Lajme

Dy orë ajrosje, me televizor dhe frigorifer/ “Brenda” qelisë së Saimir Tahirit në katin e dytë të burgut të Fierit!

Pasditen e djeshme ka mbërritur në Burgun e Fierit ish- ministri Saimir Tahiri, ku do të kryejë dënimin prej 3.4 vitesh.

Ai ka lënë “313”-ën pas orës së drekës dhe ka mbërritur në Fier rreth orës 17:30, me një furgon të shoqëruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin e tij në Burgun e Fierit, seksionin e sigurisë së zakonshme, ndërsa vendimi është marrë po ditën e djeshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Ai la paraburgimin e “313”-ës mesditën e djeshme, ku u vendos që në momentin kur Apeli i Gjykatës së Posaçme dha vendimin për dënimin e tij. Tahiri u tha se do të transferohej në një burg tjetër të sigurisë së zakonshme, ashtu siç e përcaktonte edhe Gjykata në vendimin e vet. Sipas të dhënave, ai nuk ka shfaqur asnjë pretendim duke e lënë në duart e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve zgjedhjen e vendit të vuajtjes së dënimit. Kështu, dje u mor vendimi që ai të transferohej në Burgun e Fierit, ku do të nisë vuajtjen e 3.4 viteve të dënimit dhe, njëkohësisht, edhe betejën me Gjykatën e Lartë për të rrëzuar vendimin e dhënë më 5 shkurt nga Apeli i GJKKO-së.

TRANSFERIMI

Sipas të dhënave që vijnë nga Burgu i Fierit, bëhet me dije se ish-ministri do të qëndrojë në një qeli i vetëm. Kjo periudhë e qëndrimit të tij vetëm mësohet se do të zgjasë 14 ditë, kjo jo vetëm për shkak të periudhës së mbikëqyrjes së gjendjes së tij, por edhe për shkak të masave të sigurisë kundër virusit Covid. Tahiri mësohet se është vendosur në katin e dytë të godinës së seksionit të sigurisë së zakonshme, në burgun që ka një kapacitet prej 800 personash. Sipas të dhënave, ai do të ketë kushte normale në qeli, të njëjta me të tjerët, ku përfshihen sendet të zakonshme, si TV dhe frigorifer. Do të ketë dy orë ajrosje që do ta zgjedhë ai nëse do të jetë i vetëm apo me të tjerë dhe katër takime në muaj me familjarët dhe takim special një herë në muaj, ashtu siç e parashikon ligji.

Lexo më shumë  Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Ish-ministri i Brendshëm do të qëndrojë në këtë burg për të kaluar dënimin e përcaktuar nga Gjykata, ndonëse dy avokatët mbrojtës të tij do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, ku besojnë se do të rrëzojnë vendimin e dhënë për dënimin e tij. Ata kanë artikuluar publikisht edhe pikën në të cilën do të mbështesin bazën e rekursit për klientin e tyre, pikërisht akuzën ku u bazua Gjykata në vendim.

Beteja e re e Tahirit do të zhvendoset në Gjykatën e Lartë

Në 8 argumentet e Gjykatës për vendimin e dënimit të ish-ministrit u tha se Tahiri me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka ndikuar në përhapjen e fenomenit të kultivimit të kanabisit, duke e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Dënimi i tij me 5 shkurt u duk sikur shënoi fundin e një çështjeje që u zvarrit prej disa vitesh në radhët e shumë gjykatave, por me sa duket, do të vijojë sërish. Radhën e ka Gjykata e Lartë, atje ku pritet që mbrojtja të depozitojë rekurs dhe t’i kërkojë kësaj Gjykate shqyrtimin brenda afateve ligjore, për të evituar radhën e gjatë të stokut të rekursve që gjenden në atë godinë.

Lexo më shumë  Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Edhe pse Tahiri nuk e komentoi fare vendimin e Apelit të GJKKO-së, vetëm publikisht tregoi se ishte i pafajshëm, Maks Haxhia, njëri nga avokatët e tij nuk ka reshtur për asnjë moment të flasë jo vetëm për shkeljet e gjykatës në atë vendim, por madje edhe për pafajësinë e klientit të tij. Sipas Haxhisë, dënimi për veprën penale të shpërdorimit të detyrës nuk është kompetencë e kësaj Gjykate dhe SPAK nuk ka mundur të vërtetojë asnjëherë me prova lidhjet e Tahirit me Habilajt gjatë hetimeve.

SPAK, në pretencën e vet, në fakt kërkoi 12 vite burg për Tahirin dhe, nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi që Tahiri të shpallej i pafajshëm, këmbëngulje që do të vijojë dhe avokatët kanë besim se do ta fitojnë çështjen në shkallën më të lartë të gjyqësorit, atje ku kjo çështje ishte edhe më parë. Çështja “Tahiri” u regjistrua në GJKKO më 26 nëntor 2021, pasi më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë, gjykatë që pretendoi në vendimin e saj se çështja ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020 të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trupë gjyqësore. Apeli i Posaçëm, në vendimin e asaj kohe, tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori. Tahiri u shpall fajtor për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe u dënua me tri vite shërbim prove. /Panorama.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *