Kuriozitete

“Dragoi gojështizë” i Australisë, një specie e pterozaurëve apo zvarranikëve fluturues

Studiuesit australianë thonë se kanë zbuluar një nga llojet e zvarranikëve fluturues parahistorikë më të mëdhenj të kontinentit. Pterozauri mendohet se ka jetuar në tokë dhjetëra milionë vite më parë, kur Australia ishte e gjitha nën ujë.

Qiejt australianë të 110 milionë viteve më parë mund të jenë sunduar nga një qenie si dragua, fosilet e të cilit janë bërë tani objekt studimi.

“Tapungaka shaui” është emri që studiuesit australianë i kanë vënë pterozaurit apo zvarranikut fluturues më të madh të Australisë.

Nofulla e poshtme e fosilit u gjet në verilindjen të vendit, në shtetin e Kuinslendit, dhe daton nga periudha kretake para 145 deri 65 milionë vitesh.

“Nuk është zog. Nuk është dinozaur. Zogjtë i ngjajnë më shumë dinozaurëve, faktikisht, por ky është një pterozaur i cili dikur fluturonte, dhe specie të tilla kanë jetuar që 230 milionë vite më parë gjatë periudhës së vonë të Triasikut.”

Tim Riçards dhe Stiv Salisbëri janë profesorë në Universitetin australian të Kuinslendit dhe autorët e studimit mbi zbulimin e fundit.

Sipas tyre, pterozaurët ishin qenie të mahnitshme dhe të frikshme në parahistori, të cilat atëkohë ushqeheshin kryesisht me peshq dhe ushqime deti.

“Praktikisht ishin si dragonjtë që mendojmë ne. Kishin krahë me cipa të holla si lakuriqët e natës, por dallimi është se pterozaurët kishin një gisht të katërt të zgjatur, më shumë kthetra. Pra ishin si një kafkë me një qafë të gjatë dhe një palë krahë diku te shtatë metra të gjera.”

“Një dragua fluturues. Një dragua gojështizë do të ishte emërtimi më i saktë. Pra, mendojmë se kishte një hapje krahësh 7-metërshe dhe kafka me sqepin ishin rreth 1 metër, me gati 40 dhëmbë dhe kishin një kreshtë të pazakontë kockore në nofullën e poshtme, ndoshta edhe sipër, që e ndihmonte kur kapte peshqit nga uji.”

Kur kjo specie jetonte, studiuesit thonë se 60 për qind e kontinentit australian duhet të ishte nën ujërat e deteve të cekët.

Përmasat e bëjnë “Tapungaka Shauin” një nga zvarranikët fluturues më të mëdhenj dhe të rrallë të Australisë.

Në vend janë gjetur vetëm 20 fosile të tilla nga paleontologët që kur u zbuluan eshtrat e pterozaurit të parë, në 2 dekada e kaluara.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *