Dorëhiqet anëtarja e Kryesisë së PD-së: Basha të japë dorëheqjen
Tjetër dorëheqje nga njerëzit e Lulzim Bashës në PD, kësaj rradhë është Flutura Açka.
Me anë të një postimi në Facebook, Açka shkruan se do të heqë dorë nga postet si anëtare e Kryesisë së PD-së dhe nga posti i kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Integritetit.
Sipas Flutura Açkës, vendimet e Bashës janë personale. Lidhjet me bazën janë shkatërruar. Popullariteti i tij mes demokratëve dhe shqiptarëve ka humbur. Për këto arsye ai duhet të japë dorëheqjen.
“Po, gjysmën e tij të fajit për krizën në të cilën gjendet sot PD e ka Lulzim Basha. Kjo skizmë është edhe përgjegjësia e tij. Nuk kam qenë dakord që Lulzim Basha të jepte dorëheqjen menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit, sepse të gjithë e dimë se çfarë zgjedhjesh ishin. Vetëm në Elbasan u blenë mbi 45 mijë vota nga bashkëpunimi i bandës shtetërore me bandat e kriminelëve. Ne jemi me një qeverisje informale, me një parlament që në mazhorancë është informal. Shkaku i zgjedhjeve pjesore të 6 marsit është një arsye shumë qesharake për të dhënë dorëheqjen Lulzim Basha, për arsyet që të gjithë i dimë se ç’zgjedhje ishin dhe arsyet që shpjegova më lart.
Megjithatë, në kushtet e krijuara brenda PD-së dhe shkatërrimit të lidhjeve me bazën, të riformatimit të strukturave të PD-së në bazë, të cilat janë në lëngim e sipër dhe të humbjes së popullaritetit të tij mes demokratëve dhe shqiptarëve me vokacion të djathtë, ai duhet ta japë dorëheqjen. Vendimet janë të tijat dhe fare personale.” – thotë Açka, e cila edhe për Sali Berishën nuk kursehet.
Fajin më të madh për këtë gjendje, sipas Flutura Açkës, e ka Sali Berisha. Ajo liston disa aryse në reagimin e saj në rrjetin social Facebook.
“Dhe fajin për këtë gjendje e kanë të dy liderët, madje, në syrin tim, fajin më të madh e ka Sali Berisha:
Sepse Lulzim Basha është produkt i tij, i cili, kur iu desh na e shiti për “burrë të mirë” dhe kur nuk iu desh për na e shiti për “burrë të keq”;
Sepse me kujdesin për kultin e individit të tijit dhe më pas të beniaminit të tij, nuk ka lënë gjë të njomë që të mbijë e të zhvillohet në PD, dhe sot të kishim mundësi të zgjidhnim një drejtues që ta donin të gjithë palët;
Sepse, për egon dhe inatin personal, i bëri me muaj të tërë skizmën më të rëndë PD-së, shqyerje që u pa dukshëm në zgjedhjet e 6 marsit;
Sepse, me dëshirën për kthimin e tij në krye të PD-së, do t’i bëjë rrotullimin e fundit të thikës në plagën që na ka ndodhur;
Sepse, nëse do ta drejtojë ai procesin e reformimit të PD-së, siç pretendon, do të vendosë një kukull tjetër të tij në krye dhe PD do të fillojë të riciklojë vetveten;
Sepse, me fjalorin e tij gjatë foltoreve, e ktheu sërish frymën e denigrimit, fyerjeve, dhunës verbale, të asgjësimit të atyre që mendojnë ndryshe, fjalor që u përkthye në bazë në formën më ekstreme të mundshme e duke mbjellur një animozitet vrasës mes demokratëve;
Sepse, në grupin iniciator për rithemelimin e PD-së, ka në përbërje figura të diskretituara, ish-ministra të njohur si hajdutë me damkë, për fajin e të cilëve dhe ca si shumë prej tyre, PD humbi thellë në vitin 2013, nga ende nuk e ka marrë veten;
Sepse, një pjesë e tyre dhe e ca të tjerëve rrotull, nisën një fushatë të hapur mediatike, një fushatë të shqyer në rrjetet sociale, dhe një fushatë të heshtur në të gjitha format duke fyer, kërcënuar, lënduar dhe keqtrajtuar figura të cilat nuk kishin besim te kjo lëvizje, një gjë fare normale në demokraci. Kështu, duke inicuar këtë frymë dhe duke e shtrirë atë deri në bazë, ata e thelluan hendekun e nisur.” – shkruan mes të tjerash Flutura Açka në FB.
Deputetja thotë se do të vijojë të jetë deputete e PD-së së bashkuar.
Rruga Press