Lajme

Dy persona pranojnë fajësinë për huliganizëm në protestën në Zveçan

Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët u arrestuan më 29 maj të vitit të kaluar në Zveçan në veri të Kosovës, gjatë përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kanë arritur një marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe kanë pranuar fajësinë për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.

Pas pranimit të fajësisë, ata janë lënë të lirë. Kështu konfirmoi për gazetarët para Gjykatës Themelore në Prishtinë avokati Asdren Hoxha. Ai sqaroi se paraprakisht janë hedhur poshtë tri vepra të tjera penale që rëndonin ndaj të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, që u ngrit më 5 shkurt të këtij viti, ata akuzoheshin se “kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, kanë “rrezikuar personat nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe po ashtu ishin akuzuar për “sulm ndaj personit zyrtar”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

“Gjykata miratoi atë për të cilën kemi rënë dakord. Sa i përket Radosh Petroviqit, gjashtë muaj burgim i është shndërruar në gjobë. Ndërkaq, Dushan Obrenoviq, që ka qëndruar në paraburgim, ajo kohë i është përfshirë në dënimin e tij”, sqaroi Hoxha.

Dushan Obrenoviq ishte në paraburgim për gjashtë muaj, por në fund të nëntorit të vitit 2023 u lirua për t’u mbrojtur në liri. Ndërkaq, Radosh Petroviq, u lirua nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri qershorin e vitit të kaluar.

Në mesin e vitit të kaluar, policia e Kosovës arrestoi dhjetë pjesëtarë të komunitetit serb për sulme ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, për akuza kundër rendit kushtetues të Kosovës dhe për sulme ndaj gazetarëve.

Në veri, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e rinj shqiptarë. Kjo u kundërshtuar nga popullata vendase serbe, që nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit, votime që i bojkotoi.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me KFOR-in dhe mbi 100 persona u plagosën nga të dyja palët.

Rruga Press

YouTube player