DW: Shqiptarët “thithin” vdekjen, ekonomia e ndërtuar mbi ndotjen
Tirana dhe Elbasani kryesojnë listën e qyteteve më të ndotur të Shqipërisë. Burimi kryesor i ndotjes së ajrit janë sektori i ndërtimit, automjetet e vjetëruara dhe industria e rëndë.
Vullnetarë të projektit “Mushkëri të Gjelbra për qytetet tona” në Shqipëri janë që prej vitit 2017 në terren për të monitoruar cilësinë e ajrit në Tiranë, ku është edhe përqëndrimi më i madh i banorëve, i ndërtesave dhe i automjeteve. Tri vitet e fundit ata kanë monitoruar në mënyrë të pandërprerë cilësinë e ajrit në Tiranë, duke u shtrirë më pas edhe në qytetet e Elbasanit, Durrësit, dhe Shkodrës nëpërmjet 1.200 pikave të ndryshme monitorimi.
Rodion Gjoka, ekspert mjedisi dhe pjesëtar i projektit të financuar nga BE që në zanafillën e tij, thotë se tashmë e gjithë Tirana është e ndotur. “Çdo kryqëzim i madh brenda dy apo tre unazave kryesore të Tiranës është një ‘hotspot’ për sa i takon gjenerimit të ndotjes që vjen nga automjetet. Zona më pak të ndotura në qytet janë zonat ku kanë zgjedhur të jetojnë pushtetarët, pra ‘Rolling Hill’s dhe fshatrat që ndodhen në periferi të Tiranës. Gjithë pjesa tjetër që jeton në Tiranë, dhe nga vetë fakti i karakteristikave topografike që ka Tirana, e cila ndodhet në një fushë grope, bën që ndotja të akumulohet dhe të qëndrojë për një periudhë të zgjatur”.
Ndjeshëm mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së
Në gjetjet e bëra këto vite në Tiranë, Rodioni dhe ekipi i tij listojnë si problematike dioksidin e azotit (NO2) që emetohet nga djegia e karburanteve dhe PM2.5, grimcë e ngurtë me diametër 2.5 mikronë që gjenerohet kryesisht nga sektori i ndërtimit dhe djegia e karburantit, që janë ndjeshëm mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së.
“Burimi kryesor i ndotjes së ajrit janë burimet difuze që përgjithësisht vijnë nga marmitat e makinave që lëvizin nëpër Tiranë. Në Tiranë lëvizin mbi 200.000 makina në ditë, pjesa më e madhe e të cilave, dhe pse ky raport ka ndryshuar vitet e fundit, janë motorë të cilët janë të vjetëruar, pra janë Euro3, Euro4, ka dhe Euro 5, Euro6 por shumica janë motorë të vjetëruar të cilët nuk bëjnë djegien deri në fund të karburanteve. Pastaj është edhe cilësia e karburanteve. Pavarësisht sa i mirë mund të jetë motori, nëse cilësia e karburantit është e keqe, patjetër që shumë nga radikalet apo nga pjesëzat parciale të molekulës së karburantit do të çlirohen si ndotës në gaz, dhe këtu janë të gjithë dioksidet e azotit, të squfurit, plumbi dhe të gjithë metalet e tjera të rënda të cilat qëndrojnë pezull në ajër. Kjo është një anë, dhe ana tjetër që në një mënyrë apo në një tjetër është difuze është edhe ky boom-i i madh i ndërtimeve në Tiranë, i cili ndikon tek pjesëzat ose grimcat e ngurta që qëndrojnë pezull në ajër, që janë PM2.5 dhe PM10.
Këto janë përgjithësisht materiale inerte, pluhurat, rërërat, çdo gjë që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit i cili tashmë është difuz për fat të keq sepse nuk kemi një zonë të caktuar ku ndërtohet në Tiranë por ndërtohet gjithandej” – thotë Olsi Nika, ekspert mjedisi nga shoqata Eco Albania.
PM2.5, grimca që të gjithë e shmangin
Elementët ndotës që maten nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit janë PM2.5, PM10, grimca me diametër 10 mikronë që shkaktohet nga industria e ndërtimit, depot e plehërave, djegia e mbeturinave, dioksidi i squfurit, (SO2), i cili emetohet nga djegia e karburanteve fosile dhe shkrirja e mineraleve, dioksidi i azotit, monoksidi i karbonit (C0) që emetohet nga djegia jo e plotë e karburanteve dhe benzeni, që emetohet nga djegia e qymyrit dhe naftës si dhe motorët e vjetëruar të makinave.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni kryesor për monitorimin e mjedisit dhe të cilësisë së ajrit, i pranon vlerat e larta të ndotjes në Tiranë, por e shmang përmendjen e grimcës PM2.5, më të rrezikshmes që gjendet në ajër, sipas ekspertëve. Udhëzimet e OBSH-së thonë se përqendrimet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub (µg/m 3), por që në realitetin e Tiranës, shpeshherë kalojnë edhe 10-fishin e normës së lejuar.
“Rezulton që në Tiranë jemi mbi normat e Bashkimit Europian për PM10 dhe për NO2, që është dioksidi i azotit. Janë të dy parametra që si burim kryesor të ndotjes kanë ndërtimet edhe trafikun rrugor, ndërsa në Elbasan kemi vetëm tejkalim të PM10. PM10 është diku në vlerën 10% mbi normën e Bashkimit Europian. Përsa i përket dioksidit të azotit është në vlera të larta por është brenda normës së lejuar. E shohim që kemi prani të NO2 në matjet tona por është brenda normës së lejuar”, thotë Vanela Gjeci, Shefe sektori në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Elbasan: Problematik niveli i plumbit dhe i metaleve të tjerë të rëndë
Nikolla Civici ka drejtuar për shumë vite Insitutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 2014-2018, ky institucion ka monitoruar rregullisht cilësinë e ajrit në të gjithë Shqipërinë. “Parametrat që ne analizonim ishin PM10, PM2.5, niveli i plumbit dhe metaleve të tjerë të rëndë. Përgjithësisht situata gjatë këtyre viteve ka qenë problematike me plumbin në Elbasan. Kryesisht ishin emetimet e Uzinës Metalurgjike atje, që kur frynin erërat në një drejtim të caktuar, e çonin gjithë tymin në qytetin e Elbasanit. Ndërsa për Tiranën, problematik ka qenë PM2.5. PM2.5 pothuajse gjithmonë, në pjesën më të madhe të ditëve të vitit, ka qenë mbi nivelet e lejuara.
Grimcat e PM10-ës kryesisht janë grimca të mëdha të cilat frenohen në pjesën e sipërme të frymëmarrjes dhe nuk kanë ndonjë rrezikshmëri aq të lartë saç janë grimcat me dimension 2.5 sepse ato depërtojnë në mushkëri kështu që janë të më të rrezikshmet. Zakonisht për këto vendosen limite të rrepta të cilat ekzistojnë edhe në legjislacionin tonë. Ulja e tyre është shumë e vështirë qoftë nga emetuesit, qoftë nga burime të tjera nga të cilat ato vijnë” – thotë Prof.Dr. Civici.
Sistem ekonomik i ndërtuar mbi ndotjen
Për Ervin Gocin, pedagog dhe një ndër zërat më të fortë të shoqërisë civile, sidomos kundër betonizimit të Tiranës, autoriteteve nuk u leverdis të pranojnë shifrat përtej çdo norme. “Po të pranosh realitetin do t’u thuash njerëzve: Ju kërcënoheni nga vdekja. Dhe kjo është jo vetëm një përgjegjësi e institucioneve që me plot gojën e quaj kriminale, sepse të luash me shëndetin e qytetarëve është kriminale dhe jam 1000% i sigurt se ata e dinë këtë gjë. Problemi më i madh nuk është se Tirana është e ndotur tani. Problemi më i madh për mua është që këtu është vendosur një sistem ekonomik i cili është i ndërtuar mbi ndotjen. Ne po e paguajmë me mushkëritë tona. Pse? Sepse që në momentin që ti thua që unë 60% të taksave të qytetit do t’i nxjerr nga ndërtimi u thua qytetarëve që “përgatituni, bëhuni gati ,sepse këtu do të derdhen mijëra kub beton”. Dhe mijëra kub beton ne e dimë shumë që është ndotje”.
Në Zvicër, Kompania IQAir, një ndër më seriozet në botë për matjen e cilësisë së ajrit, monitoron situatën në mbi 140 shtete të botës. Drejtuesi i saj, Frank Hammes, thotë se nga gjashtë ndotësit kryesorë që masin qeveritë, PM2.5 është ai më i rrezikshmi, i cili gjendet dhe në Ballkan. “Të dhënat që kemi nga Shqipëria për momentin janë të dhëna satelitore dhe këto të dhëna nuk janë të besueshme përsa i përket kohës dhe saktësisë, krahasuar me të dhënat që merren nga stacionet. Në mënyrë që ne të kuptojmë se çfarë po ndodh na nevojiten të dhëna nga stacionet, por fatkeqësisht për momentin nuk i kemi në këto qytete, Tiranë dhe Elbasan. Ne nuk i përfshijmë të dhënat satelitore. I japim në kohë reale si të dhëna por nuk i përfshijmë në raportin vjetor për cilësinë e ajrit, sepse nuk janë të besueshme.”
Institucionet e bëjnë veshin shurdh
Ne iu drejtuam për intervistë zyrës së shtypit në Bashkinë Tiranë, në lidhje me këtë temë. Nuk morëm asnjëherë përgjigje. Refuzim morëm edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Ky institucion, që ka përgjegjësinë e monitorimit të shëndetit të popullatës, pranoi zyrtarisht se “gjatë kësaj periudhe nuk janë zhvilluar studime të detajuara”, pa përcaktuar kohëzgjatjen e periudhës.
Një tjetër problematikë e krijuar me matjen e cilësisë së ajrit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit ka qenë edhe mangësia në monitorim dhe informacion. Agjencia Europiane e Mjedisit, agjenci e Bashkimit Europian që ofron informacion të pavarur mbi mjedisin, thotë se: “Fatkeqësisht Shqipëria nuk ka raportuar të dhëna mbi cilësinë e ajrit që nga viti 2019, kur na janë raportuar matje vetëm nga një stacion monitorimi i PM2.5. Për ndotësit e tjerë të ajrit ne nuk disponojmë të dhëna, të paktën që nga viti 2017”. Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon që matjet kanë qenë të pjesshme, por vetëm për vitet 2019-2022.
Viktimat e ajrit të ndotur
Sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, “Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekjeve në rajon, për 100 mijë banorë, si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit”, që krijohet nga kombinimi i gazrave të dëmshëm që emetojnë automjetet nga mosdjegia e plotë e karburantit apo cilësia e dobët e tij, në ditët me temperatura shumë të larta. Sipas të dhënave të të njëjtit institucion, në periudhën 2017-2021 në Shqipëri kanë humbur jetën 5.410 vetë, si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj PM2.5 e dioksidit të azotit dhe ekspozimit afatshkurtër ndaj ozonit.
Mjeku pneumolog Ardian Jorgji, thekson se ajri, toka dhe uji i ndotur shkaktojnë shumë çrregullime, duke nisur nga sëmundjet e lëkurës, çrregullimet nervore, sëmundjet e aparatit respirator që nga fenomenet alergjike, astma, bronkitet, sëmundjet kronike të mushkërisë, deri dhe kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet hepatike, ato renale, diabetike, endokrinologjike dhe të rrugëve urinare.
