Edi Rama u jep arabëve portin e Durrës me ligj favorizues
Mëngjesin e 26 nëntorit Kryeministri Edi Rama u nis papritur me çarter drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, duke deklaruar në njoftim zyrtar, se qëllimi i vizitës ishte nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e 2000 apartamenteve në Durrës për personat e prekur nga tërmeti i një viti më parë.
Emri i ndërtuesit të lagjes së re në Durrës u bë publik nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Abu Dabi. Sipërmarrësi i njohur arab Mohamed Alabbar u njoftua si “bamirësi” i 2000 apartamenteve. E si për të konfirmuar këtë, biznesmeni arab, dy ditë më pas, në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, veshi kuqezi kullën më të lartë në planet, Burj Kalifa, të cilën e ka në pronësi të tij.
Kështu u duk sikur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipërisë po i vinte një mirësi e madhe. Por pa u bërë një muaj nga kjo marrëveshje, janë zbardhur të vërtetat e zemërgjerësisë së investitorit Arab, Mohamed Alabbar.
Qeveria shqiptare ka bërë një projektligj, i cili i lejon Ministrisë së Financave, asaj të Turizmit dhe Ministrisë së Rindërtimit të futen në negociata të drejtpërdrejta pa tender e pa garë për një kontratë koncesioni për portin e Durrësit me një kompani të përzgjedhur nga Emiratet e Bashkuara.
Kompania është “Symphony Invest Limited”, e lidhur drejtpërdrejt me pronarin e kullës Burj Kalifa, Mohamed Alabbar. Kjo kompani do të ketë të drejta afatgjata për të shfrytëzuar daljen e Shqipërisë në det, ndërsa gjithçka po kryhet pa procedurë konkurruese dhe me negocim të drejtpërdrejtë.
Rasti është i ngjashëm me procedurën që qeveria ndoqi me ligjin famkeq për Teatrin Kombëtar. Çfarë ka ndodhur, ashtu si me të famshmin ligjin ‘Fusha’, kësaj here qeveria ka bërë gati ligjin “Symphony Invest Limited” që përcakton të gjitha kriteret favorizues për kompaninë arabe, duke përjashtuar qartësisht mundësin e një tenderi ndërkombëtar që kërkohet për investime strategjike. Kjo sanksionohet që në pikë 1 të ligjit kur thuhet se:
“Ky ligj përcakton procedurën e veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë “Symphony Invest Limited”, me objekt rizhvillimin turistik të portit të Durësit”. Komisioni i negocimit të kontratës vlerëson dhe negocion me shoqërinë “Symphony Invest Limited” propozimin e paraqitur prej tyre për rizhvillimin turistik të hapësirës së Portit të Durrësit dhe harton projektkontratën finale të negociuar nga palët, shoqëruar me relacionin përmbyllës të negociatave. Komisioni i negocimit të kontratës mund të asistohet nga një konsulent, i përzgjedhur sipas një procedure të veçantë, të përshpejtuar, që miratohet nga Këshilli i Ministrave”.
Kompania në fjalë, portin aktual të pasagjerëve dhe mallrave në Durrës, pritet ta marrë në koncesion afatgjatë për ta kthyer vetëm në port turistik. Ndërkohë porti i mallrave pritet të bëhet ai i Porto Romanos.
Megjithatë aktualisht në portin e Durrësit janë dy koncesione që veprojnë, ndaj është e paqartë se si do të zgjidhen kontratat me dy koncesionarët për t’ia dhënë një pale të tretë. Në projektligjin e qeverisë duket se ka një nxitim për të kryer këtë koncesion, pasi orientohen institucionet përgjegjëse që të kryejnë në afate shumë të shkurtra kohore lidhjen e kontratës me kompaninë e re që synon të marrë koncesionin e protit të Durrësit.
Ende nuk dihet nëse studimi i fizibilitetit dhe projekti për shndërrimin e portit të Durrësit në port turistik, do të kryhet pas lidhjes së kontratës apo është kryer tashmë. Kujtojmë se Porti i Durrësit është porti më i rëndësishëm dhe më i madh i vendit, një nga nyjet strategjike të ekonomisë shqiptare. /SYRI.net/
Rruga Press