Trembëdhjetë gjëra që mësuam nga protesta e antarësisë së Partisë Demokratike
Pas një periudhe disa mujore të ngjeshur me ato që lideri opozitar i partisë opozitare në Shqipëri, Sali Berisha, i quajti “Foltore”, si dhe pas një vote masive nga antarësia e PD-së për shkarkim të Lulzim Bashës si kryetar i partisë, sot antarësia e kësaj partie, e drejtuar nga Berisha protestoi përpara selisë, duke tentuar që të futen brenda dhe ta marrin në dorë vetë fatin e partisë, e cila, sipas tyre, është e marrë peng nga Basha.
Nga ana tjetër, ata akuzojnë Lulzim Bashën se ashtu siç ka marrë peng Partinë Demokratike, ashtu edhe vetë ai është një peng i kryeministrit Edi Rama.
Çfarë mësua sot duke parë ecurinë e protestës?
Mësuam se:
- Të drejtën e përdorimit të armëve, siç është gazi lotësjellës, nuk e ka vetëm Policia e Shtetit, por edhe Lulzim Basha me ushtarët e tij, të cilët hodhën gaz shumë kohë përpara se policia ta merrte situatën në dorë.
- Partinë Demokratike e kontrollon një person që nuk e ka mbështetjen e antarësisë.
- Liderin formal të PD-së e mbrojnë prej mësymjes së antarësisë në seli një grup special i përbërë prej të fortësh të lidhur me botën e krimit.
- Hedhja e gazit lotsjellës dhe përdorimi i dhunës prej njerëzve të z. Basha, duke qenë se nuk u pa prej Policisë së Shtetit si akt kundërligjor, do të thotë se strukturat shtetërore dhe udhëheqësia ilegjitime e Partisë Demokratike janë në kordinim të plotë.
- Lulzim Basha vazhdon ta mbajë Partinë Demokratike fal ndihmës që i vjen prej Policisë së Shtetit dhe vetë pushtetit të kryeministrit Rama, kundër Sali Berishës dhe antarësisë së PD-së.
- Përplasja e antarësisë së Partisë Demokratike me Lulzim Bashën është përplasje e Partisë Demokratike me kryeministrin Rama.
- Kryeministri Rama nuk ka zaptuar vetëm ekzekutivin, legjislativin, gjyqësorin, policinë, administratën dhe shumicën e medias, por edhe vetë partinë më të madhe opozitare.
- Protesta e antarësisë së PD-së nuk është protestë kundër PD-së, por është protestë që synon çkapjen e Partisë Demokratike prej pushtetit dhe kontrollit që ka mbi të kryeministri Rama.
- Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e shkuara është meritë e padiskutueshme e vartësit të z. Rama, i cili njihet formalisht si kryetar i Partisë Demokratike.
- Një opozitë e kapur dhe parandalimi i lindjes së subjekteve të rinj politik garanton një pushtet me disa mandate të tjerë për Partinë Socialiste, liderin e saj, si dhe liderin që do të vij.
- Shqipëria është shtet policor, ku potencialitetin dhe aktualitetin politik e përcakton ai që e ka në dorë policinë.
- Shqiptarët dinë të protestojnë për partinë, edhe kur ajo është e kapur, por jo për Shqipërinë, pavarësisht se ajo ka qenë gjithnjë e kapur.
- Politika shqiptare është po aq e vjetër, pa imagjinatë, pa sfond ligjërimor dhe pa risi sa ç’është lideri i protestës së sotme, Sali Berisha.
©Rruga Press