Kur bën krahasimin e rasteve ndër vite, mjeku Jorgji vëren shtim të tyre në punën e tij të përditshme. “Tendenca është në rritje. Jo vetëm numri, por po shikoj gjithnjë e më tepër mosha të reja të ndikuara nga këto ndryshime. Po jap një faktor të thjeshtë. Të tërë jemi dëshmitarë, të paktën vizualë, të shtimit të sasisë së polenit në qytet. Nga ana shkencore, është provuar që ka një paralelizëm për sa i përket shtimit të dioksidit të karbonit dhe shtimit të polenit në ajër. Fenomenet alergjike janë shtuara në masë. Fëmijët me probleme që në moshën fëminore mund të justifikohen deri diku nga ana shkencore nëpërmjet trashëgimisë por nuk mjafton. Është përpara nesh fakti që ndotja jo vetëm është e pranishme por edhe e shtuar ndër vite”.
Ndotje e shtuar ndër vite
Fatkeqësisht larminë e sëmundjeve, 68-vjeçarja Bedrie Gërduqi, banore pranë ish-Uzinës së Metalurgjikut në Elbasan, e gjen tek vetja. “Gjithë alergji janë fëmijët dhe ne. Gjithë teshtima, na kapin gripërat shumë shpesh. Moshën e vjetër po e prek çdo sëmundje në kockë, në zemër, në mushkëri.
Nuk mbushen njerëzit dot me frymë. Janë bllokuar. Edhe unë sëmurë jam. Me mushkëri, me diabet, me tension, me zemër, me të gjitha. Nuk ka njeri të saktë këtu, në këtë lagjje që jetojmë ne. Mirë ne, po fëmijët… Sa lind fëmija bllokohet, do ta çosh një herë në dy javë në spital” – shprehet ajo e shqetësuar.
Zgjidhje apo rrugë pa kthim?
“Duhet parë për zgjidhje. Një nga zgjidhjet është reduktimi i përdorimit të makinave. Por në gjykimin tim nuk besoj se zgjidhja nuk është ajo që propagandohet, pra që të përdorim më shumë biçikleta. Patjetër që është mirë për mjedisin dhe për këdo por biçikleta nuk duhet të jetë një përdorim alternativ i përdorimit të makinës. Duhet të jetë një mjet alternativ i përdorimit të transportit publik, pra duhet gjetur zgjidhja tek transporti publik i cili duhet të jetë efektiv, efiçent dhe sa më pak ndotës se dhe ata janë ndotës të mëdhenj. Kur flasim për makina apo motorë të vjetëruar, ata janë të parët që duhen parë” – thotë Olsi Nika nga “Eco Albania”.
Drejtuesi i IQAir, Hammes, e sheh pikën e kthesës për përmirësimin e situatës, tek qeveritë. “Zakonisht mesazhi ynë për qeveritë është: Ndotja e ajrit është një përpjekje e përbashkët dhe pakësimi i ndotjes së ajrit dhe të pasurit e një ajri më të pastër është vërtet një nevojë e shëndetit publik. Shpeshherë qeveritë mendojnë se identifikimi i ndotjes së ajrit mund të jetë një problem. Por mendoj se është më mirë të identifikojmë dhe punojmë së bashku me këdo që ta zgjidhim situatën”.
Për fizikantin Civici, bashkëpunimi mes institucioneve dhe investimet janë çelësi për përmirësimin e situatës. “E para, duhet një bashkëpunim më i mirë mes institucioneve, sepse Agjencia e Mjedisit nuk është në gjendje që të mbulojë të gjithë problematikën e ndotjes së ajrit, qoftë në Tiranë por qoftë dhe në të gjithë Shqipërinë. Dhe nga ana tjetër duhet një financim serioz në mënyrë që të gjitha ato stacione që do të ngrihen, dhe ato stacione që janë dhe ndoshta nuk punojnë tani, të vihen në punë dhe të kryejnë detyrën për të cilën janë blerë, pra të masin parametrat e ndotjes dhe në të njëjtën kohë të detyrojnë vendimmarrësit që të kërkojnë zbatimin e limiteve që kanë vendosur vetë”. /DW/
Rruga Press