Lajme

Dugolli i kërkon Gjykatës Speciale të nisë hetime për masakrën e Dubravës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe njëri nga të mbijetuarit e masakrës në burgun e Dubravës, Enver Dugolli, ka bërë të ditur të shtunën se ka dërguar dëshmi dhe i ka bërë kërkesë Gjykatës Speciale për nisjen e hetimeve lidhur me ngjarjen e vitit 1999.

Ai nëpërmjet një konference për shtyp, ka bërë të ditur se pas dorëzimit të fakteve pret që prokurori special i Dhomave të Specializuara në Hagë, Alex Whiting, të iniciojë hetime rreth masakrës dhe që të dëshmojë se Gjykata nuk është njëetnike.

“Nëse Gjykata Speciale nuk është njëetnike, atëherë nuk ka arsye që të mos kryhen hetimet për këtë krim”, ka thënë ai.

Dugolli ka shprehur vërejtjen se që nga viti 1999 asnjë zyrtar serb nuk është akuzuar nga ndonjë gjykatë për këtë krim.

“Ka ardhur koha për t’i dhënë fund kësaj mosndëshkueshmërie. Kërkesa ime drejtuar prokurorit të specializuar përbën dëshmi të mjaftueshme për të hapur hetime dhe eventualisht për të ngritur akuza që janë të bazuara në fakte, argumente kundër zyrtarëve të lartë të Serbisë të asaj kohe, të cilët planifikuan dhe kryen masakrën e Dubravës”, ka theksuar ai.

Lexo më shumë  Maqedonci me detaje nga Londra: Sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore për FSK-në e industri e mbrojtjes

Dugolli ka bërë të ditur se kërkesa e tij përbën fakte të mjaftueshme për hapjen e hetimeve dhe për ngritjen e akuzave. Ai ka theksuar po ashtu se krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përmendur më shumë se një herë në raportin e Dick Martyt.

“Në mënyrë që Gjykata Speciale të ketë juridiksion për të trajtuar një krim të caktuar, nuk ka nevojë që ai krim të ishte temë kryesore e raportit të z. Marty. Në fakt, titulli i raportit sugjeron se tema kryesore e tij ka qenë trafikimi i organeve, mirëpo, asnjë aktakuzë nuk është ngritur deri më sot lidhur me atë krim të hamendësuar, por vetëm me krime të tjera të përshkruara në atë raport. Sipas Ligjit, pra, mjafton që një krim të ketë ndonjë lidhje me raportin, sado të vogël dhe prokurori ka kompetencë për ta hetuar. Krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përmendur shprehimisht, madje edhe më shumë se një herë, në raportin e Dick Martyt”, është shprehur ai.

Lexo më shumë  Kosova nënshkruan marrëveshje me Britaninë dhe Irlandën e Veriut në fushën e mbrojtjes

Dugolli ka shtuar se shumë nga kryesit serbë të krimeve në Kosovë janë ende janë të pandëshkuar.

KOHA u ka dërguar pyetje Dhomave të Specializuara lidhur me këtë çështje, porse nuk ka marrë përgjigje.

Masakra në burgun e Dubravës është kryer nga 19 deri më 24 maj të vitit 1999, gjatë së cilës kohë brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë, ndërsa janë plagosur 300 të tjerë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *