Bota

Drejtori i CIA-s: Putini me vetëbesim të tepruar, mendon se mund të mposhtë Ukrainën

Teksa lufta në Ukrainë hyn në vitin e dytë, Drejtori i CIA-s, William Burns tha të dielën se presidenti rus, Vladimir Putin ka vetëbesim të tepruar tek aftësia e ushtrisë ruse për ta detyruar gradualisht Ukrainën që të dorëzohet.

Gjatë një interviste televizive, Burns tha se kreu i shërbimeve ruse të zbulimit pati shpalosur gjatë një takimi në nëntor një ndjesi arrogance dhe krenarie të tepruar në të njëjtën linjë me vetë Putinin se “mundet ta shfrytëzojë kohën në favor të tij, se ai beson se mundet ta dërrmojë gradualisht Ukrainën, se mundet t’i lodhë aleatët evropianë dhe se me kalimin e kohës do të zërë vend edhe një lodhje politike”.

Kjo bisedë, gjatë së cilës Burns tha se paralajmëroi për pasoja në rast se Rusia do të përdorte një armë bërthamore në Ukrainë, ishte “shumë dekurajuese”, sipas tij.

Burns tha se mendon se Putini është “shumë i vendosur” për ta vazhduar luftën, megjithë humbjet në radhët e ushtarëve, disavantazhet taktike dhe ekonomike, si dhe dëmin ndaj reputacionit të Rusisë.

Lexo më shumë  “I famshëm” për qëndrimet kundër NATO-s/ Zgjedhjet presidenciale në Rumani, kandidati pro rus është favorit

“Mendoj se Putini në këto momente ka vetëbesim të plotë tek aftësia e tij… për ta dëmtuar gradualisht Ukrainën”, tha Burns gjatë një interviste për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, që u transmetua të dielën.

Burns tha se “në një moment të caktuar, atij do t’i duhet të përballet edhe me kostot në rritje, me arkivolë që do të kthehen në disa prej zonave më të varfëra të Rusisë”, zona nga ku ai tha se janë shumë prej rekrutëve që “përdoren si mish për top”.

Burns tha gjithashtu se Putini po nënvlerëson vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën dhe se nga eksperienca e tij ka konstatuar se pikëpamjet e udhëheqësit rus janë se amerikanët “kanë çrregullime në përqëndrimin e vëmendjes dhe se shumë shpejt do të orientohen drejt temave të tjera”.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Këto komente vijnë në një moment jetik të luftës, ndërsa administrata e presidentit Biden ka krijuar bindjen se drejtuesit kinezë janë duke shqyrtuar nëse duhet ta furnizojnë Rusinë me armatime.

“Kjo do të ishte shumë e rrezikshme dhe jo e mençur” tha Burns, duke shtuar se një lëvizje e tillë do të tensiononte më tej marrëdhëniet mes dy vendeve me ekonomitë më të mëdha të botës. “Prandaj shpresoj shumë që të mos veprojnë kështu”, tha ai.

Burns tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping, ka vëzhguar nga afër se si është zhvilluar lufta dhe “mendoj se në shumë mënyra ai është trazuar dhe kthjelluar nga ato çfarë ka parë”.

Drejtori i CIA-s foli për situatën se “ku e ka sjellë arroganca e Putinit tashmë Rusinë” dhe tha se në sistemet autoritare, ku “askush nuk sfidon” udhëheqësin, “mund të bësh gabime të jashtëzakonshme”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *