Ekonomia në Shqipëri mbahet më këmbë nga shteti dhe taksat neto, sollën 70% të rritjes në TII, zbehet ndërtimi
Ekonomia u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë 2026, sipas INSTAT, por sektorët që po ndikojnë këtë rritje janë të pakët dhe pa shumë lidhje me ekonominë reale.
Efektin kryesor vijon ta japë “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +1,38 pikë përqindje. Kontributi i administratës publike në rritjen ekonomike lidhet kryesisht me rritjen e vlerës së shtuar të këtij sektori, ku rritja e pagave në administratë, arsim dhe shëndetësi ka ndikuar drejtpërdrejt në zgjerimin e shpenzimeve të personelit, një komponent kryesor në llogaritjen e prodhimit të shërbimeve publike në PBB.
Krahas administratës, “taksat neto” janë kontribuuesi i dytë më i madh në rritje me 1.13 pikë përqindje. Të dy këto aktivitete janë të lidhura kryesisht me rritjen e pagave në administratën publike.
Pesha e lartë e taksave neto në rritjen e PBB-së tregon se një pjesë e konsiderueshme e zgjerimit ekonomik ka ardhur nga rritja e të ardhurave fiskale mbi produktet, jo nga zgjerimi i drejtpërdrejtë i prodhimit në sektorët ekonomikë.
Administrata dhe taksat neto kanë kontribuar në gati 70% të rritjes në tremujorin e dytë 2026.
Në të kundërt sektorët e ekonomisë reale kanë ngecur. Ecurinë më të mirë e shënoi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,98 pikë përqindje, e ndikuar nga turizmi.
Ndërtimi, që ka qenë një kontribuues kryesor në rritjen ekonomike vitet e fundit është zbehur, me 0.15 pikë përqindje. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme kishin një kontribut më të lartë me 0.36 pikë përqindje.
Industria i është rikthyer rritjes pozitive, e ndikuar nga konjuktura më e favorshme në tregjet ndërkombëtare, me kontribut pozitiv prej 0.05 pikë përqindje pas shumë tremujorësh që ishte negative.
Bujqësia vijon të jetë në territor negativ, me kontribut -0.38 pikë përqindje.
Administrata publike me rritjen më të lartë, ndërtimi ngec në 1.37%
Ecuria e aktiviteteve kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, paraqitet si më poshtë:
“Administratra Publike, Arsimi dhe Shëndetësisia” shënoi rritje prej 12,14 %, i ndjekur nga aktiviteti “Pasuri të Paluajtshme” me 7,20 %. Grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi një rritje prej 5,53 %, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” shënuan një rritje prej 3,53 %, “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi një rritje prej 2,58 %, aktiviteti i “Ndërtimit” shënoi një rritje prej 1,37 % dhe grupi “Industri, Energji dhe Ujë” shënoi një rritje prej 0,47 %.
Grupi i aktiviteteve: “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” shënoi rënie me 2,29 %, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënuan rënie me 2,17 % dhe grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” shënoi rënie prej 2.08 %.
Konsumi i popullatës u përshpejtua në tremujorin e dytë
Komponentët kryesorë të PBB–së me metodën e shpenzimeve, për tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, paraqiten si më poshtë:
* Konsumi final i popullatës, u rrit në terma realë me 4,55 %;
* Konsumi final i qeverisë u rrit me 4,15 %;
* Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 1,76 %;
* Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9,78 % dhe Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,55 %. /Monitor




Rruga Press

