KryesoreOpinion/Aktualitet

Edhe Lalit i paskan ngrënë kumbulla dhe dardha pas shpine

Shkruan Andi Bushati

Qesharakëzimi i SPAK për të goditur dallkaukët e vegjël, si mburojë ndaj të paprekshmëve tek të cilët nuk arrin dot, me sa duket do të jetë një proces i pandalshëm. Këtë dëshmon edhe lajmi i arrestimeve për inceneratorin e Tiranës, menjëherë sapo u mbyll kongresi i partisë në pushtet.

Kjo strategji e diktuar nga Edi Rama, se ai bën vepra të mira, por e tradhëtojnë ata që hanë kumbulla dhe dardha pas shpinës së tij, tashmë është kthyer në devizë të Prokurorisë së Posaçme. Ajo e shpëtoi imazhin e shefit të qeverisë nga hetimi për koncesione si ato të shëndetësisë, apo afera e inceneratorëve.
Që në daljen e Edi Ramës para komisionit hetimor të djegësve, kur ai shpalli se veprat janë të mira por faji qëndron tek vesi i disa të marrosurve pas pushtetit abuzuan, kjo parodi është shndërruar në linjë hetimore.

Dhe “heronjtë e fëmijëve tanë”, po e zbatojnë atë si një urdhër politik.

Por, e keqja nuk është se nga adaptimi i kësaj taktike, për të djegur peshqit e vegjël, si mburojë për të mëdhenjtë që nuk i prekin dot, po shpëton Edi Ramën. Tashmë gjithkush e di se në një sistem autokratik, askush nuk guxon të prekë majën e piramidës. Problemi është se alibia që Rama propozoi për të shpëtuar ç’mund të shpëtohet në sytë e publikut, po aplikohet edhe për të mbrojtur njerëzit poshtë tij. SPAK e akuzoi paturpësisht Ilir Beqajn se ai s’kishte qenë në gjendje të dallonte konfliktin e interesit mes vartësve të tij dhe investitorit të sterilizimit.

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Por gjëja më qesharake është se këta prokurorë KAPS, e kanë bërë rrugë këtë mënyrë të menduari dhe vepruari. Arresti i sotëm i krahut të djathtë të Erion Veliajt është konfirmimi më flagrant i këtij fakti. Taulant Tushe, që opozita e ka përshkruar me ngulm si sekserin e punëve të pista të Lalit, duket më tepër si një haraç i negociuar për të mos prekur më lart.

Lexo më shumë  Gjykata Ndërkombëtare Penale po shqyrton lëshimin e urdhër-arrestit për Netanyahun

Ndërkohë që prokurorët kanë në dosje të gjitha shkresat e rolit prej protagonisti të Erion Veliajt tek inceneratori, ata merren me atë që ka ngrënë kumbulla dhe dardha pas shpinës së Lalit. Ata bëjnë sikur e harrojnë se Veliaj ka nënshkruar me dorën e tij, duke anashkaluar këshillin bashkiak, përgjegjësinë financiare për ngritjen e djegësit të Tiranës. Ai ka urdhëruar, si pronari real i koncesionit, se kush mund të depozitojë dherat dhe mbetjet pa para në landfill.

Por këto fakte të bëra publike nuk i tundojnë as për të luajtur qerpikun prokurorët e tredhur, që nuk i shkojnë dot asnjë dosjeje deri në fund. Sa më shumë kohë kalon, aq më tepër po zgjerohet rrethi i të paprekshmëve, që amnistohen me justifikimin se ua kanë futur vartësit. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe në një sistem të ndërtuar për të mos bërë drejtësi, por vetëm goditje propagandistike me regji.

YouTube player