KryesoreOpinion/Aktualitet

Edi Rama kërcënon sovranitetin shtetëror të Shqipërisë

Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi

Po bëhet një muaj që kur nisën protestat e fuqishme të shqiptarëve në Tiranë me kërkesën e patjetërsueshme të dorëheqjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Nisi si protestë për “mbrojtjen e flamingove në Nartë dhe në Zvërnec”, por në fakt është protestë për mbrojtjen e territorit të Shqipërisë. Duke rilexuar një analizë timen të botuar në “Bota sot” më 13 gusht 2025 me titull “Kosova dhe Shqipëria tokë e xanun për pushtetin e Edi Ramës” u nxita që ta zgjeroj atë analizë me fakte e të dhëna të tjera të sotme lidhur me kërkesën e protestuesve të rinisë shqiptare për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të Shqipërisë.

Në atë analizë kam shkruar se “Rama thirri në ndihmë sozinë e McGonigal, atë që mburret te ballkanasit tanë megalomanë se është mik i presidentit Trump. Ky quhet Richard Grennell. I tha ambasadorit Grennell se Sazanin e kishte rezervuar për vajzën dhe dhëndërrin e Donald Trump. Dhe ambasadori e njoftoi menjëherë familjen Trump për këtë ofertë të Edi Ramës. Ishullit të Sazanit i shtoi edhe një garniturë të majme, Zvërnecin, si qershia mbi tortë. Ishte një ofertë e lakmueshme kjo. Dikush aty pyeti se për çfarë arsyesh e bën këtë kryeministri i Shqipërisë. Përgjigja ishte e thjeshtë: – Për të vazhduar pushtetin me çdo kusht e me çdo mjet. Pra, “Hajde tokë me shit, kundrejt ruajtjes së pushtetit”!? Kjo është vetëm një paragraph I shkruar atëherë.

Sot më shtohen vazhdimisht dyshimet. Përse do të duhej që ishulli i Sazanit t’i jepet një personaliteti politik, dhëndër i njeriut më të fuqishëm të botës, Donald Trump? Çfarë i duhet Jared Kushner ishulli në fjalë? Rama thotë se i duhet për të zhvilluar turizmin në vendin tone. Por Kushner ka me qindra ishuj të tjerë, shumica në Mesdhe, nga të cilët mund të zgjidhte për qëllime turizmi. Sazani është i fundit në këtë numër kaq të madh ishujsh. Ndaj kam dyshimet e mia: – Vërtet u duhet Sazani për resort turistik? Dhe pse do të duhet që bashkë me ishullin e Sazanit të jepej edhe Zvërneci? Po aeroporti i Vlorës pse u ndërtua me kaq ngut? Nëse qeveria do të kishte prioritete kombëtare, atëherë duhej investuar së pari në autostradën Milot-Shkodër. Ndërkohë që shqiptarët prej dhjetë vitesh gënjehen me një projekt tredimensional të autostradës Milot-Balldre!

I gjithë investimi i qeverisë shqiptare, jo vetëm financiar dhe ekonomik, por edhe politik e më shumë se kaq, është përqëndruar në trekëndëshin Nartë-Zvërnec-Sazan. Ka zëra që e shtrijnë këtë investim deri në Karabarun dhe në Karavasta. Të gjithë shqiptarët paguajnë prej 13 vitesh taksa për investimet strategjike të Edi Ramës në këtë zone. Ku fle lepuri atëherë? Edi Rama zakonisht shpërfaqet kur bën deklarata kontradiktore për këto investime. Ai thotë se investimi është për qëllime turistike. Por pranon se në këto të ashtuquajtura resorte janë planifikuar edhe spitale, shkolla, kopshte etj. Pra na del se ndërtimet nuk janë thjesht resorte turstike, por qendra banimi të përhershme.

Lexo më shumë  Nesho: Protesta, ‘çlirimi i dytë i Shqipërisë’, Rama drejt ‘shkatërrimit politik’, PS në rrezik

Edi Rama thotë se investimi është katër miliard dollarë amerikanë dhe se ky investim e modernizon Shqipërinë. Atëherë vetiu lind pyetja se si mund të modernizohet Shqipëria, kur shqiptarëve u mohohet të shfrytëzojnë pasuritë e tyre për shkak të pamundësisë financiare për të blerë imobiliare?! Kush do t’i blejë këto apartamente? Sigurisht të huajt. Cilët të huaj? Këtë e përcaktoi kryeministri Rama kur gjatë fjalimit të tij në Ksenetin e Izraelit u bëri thirrje atyre të vijnë e të blejnë pasuri të patundshme, sidomos banesa. Nuk ka adresuar asnjë komb tjetër me ofertë speciale për këtë qëllim kreu i mafies shqiptare! Vetëm izraelitët. Po ç’lidhje ka kjo me ishullin e Sazanit?

Mund të them me përgjegjësi se Sazani nuk është e nuk do të jetë resort turistik. Ai ishull ka qenë gjatë gjithë historisë bazë ushtarake ose strehim për piratët ose ushtritë. Në kohën romake ka shërbyer si i tillë. Po ashtu në periudhën e mesjetës dhe deri në kohët e sotme. Destinacioni i këtij ishulli është përdorimi i tij për qëllime ushtarake. Gjatë periudhës komuniste është përforcuar ky destinacion, kur brenda barkut të ishullit u ndërtua një qytet i tërë nën tokë. Mundet që të ndërtohen një ose dy resorte turistike në sipërfaqe, diku në një cep të ishullit. Por përfundimi është përdorimi i ishullit për qëllime ushtarake. Sazani ishte shumë i lakmuar nga Italia gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore. U lakmua nga sovjetikët pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1961, kur u larguan luftëanijet sovjetike nga Sazani, Italia dhe Europa festuan me fishekzjarre. Italia prej asaj kohe kurseu dy million euro shpenzime ushtarake në ditë.

Dhe për çudi, sot është një senator Italian që ka lëshuar alarmin e përdorimit të ishullit të Sazanit për qëllime ushtarake. Nën maskën e resorteve turistike dhe miliarda dollarëve amerikanë që investohen në këtë ishull dhe zonën rreth tij. Senatori italian Marco Lombardo ka reaguar, duke deklaruar se shqetësimet e protestuesve nuk lidhen vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me çështje shumë më të gjera që prekin sovranitetin kombëtar dhe ekuilibrat strategjikë në rajon.

Sipas Marco Lombardo mënyra me të cilën është paraqitur dhe promovuar projekti ngre një sërë pyetjesh që meritojnë një analizë më të thellë. “Ka një pjesë të kësaj historie për të cilën flitet shumë pak dhe që meriton vëmendje”- e nis postimin e tij politikani italian. Senatori ndalet veçanërisht te koncepti i “investitorit privat”, që sipas tij përbën pikën më delikate të gjithë debatit. “Pika ku do të doja të ndaleshim është pikërisht fjala “privat’. Kur blerësi nuk është plotësisht një subjekt privat dhe kur zona në shitje ndodhet në një territor që ka peshë në ekuilibrat ndërkombëtarë të këtyre viteve, ajo që duket si një operacion imobiliar ndryshon tërësisht natyrë. Nuk po blihen vetëm metra katrorë bregdeti. Po vihet dorë mbi një pozicion strategjik“, shkruan ai.

Lexo më shumë  Mercenari e mendon botën mercenarisht; e projekton veten te tjetri dhe më pas te bota

Senatori Lombardo arrin në përfundimin se “Atje mund të ndërtohet herët a vonë një bazë ushtarake. Dhe shton se “Nëse gjërat do të qëndronin vërtet kështu, do të përballeshim me një ndërhyrje të huaj brenda sovranitetit të një vendi tjetër; për më tepër të një vendi që Bashkimi Europian mund ta pranojë deri në vitin 2030 dhe që duhet ta shohim si një partner të ardhshëm, jo si një oborr ku fuqitë vendosin ushtarët e tyre.” Dhe në përfundim ai shtron pyetjet enigmë: A jemi vërtet të sigurt se pas kësaj qëndrojnë privatë dhe jo një transferim sovraniteti i maskuar si operacion imobiliar? A jemi të sigurt se objektivi përfundimtar është një resort luksoz dhe jo, nesër, një bazë ushtarake? A jemi të sigurt se e mira që duhet mbrojtur atje, përtej mbrojtjes së mjedisit dhe flamingove rozë, nuk është vetë sovraniteti i Shqipërisë“?

Dikush mund të thotë se parashtrimet e senatorit italian janë hamendje, insinuata, të pavërteta. Po ta pyesësh Edi Ramën dhe Hashim Thaçin pse u investuan në ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës, të përgjigjen egër: – Kjo nuk është e vërtetë. Ndërsa apologjetët e tyre thoshin „Prisni, nëse ndodh ndarja e Kosovës, pastaj reagoni“! Të njëjtën taktikë po e përdorin edhe sot. Pse duhet të protestoni? Nuk ka projekt! Asgjë nuk është e vërtetë. Qëllimi është që kur të marrë fund gjithçka shqiptarët të ulin kokën e ta pranojnë një realitet të hidhur në të cilin territoret shqiptare u janë dhënë të huajve, madje nën maskën se „Toka është private dhe atë mund ta blejnë edhe të huajt“! Për parantezë: – Në Turqi resortet e ndërtuara nga të huajt nuk lejohet të blejnë produkte bujqësore, përveçse te fermerët turq! Në Shqipëri ndodh e kundërta! Sovran i territorit tone janë Meloni, Jared Kushner, emra të tjerë të të huajve, si dhe të gjithë oligarkët shqiptarë të gatshëm për ta tjetërsuar sovranitetin tonë shtetëror së bashku me Edi Ramën! Ky i fundit kërcënon seriozisht sovranitetin shtetëror të Shqipërisë, ashtu siç kërcënoi vite më parë sovranitetin shtetëror të Kosovës!

YouTube player