Dugolli: Është sinjal i keq të dorëzohemi para kriminelëve në veri
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, nuk ka dhënë shenja se Qeveria e Kosovës do t’i dëgjojë kërkesat e ndërkombëtarëve, sidomos atyre të ShBA-së.
Dugolli në “Five”, tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka eskaluar situatën në veri, atë sipas tij, e kanë bërë bandat kriminale, të cilat kanë ardhur nga Serbia dhe vende të tjera.
“Ne jemi të interesuar ta deesaklojmë situatën, por nuk është në dorën e Qeverisë ta deeskalojë, s’e kemi eskaluar ne, e kanë eskaluar bandat e krimit të ardhura nga Serbia, le të ikin ata nga ku kanë ardhur, apo të dorëzohen vendin e kanë në burg, qetësohet situata”, ka thënë ai.
Dugolli ka thënë se njësia speciale në veri nuk mund të tërhiqet, sepse sipas tij, do të dërgonte sinjal negativ te grupet kriminale.
“Është sinjal i keq të dorëzohemi para kriminelëve. Do t’i arrestojmë në momentin që janë të kapshëm për organet e rendit, sepse janë të identifikuar, nuk mund të ketë tërheqje të njësisë, përdresia ka grupe kriminale”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Kurti koordinohet me ndërkombëtarët, por sipas tij, ai ka edhe obligime ligjore që duhet t’i zbatojë.
Rruga Press