë. Efekte të tilla lindin kur inflacioni i lartë ndikon në pritjet e familjeve dhe bizneseve për ecurinë e ardhshme të çmimeve dhe në sjelljen e tyre për konsum dhe kursim.
Pritjet më të larta për inflacionin mund t’i shtyjnë bizneset të rrisin çmimet më shpejt nga sa e kishin menduar dhe pagamarrësit të kërkojnë paga më të larta për të ruajtur fuqinë blerëse.
Kjo krijon një cikël inflacionist, pasi bizneset në mënyrë që të kompensojnë kostot e rritura, detyrohen të rrisin më tej çmimet.
Në ndryshim nga efektet e drejtpërdrejta, efektet indirekte dhe ato të raundit të dytë kanë një ndikim më afatgjatë në inflacion. Në muajin prill, inflacioni arriti nivelin 6.2%, niveli më i lartë në më shumë se 20 vjet.
Bazuar në vlerësimet e para të Instat, ekonomia shqiptare u rrit me 8.5% vitin e kaluar, falë rimëkëmbjes së shpejtë nga pandemia, por pjesërisht edhe për shkak të efektit të bazës krahasuese me vitin e 2020, kur ekonomia pësoi rënie. Këtë vit Banka e Shqipërisë parashikon një rritje pozitive, por ndjeshëm më të ulët, pranë nivelit 3.4%./Monitor
Rruga Press