Bota

DW: Maas pret sanksione të tjera kundër Bjellorusisë

Ministri i Jashtëm gjerman Maas pret një ashpërsim të sanksioneve kundër Bjellorusisë. Lukashenko thotë se po përpiqet që refugjatët të kthehen.

Politikani socialdemokrat tha në kuadër të një takimi me homologët në Bruksel se masat duhet të synojnë personat e përfshirë në trafikimin e emigrantëve drejt kufirit të jashtëm të BE. Përveç kësaj, do të flitet për sanksione të ashpra ekonomike.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërcënoi më tej se do të hiqen të drejtat e fluturimit dhe uljes së linjave ajrore nëse ato vazhdojnë të sjellin emigrantë në Bjellorusi. I Ngarkuari i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme Josep Borrell njoftoi gjithashtu një paketë të re sanksionesh. Ai theksoi se përpjekjet për të ndaluar fluturimet me njerëz nga vende të ndryshme të krizës tashmë po jepnin efekt.

Iraku dëshiron të rikthejë njerëzit

Mijëra njerëz nga rajonet e krizës si Siria dhe Jemeni kanë pritur prej ditësh në kufirin Bjellorusi-Poloni. Pas kërcënimeve nga BE, disa linja ajrore njoftuan se po pezullonin fluturimet e tyre drejt Bjellorusisë ose se nuk do të transportonin më atje pasagjerë nga disa vende. Iraku dëshiron të rikthejë qytetarët që duan të fluturojnë në atdhe të enjten.

Lexo më shumë  “Autoriteti Palestinez i gatshëm ta qeverisë Gazën”, njofton kryeministri i Palestinës

Qytetarët irakianë mund të kthehen në shtëpi mbi baza “vullnetare” të enjten, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ahmed al-Sahaf në televizionin irakian të hënën në mbrëmje, sipas mediave arabe. Autoritetet irakiane “regjistruan 571 irakianë” në zonën kufitare, të cilët ranë dakord të kthehen vullnetarisht në shtëpi, tha ai.

Në të njëjtën kohë, linja ajrore kombëtare bjelloruse Belavia tha në një deklaratë se nuk do të pranojë më pasagjerë nga Afganistani, Iraku, Siria dhe Jemeni në fluturimet nga Dubai në Minsk. Ndalimi u vendos me kërkesë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

BE akuzon kreun e shtetit, Aleksander Lukashenko, për sjelljen e qëllimshme të refugjatëve në kufirin e jashtëm të BE. Brukseli akuzon Bjellorusinë për trafikimin e refugjatëve drejt BE në shenjë hakmarrjeje për masat ndëshkuese të marra më parë nga BE.

Lukashenko me tone të zbutura

Presidenti Lukashenko tani ka folur në lidhje me krizën e refugjatëve në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë. Sipas agjencisë së lajmeve Belta, vetë Lukashenko ka thënë se po përpiqen në mënyrë aktive të bindin emigrantët të kthehen në shtëpi – por pa sukses.

Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta e citon atë të ketë thënë se po bëhen përpjekje aktive për të bindur emigrantët që të kthehen në atdhe. Por askush nuk dëshiron të kthehet. Përveç kësaj, bëhet e ditur se Lukashenko dëshiron të shmangë një konflikt kufitar me Poloninë./DW/

RRUGA PRESS

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *