Bota

‘Djalin tim e merr malli për babanë’: Olena Zelenska e Ukrainës tregon për ndikimin e luftës në jetën familjare

Në një intervistë shumë personale në BBC, Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska ka treguar për ndikimin emocional që lufta ka pasur në familjen e saj.

“Kjo mund të tingëllojë pak egoiste, por unë kam nevojë për bashkëshortin tim, jo një figurë historike, pranë meje”, tha ajo.

Ajo foli gjithashtu për mungesën në familje të  kalimit të kohës së bashku.

“Por ne qëndrojmë të fortë, kemi forcë si emocionalisht ashtu edhe fizikisht. Dhe jam e sigurt se do ta përballojmë së bashku,” shtoi ajo.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, Olena Zelenska kaloi muaj të tërë duke u fshehur në vende sekrete me fëmijët e saj.

Ajo e përshkroi gjendjen e saj emocionale në fillim të pushtimit si “një ndjesi konstante adrenaline”. Me kalimin e kohës, ajo e kuptoi se ishte “e nevojshme” të qetësohej dhe të fillonte të jetonte jetën në “kushtet ekzistuese”.

Pasi doli nga fshehja vitin e kaluar, lufta e vuri në qendër të vëmendjes ish-skenaristen dhe që atëherë ajo ka udhëtuar nëpër botë për të takuar udhëheqës dhe për të mbajtur fjalime.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

“Nuk jetoj bashkë me burrin, familja është e ndarë”.

Olena Zelenska i tha BBC-së se “ne kemi mundësinë të shohim njëri-tjetrin, por jo aq shpesh sa do të donim. Djalit tim i mungon babai.”

Megjithatë, pasiguria e të jetuarit në luftë ka ardhur me një kosto emocionale për fëmijët e saj, tha ajo.

“Më dhemb në shpirt kur shikoj që fëmijët e mi nuk planifikojnë asgjë. Në një moshë të tillë, aq të rinj. Vajza ime është 19 vjeçe. Ata ëndërrojnë për udhëtime, për ndjesi të reja, emocione. Ajo nuk e ka një mundësi të tillë. Ka kufizime në kohë në atë që mund t’i lejosh vetes, ato ekzistojnë dhe ne përpiqemi disi të jetojmë brenda tyre.”

Zonja e parë dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ishin të dashuruar në shkollën e lartë dhe vazhduan të punonin së bashku në një trupë humori dhe studio televizive – ai si aktor dhe ajo si skenariste.

Lexo më shumë  Patronazhistët rusë në Moldavi

Tani, ajo rrëfen se nuk e kishte ëndërruar kurrë që bashkëshorti i saj të bëhej “figura historike” që është sot, duke thënë se e kishte marrë malli dhe kishte nevojë që ai të qëndronte në krah si bashkëshorti i saj.

Pavarësisht nga ajo që Zonja e Parë e Ukrainës tha se mund të jetë një dëshirë “egoiste”, Olena Zelenska tha se presidenti, “me të vërtetë ka energji, vullnet, frymëzim dhe këmbëngulje për ta përballuar këtë luftë”.

“Unë besoj tek ai. Dhe e mbështes. E di që ka forcë të mjaftueshme. Për çdo person tjetër që njoh, mendoj se do të ishte shumë më e vështirë kjo situatë. Ai me të vërtetë është një person shumë i fortë dhe me aftësi ripërtëritëse. Dhe ky elasticitet është ai që ne të gjithë kemi nevojë për momentin”.

Rruga Press

YouTube player